A është e përfshirë Kamorra në futjen e lëndëve të rrezikshme në Vlorë?
Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet pasi më 20 shkurt u bllokuan në tragetin që vinte nga Italia në port fuçi, ku dyshohet se ka lëndë të rrezikshme. Inspektorët e Shëndetit Publik kanë marrë kampionë për të përcaktuar llojin e lëndës që gjendet në fuçitë e zbuluara në traget dhe në ato të gjetura në një ambient në lagjen Çole.
Ndërkohë deri tani ekspertët kanë përcaktuar se pjesa tjetër jashtë fuçive është lëndë e rrezikshme amiant. Lënda e rrezikshme është sjellë dhe do të groposej sipas të njëjtës skemë të përdorur nga Kamorra në Itali. Gjashtë të arrestuarit bëjnë pjesë në një grup të strukturuar kriminal, ku gjashtë prej tyre u arrestuan në flagrancë.
Përmes kontratave mes një agjencie udhëtimi, një agjencie pastrimi dhe një tjetre për asgjësimin e plehrave, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke u kamufluar dhe duke futur lëndë helmuese në territorin e Shqipërisë.
Prokuroria e Vlorës ka thirrur me urgjencë këtë të premte inspektorët e Shëndetit Publik, inspektorë të mjedisit dhe specialistë të lëndëve të rrezikshme edhe nga Ministria e Mbrojtjes, për të përcaktuar se çfarë lloji është lënda helmuese në fuçi.
Në Itali, organizata e fuqishme Kamorra është e përfshirë në groposjen e lëndëve të rrezikshme. Janë zona të tëra, të cilat mafia italiane i ka përdorur për të groposur këto lëndë, të cilat vinin nga shtete të ndryshme evropiane.
Ata fitonin shuma të mëdha, por arrinin të zhduknin lëndët, duke i groposur ato, e duke kthyer në rrezik të madh për ambientin dhe njerëzit që jetonin.
Frika është e madhe se mos kjo organizatë është e përfshirë edhe me të arrestuarit, pjesë e një grupi kriminal në groposjen e lëndëve të rrezikshme, duke sjellë kështu edhe helmimin qytetit dhe vlonjatëve. Prokuroria vazhdon hetimet, ndërkohë që është ende herët për të përcaktuar sasinë e lëndëve që mund të jenë sjellë në qytet nëpërmjet tragetit, nga Italia.
Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se dy kompanitë ”Delfini 1” e cila ishte dhe urdhëruesja si dhe ”Kormuzi” kishin kryer të paktën 15 importime të tjera nga Italia drejt Shqipërisë. Një raportim mjaft shqetësues ky.
Gazeta Shqip