95 % e shërbimeve publike online

Portali unik qeveritar e-Albania ofron sot për qytetarët shqiptarë 1207 shërbime publike online ose në total 95 % e të të gjitha shërbimeve që ofron shteti shqiptar. Kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj bënë sot bilancin e punës, të cilën kreu i qeverisë e ka pagëzuar si revolucioni digjital.
Sipas kryeministrit, investimet e qeverisë kanë arritur të shmangin radhët e qytetarëve dhe biznesit në dyert e insticioneve duke u kursyer atyre 472 vite pritje në radha dhe miliona dollarë nga mospagesa e tarifave. Rama u shpreh se reforma e AKSHI-it i ka dhënë fund tmerrit të administratës që u merrte rryshfet qytetarëve. Sot, theksoi kryeministri, qyetetarët s’ kanë nevojë të shkojnë në asnjë zyrë, e as të takojnë askënd, s’kanë nevojë të bëjnë asnjë hap nëse kanë një smart phone me vete, ose u mjafton të lëvizim vetëm drejt kompjutetit më të afërt.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj detajoi të gjitha shërbimet publike që jepen sot për qytetarët. “Disa vite më parë pak kush besonte në Revolucionin Digjital. Shumë ishin skeptikë. Një pjesë edhe me të drejtë, por ja ku jemi sot për të folur për një histori shqiptare suksesi që quhet e-Albania”
Drejtoresha Karçanaj saktësoi se sot janë 1.87 milionë qytetarë dhe biznese që kanë kryer 7.7 milionë aplikime. Ajo foli më tej dhe për Platformën Qeveritare të Ndërveprimit e cila mundëson ndërlidhjen e regjistrave elektronikë me njëri-tjetrin; për nënshkrimin elektronik dhe vulen elektronike, aktualisht, gjenerohen 163 dokumente administrative me nënshkrim elektronik 47 dokumente me vulë elektronike; për shëndetësinë ku falë digjitalizimit, kontrolli shëndetësor bazë, caktimi i vizitave mjekësore, rekomandimet mjekësore, recetat ofrohen online; për procesin që po përshpejton Pasaportën e Vaksinimit (përmes e-Albania, qytetarët shqiptarë që do vaksinohen kundër COVID-19, do të pajisen me dokumentin elektronik me standard të njohur ndërkombëtar); për asimin e shtresat në nevojë, për lejet e licensat, drejtësinë e bujqësinë e kështu me rradhë.
Më tej drejtoresha theksoi se i gjithë ky investim shtetëror në teknologji, ndëveprim dhe rrjete të sigurta, do t’i vihet në dispozicion edhe sektorit privat.
Gjithashtu po planifikohet përdorimi i teknologjisë blockchain në të dhënat e pronës dhe shëndetësisë, krijimin e një qendre me të dhëna masive “Big Data”
Një nga sfidat e ardhshme do të jetë edhe implementimi i sistemeve të matjes së parametrave smart city dhe përdorimi i tyre për lehtësimin e jetës së qytetarit dhe biznesit.
“Gjithcka, për këdo. Ky eshte lajmotivi ynë. Dhe më besoni, ky është vetëm fillimi”- përfundoi Karçanaj.
Disa institucione ndërkombëtare si OECD, OKB apo edhe BE kanë vlerësuar reformën e qeverisë shqiptare për të kaluar online shërbimet ndaj qytetarëve të saj.

SHKARKO APP