9 vjet pa të madhin Kadri Roshi

Sot 9 vite më parë do të pushonte së rrahuri ajo zemër që i dha jetë dhe zë, puls dhe nerv, dhjetra personazheve, të cilët mbeten të pashlyer në kujtesën e secilit ndër ne. Sëmundja e gjatë e kish kapluar kohëgjatë titanin e skenës dhe të sheshxhirimeve! I mpaku frymën ngadalë si dritë qiriri, i ngadalësoi hapin deri në çapitje, por pa mundur t’ia shuaj shkëlqimin në sy dhe buzëqeshjen, deri në fundit grahmë që e leshoi paraditen e 6 shkurtit 2007. Ishte shuar i madhi Kadri Roshi, një korife i teatrit, një mbret i kinemasë, ai i cili meriton përjetësinë në kujtesën e atij panteoni shenjtorësh të artit.
Në karrierën e tij të gjatë që niston qysh prej vitit 1945, akti i tij krijues përshkohet prej një filli shkëlqimtar fame që rrëzëlleu në më shumë se 180 role, pjesa dërmuese e të cilave ishin ata të protagonistit. Teatri, kinemaja, artdashësit, miqtë dhe admiruesit përulen sot më nderim dhe respekt të thellë, për këtë njeri të përkorë, për këtë dishepull vlerash të shtuara skenike, për këtë aktor të papërsëritshme, për Kadri Roshin, testamentin më të çmuar të artit skenik shqiptar.

Albert Vataj

SHKARKO APP