Zhvillimi i Master Planit të Gazit të Shqipërisë/Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit me azerët

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Energjisë se Azerbajxhanit, Natig Aliyev, nënshkruan të premten Memorandumin e bashkëpunimit për zhvillimin e Master Planit të Gazit të Shqipërisë.

Ministri i Energjisë Gjiknuri pas takimit me homologun azer Natig Aliyev, në një konferencë për shtyp deklaroi se TAP-i është një projekt me shumë rëndësi për Shqipërinë dhe “kompanitë duhet të jenë aktive”.

"Qëllimi i këtij dokumenti është nisja e bashkëpunimit të masterplanit të gazit, ku vendi ynë është një përfitues real i këtij projekti.

Gjithashtu, kjo nënkupton diversifikim të burimeve të energjisë dhe siguri më e lartë për këtë sektor", tha ministri Gjiknuri.

“Me bashkëpunëtorët tanë azerë kemi patur prej 1 viti e gjysmë bisedime, jo vetëm për zhvillimin e projektit TAP, por edhe zhvillimin e marrëdhënieve të tjera ekonomike mes nesh.

Shumë shpejt do të kemi Komitetin e Bashkëpunimeve Ekonomike mes dy vendeve. Qeveria shqiptare do vijojë të suportojë projektin e TAP në mënyrë intensive dhe ka kërkuar edhe investime për kompani shqiptare nga anëtarët e TAP”, deklaroi ministri Gjiknuri.

Sipas tij, Shqipëria do të bëhet përfituese reale e gazit në të ardhmen.

Ndërkohë, ministri azer Natig Aliyev deklaroi se jemi të kënaqur për bashkëpunimin.

“Qëllimi ynë nuk është thjesht të sjellim gazin, por ta gazifikojmë të gjithë Shqipërinë. Kompania kombëtarë e gazit në Azerbaxhan ‘Socar’ po përgatit terrenin për gazifikimin e vendit tuaj, me studimet e terrenit, pas një sërë projektesh të rëndësishme që ka kryer në vende të tjera, si Gjeorgjia etj”, u shpreh Aliyev.

Sipas tij, ky masterplan është dokument i rëndësishëm, ndersa informoi se brenda dy viteve do të realizojmë një projekt shumë të rëndësishëm me Shqipërinë. 

SHKARKO APP