Zgjidhet misteri i ‘Rrathëve të Zanave’

Një hipotezë e re shpjegon se si janë formuar rrathët e rërës të qarkuar nga një unazë bari, që gjenden në zona shumë të thata të planetit, si në Namibi dhe Australi

Të ashtuquajturit ‘rrathët e zanave’, që gjenden në Namibi, por edhe në Australi, janë një fenomen natyror që për dekada me radhë kanë habitur ekspertët. Janë zonë në formë rrathësh simetrikë të privuar nga bimësia, por të rrethuar nga bari. Mund të kenë dimensione të ndryshme që shkojnë nga 3-20 metra diametër dhe kanë një jetëgjatësi prej dhjetëra vjetësh. Disa kanë mundur të mbijetojnë edhe 70 vjet.

DY HIPOTEZA. Me kalimin e kohës ka pasur shpjegime të shumta lidhur me shkakun e formimit të tyre, edhe pse, në të vërtetë, askush nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje të plotë për pyetjen.

Gjatë viteve të fundit ka pasur 2 hipoteza më të besueshme; e para sugjeronte se këto qarqe ishin vepër e termiteve që sistematikisht gërryenin rrënjët e barit në brendësi të tyre. Hipoteza u mbështet nga fakti se për 80% të rasteve të qarqeve të Namibisë kishin nën vete një numër të madh termitesh. Por këtë hipotezë e kundërshtonte fakti se në rrathët australianë nuk ka termite.

Hipoteza e dytë argumentonte se formimi i qarqeve i atribuohet barërave autoktone, të cilat kishin arritur nivele çuditërisht të sofistikuara të vetorganizimit në një nga mjediset më të shkretë në Tokë.

PERGJIGJJA  E FUNDIT…SALOMONIKE. Tashmë duket se një grup shkencëtarësh kanë gjetur zgjidhjen: shkaku i formimit të tyre duhet kërkuar tek të dyja fenomenet e mësipërme.

Sipas Korina Tarnita dhe grupit të studiuesve që kanë publikuar studimin e tyre në revistën ‘Nature’, termitet e Namibisë vërtetë ushqehen me rrënjët e bimëve që janë mbi folenë e tyre dhe kjo shkatërron vegjetacionin në sipërfaqe. Aty ku kolonitë e termiteve janë të detyruar të jetojnë njëri pranë tjetrit, fushat me bar të paprekur simbolizojnë kufijtë që i japin fraksioneve kundërshtare. “Nëse një koloni termitesh plotëson një tjetër më të vogël, zakonisht e para merre terren mbi të dytën dhe zgjeron territorin e saj, – thotë Tarnita. – Por në qoftë se dy koloni të të njëjtës madhësi janë në kontakt me njëra-tjetrën, ato preferojnë  të përcaktojnë një kufi.

MUNGON DIÇKA.. Shpjegimi, megjithatë, nuk është i plotë; ai nuk mund të argumentojë se pse ‘qarqet e zanave’ kanë një formë pothuajse të përkryer rrethore dhe sidomos nuk i shpjegon rrathët australianë.

Por studiuesit duket se kanë përgjigje edhe për këtë kundërshti: ata argumentojnë, në fakt, se janë të rëndësishëm edhe barërat që formojnë rrathët.  Në zonat ku ka mungesë të ujit dhe lagështie, disa bimë  dërgojnë rrënjët e tyre të gjata nën sipërfaqe për të vjedhur fqinjët e tyre. Ky sistem çon në formimin e arnave të thata të rërës. Lagështira përqendrohet jashtë tyre, duke i dhënë në këtë mënyrë mundësi  barit rreth e qark që të marrë ushqim të mjaftueshëm për mbijetesë.

Është ky shpjegimi që përfundimisht zgjidh misterin e ‘rrathëve të zanave’? Në të vërtetë, ka ende një boshllëk, sepse kërkimet ishin bazuar në modele që janë punuar në laborator, tani duhet të konfirmohen në realitet.

SHKARKO APP