Zv/kryeministrja Balluku: Aksi i ri Elbasan-Rrogozhinë, autostradë e tipit A me shpejtësi 130 km/orë
Punimet për ndërtimin e aksit të ri rrugor Elbasan-Rrogozhinë kanë hyrë në një fazë të avancuar, duke shënuar përparim të ndjeshëm në realizimin e një prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore të Korridorit VIII. Ky aks është projektuar si autostradë e kategorisë A, që do të mundësojë lëvizje të sigurt dhe me shpejtësi të lartë, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet rrugore kombëtare dhe rajonale.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në lotin 5, që përfshin aksin Papër-Ura e Grykshit. Në këtë segment, përveç ndërtimit të trasesë kryesore, projekti parashikon edhe ngritjen e një ure me gjatësi 330 metra linearë, si dhe ndërtimin e disa veprave të tjera mbështetëse. Balluku theksoi se ky është një nga kantieret që po ecën më mirë në Korridorin VIII, sidomos segmenti që nis nga rrethrrotullimi i Bradasheshit, ku po zgjidhet edhe problematika e ngarkesës së trafikut në daljen e autostradës Tiranë-Elbasan.
“Kemi nisur punën në fazën e parë prej 18 km. Ky segment ndahet në disa faza dhe aktualisht ndodhemi në fazën e pestë. I gjithë projekti me gjatësi prej 18 km ka 6 ura, dy prej të cilave janë 330 metra linearë”, tha Balluku, ndërsa shtoi se në gjithë gjatësinë e segmentit garantohet edhe mbrojtja lumore. Balluku theksoi se ecuria e këtij kantieri është 60% e volumit të punimeve, ndërkohë që i gjithë projekti është diku te 49%. “Kemi një afat për të kapur, qershor 2026, ku dëshirojmë të përfundojmë totalisht sipas afateve kontraktuale 18 km e parë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm. Kjo duke e lënë rrugën dytësore funksionale dhe duke kaluar në një autostradë të tipit A me shpejtësi 130 km/orë”, tha Balluku.
Zv.kryeministrja bëri të ditur se kjo pjesë e autostradës ka dy korsi qarkullimi nga secili krah me gjerësi 3.75 metra dhe nga një korsi emergjence nga secili krah me gjerësi 3 metra. Po ashtu, Balluku theksoi se po sistemohet lëvizshmëria brenda zonave të banuara të dy krahëve të autostradës, pasi janë zona bujqësore që detyrimisht duhet t’u krijohet akses. Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektit, pjesë e korridorit VIII, sipas saj është edhe bajpasi i Elbasanit me gjatësi prej 3 km.
”Duhet t’i japim zgjidhje pasi kemi parë ngarkesë, duke qenë se tashmë është shtuar fluksi i qytetarëve apo edhe i vizitorëve e turistëve të huaj që lëvizin edhe gjatë fundjavave. Ndaj duhet patjetër të përfundojnë brenda 1 korrikut 2026, 3 kilometrat e para të bajpasit të Elbasanit për të vazhduar më pas me projektin e madh dhe financimin e huaj në të cilin kemi aplikuar”, shtoi ajo.
KOHA JONË SONDAZH

