Zv/kryeministrja Koçiu: Qytetarët e Rrjollit t’i ndjekin pretendimet në rrugë ligjore, askush nuk fiton nga përplasjet
Zv/kryeministrja Albana Koçiu deklaroi në Kuvend se çështja e pronave në Rrjoll të Shkodrës duhet të trajtohet nga institucionet kompetente dhe gjykatat, duke theksuar se qeveria nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen për pronësinë. Ajo iu përgjigj interpelancës së kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri lidhur me protestat e banorëve që pretendojnë se u janë cenuar pronat.
Koçiu theksoi se ekzekutivi respekton ndarjen e pushteteve dhe se çdo pretendim për pronësi duhet të ndiqet përmes rrugëve administrative dhe gjyqësore. Ajo shtoi se vendimet e gjykatave janë detyruese dhe nuk mund të zëvendësohen nga deklarata politike apo presion publik.
Sipas saj, projekti në zonë është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse, duke përfshirë verifikimet e pronësisë dhe lejet administrative. Koçiu nënvizoi gjithashtu se zhvillimi ekonomik dhe turizmi në veri duhet të ecin paralelisht me mbrojtjen e pronës private dhe zbatimin e ligjit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin rrugën institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
KOHA JONË SONDAZH

