“Agnus Dei” fiton çmim në Chicago

Në edicionin 2017 të “Illinois Independent Film Festival”, që ka përfunduar mbrëmjen e martë në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar e regji të Agim Sopit, ka fituar Çmimin e regjisorit më të mirë Best Director.

“Agnus Dei” shfaq dramën e një lloj Edipi të ditëve tona. Drama tronditëse shtjellon fatin e Petri, një të riu rreth të tridhjetave, i cili bën një jetë të dëshpëruarish me të ëmën, Maria dhe burrin e saj, Stojanin në një fshat në Serbi. Petri ka lindur në Kosovë nga një “dashuri e ndaluar” mes nënës së tij, Mari dhe babait shqiptar, Dinit.

Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Petri cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkojë në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësitë ushtarake në luftën e Kosovës.

Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë e vet, Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njohë. Duke mos mundur të durojë krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijën e Dinit, Marien dhe ikën.

Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjatë raporteve të tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë biologjik dhe se është dashuruar me motrën e tij. Duke mos mundur ta përballojë dramën e papritur, ai i merr vetes jetën.

Filmi “Agnus Dei”, i cili deri më tani i ka sjellë Kosovës 86 çmime kinematografike, ditët në vijim do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Meksikë e Evropë.  “Agnus Dei”, gjatë muajit gusht, do të ketë nderin të hapë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Pekin të Kinës, festival që cilësohet si më i rëndësishmi në shtetin më të numërt të botës.

SHKARKO APP