Zhbllokohet markimi i karburanteve

 

Kompania GFI Albania ka rifilluar mbrëmë vonë procesin e markimit të karburanteve, pasi e kishte ndërprerë atë dje në mengjes, duke bllokuar furnizimin me naftë në vend, pasi në bazë të një VKM të Këshillit të Ministrave të vitit 2013, autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari.

Mësohet se zhbllokimi ka ardhur pas një takimi të përfaqësuesve të GFI me Ministrinë e Financave, por nuk bëhet e ditur se cila palë ka lëshuar pe, teksa VKM e Këshillit te Ministrave që përcakton procedurat e shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës, i datës 30.5.2013 i jep shumë të drejta GFI Albania.

Konflikti nisi, pasi kompania ka kërkuar markimin e naftës bruto, siç parashikohej dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Sipas këtij vendimi, që përcakton procedurat e shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës, i datës 30.5.2013, “Çmimi i shërbimit të shënjimit”, tarifa kombëtare e shërbimit të shënjimit, që do t’i paguhet koncesionarit nga subjektet e detyruara dhe do të jetë në shumën prej 614 (gjashtëqind e katërmbëdhjetë) lekë plus TVSH-në, për 1000 (një mijë) litra të markuara. Po në kontratë parashikohet që “Produktet e shënjimit” janë produktet e bardha (gazoil dhe benzen), produktet e zeza (solar dhe mazut), nafta bruto, lëndët djegëse dhe produktet e ndërmjetme e specifikisht produktet me emërtimet dhe kodet si vijon: naftë D1 (kodi doganor 27101943), naftë D2 (kodi doganor 27101946 dhe 29101948), benzinë pa plumb (kodi doganor 27101245, 27101241), solar/mazut (kodi doganor 27101962, 27101964, 27101968), naftë bruto (kodi doganor 27090090), për të cilat është e detyrueshme pagesa e akcizës apo e rentës minerare në rastin e naftës bruto.

Në total, nafta bruto e prodhuar në vend është rreth 1.4 milionë ton, rreth 90% e të cilës prodhohet nga Bankers Petroleum. Vetëm nga ky shërbim, GFI llogarit që duhet të arkëtojë rreth 10 milionë dollarë.

Por, aktorët e tregut, pohojnë se pavarësisht se markimi i naftës bruto është i parashikuar në kontratë, praktikisht dhe teknikisht është e pamundur që ai të zbatohet, për disa arsye. Së pari, ky markues është i vlefshëm deri në 45 gradë, ndërsa prodhuesit e naftës e përpunojnë atë deri në 95 gradë, çka e bën të pamundur markimin nga ana teknike. Drejtues të Bankers Petroleum pohojnë për Monitor, se prej dy vitesh ata i kërkojnë kompanisë që të vijë të realizojë në vend markimin, por ata nuk janë paraqitur. Ata shtojnë se nuk mund të paguajnë për një shërbim që nuk kryhet, ndërsa nuk kanë qenë asnjëherë kundër realizimit të shërbimit dhe GF nuk është penguar asnjëherë të realizojë këtë proces.

Së dyti, një pjesë e madhe e naftës bruto shkon për eksport dhe rafineritë që e marrin për përpunim nuk pranojnë naftë me elementë të shtuar kimikatë, pasi, ndryshe nga nafta për automjetet që digjet në motor, nafta bruto nuk digjet, por përpunohet.

Nuk dihet ende nëse është rënë dakord për markimin e naftës bruto.

Edhe në markimin e naftës së përpunuar, aktorët e tregut kanë pohuar se markimi nuk ka funksionuar, pasi ai bëhet mekanikisht dhe jo i automatizuar./Monitor

SHKARKO APP