Zv/kryeministrja Balluku: Dialogu me biznesin, çelësi për ekonomi konkurruese dhe integrim në BE
Zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se Shqipëria sot nuk ka asnjë krahasim me atë të 10 viteve më parë falë reformave të thella dhe shtetformuese. Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin për 10-vjetorin e krijimit të Këshillit të Investimeve, Balluku e konsideroi këtë moment si një rrugëtim që ka kaluar përmes reformash të thella shtetformuese, shpeshherë të dhimbshme, por të domosdoshme, mjaft herë të kontestuara, por në pjesën të madhe të tyre me rezultate të matshme.
”Në një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që ishte 10 vite më parë, më të zhvilluar, më moderne, më e sigurt dhe me një të ardhme shumë më të ndritur, më afër se kurrë më parë me familjen evropiane. Në këtë dekadë sfidash, përpjekjesh, reformash, arritjesh madhore një rol i rëndësishëm është luajtur nga biznesi vendas dhe ai i huaj dhe marrëdhënia e fortë e bashkëpunimit që Qeveria Rama ka vendosur qysh në fillim të mandatit të parë”,-tha Balluku.
Për të në këtë memorandum ishte parashikuar si hap i parë që BERZH do të ndihmonte në krijimin e Këshillit të Pavarur të Investimeve, që do të bashkonte përfaqësues të biznesit dhe do të këshillonte Këshillin Ekonomik Kombëtar. ”Qartësia e vizionit të Qeverisë Rama u kthye në një strategji afatgjatë për bashkëpunimin me biznesin dhe po jep frytet e veta në zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërisë. Biznesi është zemra e zhvillimit ekonomik të vendit. Pa një biznes të fuqishëm të mbështetur me politika të drejta nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme apo mirëqenie për qytetarët tanë. Çdo vendim që merr Qeveria duhet të reflektojë realitetin e tregut”, cilësoi Balluku.
Zv/kryeministrja cilësoi se Këshilli i Investimeve u konsiderua si pjesë e këtij angazhimi për të forcuar bashkëpunimin në reformat e thella, mirëqeverisjen dhe krijimin proceseve demokratike, një frymë që u nxit edhe nga Procesi i Berlinit. ”Këshilli i Investimeve u shndërrua në një model që paraqet suksesin e dialogut mes biznesit dhe qeverisë, sektorit privat dhe partnerëve. Shqipëria ka një vizion të qartë kombëtar, anëtarësimin në BE. Ky objektiv kërkon më shumë se politika të mira, kërkon bashkëpunimin real dhe një klimë të favorshme për investime. Kemi arritur të thellojmë besimin mes institucioneve dhe sektorit privat, të adresojmë sfidat konkrete dhe të ndërtojmë zgjidhje të qëndrueshme”.
KOHA JONË SONDAZH

