Zjarri në Gojan u afrohen banesave, Prefektja e Shkodrës thirrje banorëve: Bashkëpunoni me autoritetet për të mbrojtur jetën
Situata nga zjarri në zonën e Gojanit vijon të jetë e rrezikshme, ndërsa flakët kanë përparuar në drejtim të banesave. Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, bëri të ditur se forcat zjarrfikëse janë pozicionuar në rrugën pranë banesave, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e jetës së banorëve, banesave dhe gjësë së gjallë.
Sipas saj, bëhet fjalë për një vazhdim të vatrës së mëparshme të zjarrit. Ndërkohë, për shkak të rrezikut, kanë nisur edhe evakuimet e banorëve nga zonat e prekura. Duda u ka bërë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat operacionale dhe të ndjekin udhëzimet për evakuim, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së jetës dhe pronës.
Ajo ka apeluar gjithashtu për më shumë kujdes ndaj natyrës, veçanërisht në kushtet e motit të pafavorshëm dhe erërave të forta, të cilat mund të favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve.
“Apeli për banorët është bashkëpunimi me të gjitha forcat operacionale për mbrojtjen e jetës së vet, gjësë së gjallë dhe banesës. Nëse nuk e mbrojmë ne tokën tonë, s’mund t’i shmangemi fatkeqësive të tilla me motin, erëra kaq të forta që mund të favorizojnë edhe këto situata që përjetojmë”, shprehet Duda.
KOHA JONË SONDAZH

