Zv/ministri i Jashtëm Slloven: Luftoni korrupsionin! Negociatat Greqi-Shqipëri…
Në një intervistë për gazetaren Ilva Tare në ”Ora News”, zëvendës ministri i Jashtëm i Sllovenisë Andrej Logar u shpreh optimist për çeljen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian. Logar tha se vendet anëtare kanë ende pakënaqësi për punën e bërë nga qeveria për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se këto janë problemet që Shqipëria duhet të zgjidhë.
Intervista
Ilva Tare: Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, ambasador Andrej Logar, faleminderit për këtë intervistë
Andrej Logar: Është kënaqësia ime të jem në Tiranë. Nuk është hera e parë, kam qenë këtu 25 vjet më parë dhe sinqerisht ka ndryshuar shumë. Kam një përshtypje të mirë për këtë vend që jo vetëm është i bukur, me njerëz të mirë por dhe një vend me prosperitet dhe shpresojmë që së shpejti Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe të bashkohet në familjen e kombeve europiane.
Ilva Tare: Çfarë ju tërhoqi vëmendjen, pas 25 viteve, në vizitën tuaj të dytë në Shqipëri?
Andrej Logar: Këtu mund të shohësh një progres të jashtëzakonshëm. Kudo ku shkon, shikon njerëz të lumtur. Njerëz që kanë dëshirë të bëjnë diçka në këtë vend dhe veçanërisht sheh shumë të rinj. Shqipëria është një nga vendet me moshën më të re në kontinentin europian. Progresi shihet kudo. Fatkeqësisht nuk do të udhëtoj jashtë Tiranës, mendoj se është Tirana dhe Shqipëria tjetër, kështu që herën tjetër do të shfrytëzoj mundësinë të shoh pjesën tjetër të vendit.
Ilva Tare: Cila është arsyeja e vizitës suaj këtë herë?
Andrej Logar: Qëllimi ishte të mbajmë një dialog të rregullt politik me të gjithë kolegët, me qeverinë e Shqipërisë. U takova me ministrin Bushati dhe zëvëndësministrin e Jashtëm, gjithashtu takova disa njerëz nga shoqëria civile, nga parlamenti. Pra për të mbajtur një dialog politik të gjallë, për të njohur njëri-tjetrin më mirë dhe gjithashtu për të lehtësuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ilva Tare: Ndodhemi në një fazë interesante për Shqipërinë në javët dhe muajt në vijim, ne po presim rekomandimin për t’i hapur negociatat me Bashkimin Europian. Cili është qëndrimi i Sllovenisë për këtë çështje?
Andrej Logar: Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne ndoqëm nga afër vizitën e Presidentit të Komisionit Europian, Juncker, në Tiranë. Nuk jemi plotësisht të kënaqur me strategjinë europiane për zgjerimin. Ne besojmë se strategjia duhet të jetë më konkrete me afate kohore, më shumë e detajuar. Sidoqoftë, ne presim një raport progresi pozitiv në muajin prill, dhe presim që Shqipërisë t’i jepet një datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Presim që rekomandimi të jetë për gjysmën e parë të këtij viti. Ky është pozicioni ynë dhe ky është pozicioni që po mbrojmë në Bruksel gjithashtu.
Ilva Tare: Jeni të kënaqur me kushtet që ka plotësuar Shqipëria deri tani? Duhet të bënte më shumë?
Andrej Logar: Asnjëherë nuk e di se çfarë është e nevojshme të bësh për të qenë më mirë por unë besoj se Shqipëria është në rrugë të mbarë për pesë prioritetet kyçe. Ka bërë progres domethënës, doja vetëm të përmendja reformën në administratën publike, në gjyqësor, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Fatkeqësisht nuk shohim të njëjtin nivel ambicie në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat janë dy pika kryesore për Bashkimin Europian. Vendet anëtare besojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë aspekt, në mënyrë që të parandalohet shtrirja e krimit të organizura në Bashkimin Europian. Është një çështje shumë delikate për qeverinë dhe do të këshilloja qeverinë të bënte diçka për të arritur disa rezultate të prekshme.
Ilva Tare: Qeveria ju ka thënë atë që ka përmbushur tashmë për sa i përket luftën kundër korrupsionit. A janë këto të dhëna të kënaqshme? Kanë ndonjë justifikim për atë që duhet të ishte bërë më mirë?
Andrej Logar: Jo, për të thënë të vërtetën, por mesazhi im është që nuk ka vend për justifikime, ka gjithmonë hapësirë për të bërë më shumë dhe sinqerisht, qeveria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar veçanërisht
Ilva Tare: A do të jetë kjo një problem apo pengesë për hapjen e negociatave deri sa qeveria të tregojë rezultate të qarta në luftën kundër korrupsionit?
Andrej Logar: Mendoj që jo tani për tani. Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe sigurisht që nëse nuk ka rezultate të prekshme, mund të shkaktojë disa probleme, veçanërisht për sa i përket rekomandimit për nisjen e negociatave. Ka dhe një problem tjetër. Ka një numër të madh të azilkërkuesve në çdo vend të Europës. Mendoj se është një fushë tjetër ku qeveria duhet të punojë më shumë.
Ilva Tare: Ju përmendët strategjinë që u publikua dhe u prezantua nga vetë zoti Juncker në të gjithë rajonin e Ballkanit. Çfarë duhet të bëjnë më shumë këto vende pas prezantimit të kësaj strategjie?
Andrej Logar: Pasi kjo strategji u miratua, vendet e rajonit duhet të miratojnë plane qeveritare për negociatat. Sllovenia e mbështet zgjerimin. Ne besojmë se Ballkani Perëndimor nuk merr vëmendjen që meriton. Ne duam stabilitet në rajon.Në duhet të paraqesim një prespektivë zgjerimi të besueshme për vendet. Një prespektivë zgjerimi e besueshme për vendet do të thotë përpjekje të besueshme, reforma dhe veçanërisht respektimin e rritjes dhe forcimit të sundimit të ligjit
Ilva Tare: Për sa i përket Shqipërisë, ka një çështje tjetër siç janë negociatat që vazhdojnë me Greqinë për të arritur një marrëveshje për diskutimet që kanë. Sllovenia ka eksperiencë në negociatat me vende të tjera fqinje siç është Kroacia dhe problemi i tyre është i famshëm tashmë, Gjiri i Piranit, ku për 25 vjet nuk është mundur të arrihet një marrëveshje. Si mund të pengojnë integrimin në BE këto probleme me fqinjët?
Andrej Logar: Presidenti Juncker ishte shumë i qartë për këtë çështje, për nxitjen e vendeve që të zgjidhin të gjtha çështjet dypalëshe përpara se të bëheshin anëtare të Bashkimit Europian dhe ne e mbështesim këtë. Ju përmendët rastin e famshëm me Kroacinë. Fatkeqësisht kemi negociuar me Kroacinë për kaq shumë vite dhe kemi qenë shumë afër për një marrëveshje. Fatkeqësisht nuk ia kemi dalë dhe më pas vendosëm ta dërgonim çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit e cila mori një vendim që fatkeqësisht Kroacia nuk e pranon. Ky është një problem i cili nuk ka lidhje me Bashkimin Europian sepse ata na shtyjnë ta zgjidhim këtë problem. Por kur një vend refuzon një vendim ligjor urdhërues të Gjykatës, është një precedent shumë i rrezikshëm për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër që Kroacia ka hapur çështje të rëndësishme me Bosnjen, Malin e Zi, me Serbinë, me Slloveninë dhe është një vend anëtarë i Bashkimit Europian, por qenia anëtar nuk duhet të jetë alibi për të ndaluar vende të tjera për t;iu bashkuar Bashkimit Europian. Ne shpresojmë që negociatat mes Greqisë dhe Shqipërisë të jenë të suksesshme, që të jeni me më shumë fat se ne dhe që problemi të zgjidhet paqësisht dhe në të mirë të qytetarëve tuaj.
Ilva Tare: Është e mundur për një vend të bllokojë integrimin e një vendi tjetër? Ju keni qenë në një pozicion të tillë, e keni bërë?
Andrej Logar: Jo, nuk e kemi përdorur këtë mekanizëm që nuk ekziston formalisht në Bashkimin Europian. Sigurisht, politikisht mund të bllokosh, mund të vonosh. Por nuk është rruga më e mirë e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Ne do të donim të shihnim që të gjitha marrëdhëniet dypalëshe të jenë të dakordësuara dhe nëse kjo nuk është e mundur, atëherë lërjani institucioneve ndërkombëtare të cilat mund të arrijnë rezultate.
Ilva Tare: A është e shqetësuar Sllovenia nga prania e lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë në Ballkan, siç mund të jetë Rusia apo Kina, apo Turqia? Siç duket në disa analiza, këto vende kanë rritur interesin e BE për vendet e Ballkanit?
Andrej Logar: Dua të jem i sinqertë. Ballkani Perëndimor ka qenë jahstë vëmendjes për shumë vite dhe sigurisht që nëse nuk je, atëherë vende të tjera mund të ndërhyjnë. Unë nuk jam veçanërisht i shqetësuar nga aktorë të tjerë por është imperative për Bashkimin Europian për t’u angazhuar me më shumë agresivitet në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe SHtetet e Bashkuara, në mënyrë për të parandaluar aktorë të tjerë për të vendosur pozicione te tyre në Ballkanin Perëndimor.
Ilva Tare: Po përsa i përket marrëdhënies midis dy vendeve, Sllovenisë dhe Shqipërisë, a ka bashkëpunim ekonomik?
Andrej Logar: Ne po ia dalim mirë, por e rëndësishme është që të përkthejmë marrëdhëniet e mira politike në marrëdhënie të mira ekonomike
Ilva Tare:…sepse në fund për këtë bëhet fjalë…
Andrej Logar: Kjo është ajo që ka rëndësi dhe ajo që njerëzit presin nga qeveritë. Ka të paktën 4 fusha që mund të bëjmë shumë më shumë, është sektori i energjisë, mbrojtja e mjedisit, turizmi dhe kultura dhe industria e ushqimit. Këto janë 4 sektorët ku Shqipëria dhe Sllovenia mund të bëjnë shumë më shumë. Ne jemi shpresëplotë që vizita tjetër e ministrit tuaj në Ljubjanë dhe veçanërisht drejtoritë e marrëdhënieve ekonomike që do të takohen në njën të ardhme të afërt, do të gjejnë mënyra të reja se si të forcojmë marrëdhënien ekonomike midis dy vendeve.
Ilva Tare: Pra klima e biznesit në Shqipëri duket mirë për standardet sllovene?
Andrej Logar: Patjetër. Më lejoni të shtoj se Sllovenia njihet në Shqipëri si vend donator. Shqipëria së bashku me Malin e ZI janë ndër vendet e synuara në bashkëpunimin tonë të zhvillimit. Nga viti 2010 deri në 2016, Sllovenia alokoi më shumë se 2 milion dollarë për projekte të ndryshme jo vetëm në Tiranë por edhe jashtë saj.
Ilva Tare: …dhe ato u implemetuan plotësisht…
Andrej Logar: Ato u implemetuan plotësisht dhe njerëzit mesa duket janë të kënaqur.
Një pyetje të fundit për sa i përket negociatave. Gjatë konferencës për shtyp të kryeminsitrit tonë me komisionerin Juncker, ai përmendi se ka disa vende që janë të shqetësuar dhe kërkojnë më shumë informacione për Shqipërinë dhe progresin që është bërë për azilkërkuesit apo fusha të tjera që kërkojnë më shumë përmirësim. Mendoni se kjo dinamikë brenda vendeve të BE mund të ndalë hapjen e negociatave këtë vit?
Andrej Logar: Mendoj që kjo dinamikë do të vazhdojë. Ka dy grupe vendesh në Bashkimin Europian, njëra që mbështet dhe lehtëson procesin e zgjerimit, pjesë e të cilit është edhe Sllovenia, dhe ato vende hezituese që mendojnë që Shqipëria dhe vendet e tjera duhet të bëjnë më shumë. Por jo gjithmonë arsyet janë tek Shqipëria apo Mali i Zi apo vende të tjera të Ballkanit Perëndimor por më shumë janë probleme të brendshme se si t’i shpjegohet popujve nevoja për zgjerim të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për probleme të brendshme, më shumë se pozicioni i vendeve aplikante.
Ilva Tare: Në Shqipëri, BE është ende një ëndërr që shpresohet të bëhet e vërtetë për 27 vitet e fundit por Sllovenia e bëri realitet këtë ëndërr. Si e perceptojnë njerëzit?
Andrej Logar: Në fillim edhe ne e kishim. Në vitin 1997 kur filluam negociatat dhe kur u bëmë anëtarë të Bashkimit Europian në 1 maj 2004, mbështetja popullorë për Bashkimin Europian ishte e jashtëzakonshme. Por gjatë negociatave, mbështetja për Bashkimin Europian ra në mënyrë domethënëse
Ilva Tare: Në çfarë niveli është aktualisht?
Andrej Logar: Mendoj se vazhdon të jetë 70%. Ne nuk kemi parti politike euroskeptike apo politikanë euroskeptikë, kemi disa individë dhe kaq. Vendimi për t’u bërë anëtar i Bashkimin Europian ishte një nga vendimet më të rëndësishme pas pavarësisë
Ilva Tare: Faleminderit
Andrej Logar: Faleminderit