A do të mund ta ndalë Rama projektin perëndimor për largimin e tij?
Magazinë E Martë, 22 Shtator 2020 13:33
Nga Red Varaku –
Kam kohë që argumentoj se publikimi i përgjimeve, djegja e mandateve , protestat masive, bojkoti i zgjedhjeve , bllokimi i integrimit dhe 15 kushtet janë pjesë e një projekti Perëndimor për një tranzicion të butë pushteti në Shqipëri, sepse Edi Rama me qëndrimet e tij po e devijonte rrugëtimin e Shqipërisë drejt Perëndimit dhe vlerave perëndimore.
Fillimisht pati një moskuptim, sepse nisja e menjëhershme e një stine protestash të jashtëzakonshme dhe akti ekstrem i djegjes së mandateve, jo vetëm që i kapi të gjithë në befasi dhe ishte e pashpjegueshme në terma politike normale, por dhe u keqkuptua për shkak të shumë situatave dhe rrethanave, që ishin ende të paqarta dhe të pashpjegueshme.
Por, pas insistimit të vazhdueshëm të Perëndimit për bllokimin e integrimit dhe izolimin e Shqipërisë, përveç ortakëve dhe mbështetësve naivë dhe të verbër të Ramës, duhet të jesh naiv të mos e kuptosh, që projekti për tranzicionin e pushtetit në Shqipëri është tashmë një fakt.
Ndërsa, me votimin e ndryshimeve kushtetuese pa konsensus, duke dalë hapur kundër Perëndimit dhe duke shkelur mbi vullnetin e tyre, ky tashmë është një fakt edhe për më idiotët.
Kjo sepse refuzimi i një marrëveshjeje të negociuar dhe garantuar nga Perëndimi, është një provë shumë e rëndësishme që dëshmon që edhe marrëveshja e pesë qershorit nuk është tjetër, vetëm se akti i parafundit i projektit dy vjeçar të Perëndimit për rikthimin e demokracisë në Shqipëri , që në të vërtetë synon rrëzimin dhe ndëshkimin e lidershipit të PS.
Ky refuzim i pashpjegueshëm pas gati një muaji, të një dakortësie të arritur në mirëbesim dhe nën garancinë e Perëndimit, në fakt shpjegon frikën e justfikuar të Ramës për atë marrëveshje, sepse si e tillë ajo duket si hallka e parafundit e tranzicionit të pushtetit, që i paraprin zgjedhjeve të lira.
Për të devijuar debatin nga kjo e vërtetë, ai ndërmori një fushatë qesharake në mes të vapës, për ta shitur shkeljen e marrëveshjes së janarit dhe pesë qershorit, si nevojë jetike për demokracinë shqiptare dhe si një e drejtë sovrane e popullit shqiptar.
Duke injoruar kështu Perëndimin dhe poshtëruar dy ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri, si persona të cilët nuk duhet të përzihen në punët tona të brendshme .
Por, e vërteta është që logjika e përdorur për ndryshimin e thelbit të marrëveshjes, është qesharake dhe nuk qëndron. Bllokimi i koalicioneve, me argumentin se këtë e kërkon shumica e shqiptarëve është një gënjeshtër e madhe. Nëse vërtet do t’i hante barku për shqiptarët, atëherë përse kjo ide u refuzua dhe nuk u hodh kurrë për diskutim për gjashtë muaj në Këshillin Politik?
Opozita kurrë nuk ka shprehur ndonjë rezervë për këtë, madje në rastin më të parë deklaroi se ishte gati të pranonte hapjen 100% të listave, nga një hapje treçerekëshe që ofron mazhoranca.
Të gjithë e kanë të qartë që shkelja e marrëveshjes po bēhet për shkak të nevojës që ka ky kryeministër për të përçarë flukset opozitare, në mënyrë që humbja e tij të mos jetë drastike dhe fatale.
Por më të qartë tani këtë e kanë vetë socialistët. Ndaj, në mënyrë që t’i qetësojë ata, ai duhet t’i sqarojë menjëherë, se çfarë e detyroi në të vërtetë të ndërrojë mendje për reformën e vulosur në ambasadën e SHBA dhe të përshëndetur nga BE dhe Sekretari Amerikan i Shtetit?
Përndryshe , ky ndryshim kursi i papritur kundër Perëndimit, është një provë që vërteton idenë që po qarkullon se Perëndimi është angazhuar prej dy vjetësh në një ‘konspiracion’ të madh për largimin e tij, duke çuar kështu një mesazh tejet helmues dhe demoralizues në venat e mbështetësve të PS.
Dhe duke llogaritur degradimin e rëndë ku ndodhet PS, kjo do të ishte fatale për të.