Zgjedhjet pa garë në PD, deputeti Muçi: Berisha është patericë e Edi Ramës
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi komenton zgjedhjet pa garë për kreun e PD-së, ku thotë se ato janë një hap më tej drejt delegjitimimit të kësaj force politike. Për të sot PD nuk mund të përbëjë një alternativë për qytetarët, kundër pushtetit të kryeministrit Edi Rama.
“’Zgjedhjet’ në PD më duken një hap më tej drejt delegjitimimit të saj si një forcë politike opozitare, e cila realisht nuk mund të përbëjë një alternativë për pushtetin e Edi Ramës. Në Statutin e tyre nuk u prek Neni Basha apo kjo e Primareve. Këto nene megjithëse nuk u prekën, nuk janë respektuar për asnjë moment”, tha Muçi.
Po ashtu ai theksoi se interesi personal i Sali Berishës qëndron mbi interesin e gjerë kombëtar-opozitar. Për Muçin, PS dhe PD luajnë një rol kyç në mbajtjen në këmbë të një ‘ngrehine’ politiko-oligarkike. Muçi e mbylli fjalën e tij duke thënë se është e qartë për qytetarët se Sali Berisha është një patericë e kryeministrit Edi Rama.
“Megjithatë këto janë punë të brendshme të tyre, të cilat për shkak të konjukturave dhe momentit në të cilin ndodhen aty, duket se interesi personal i Berishës qëndron mbi një interes të gjerë kombëtar-opozitar. Me kalimin e kohës kjo do dëshmohet me gërryerjen e bazës elektorale të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Muçi në ”Report TV”.
KOHA JONË SONDAZH

