Aksioni diplomatik i dëbimit të diplomatëve rusë

Nga Avni Xhelili

Këto ditë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe një pjesë e mirë e shteteve europiane u solidarizuan me Britaninë e Madhe për çështjen e ish-zbuluesit ushtarak rus Sergei Skripal, i cili së bashku me vajzën e tij gjenden të helmuar në spitalin e qytetit anglez Solsberi. S. Skripal ishte dënuar me burg për spiunazh nga autoritetet ruse dhe më pas, duke përfituar nga një falje e presidentit, del nga burgu dhe largohet për në Angli.

Kryeministja britanike, Tereza May, ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në “çështjen Skripal”. Sipas britanikëve, Sergei Skripal dhe e vajza, Julia, u helmuan me agjent kimik neuro-paralitik A-234 “Noviçok”, prodhim i kohës sovjetike. Moska e ka hedhur poshtë këtë akuzë në adresë të saj, të cilën më se një herë e ka quajtur “provokim pa prova”. Burim i lëndës helmuese për autoritetet ruse mund të jenë edhe vende të tjera, madje edhe vetë Britania e Madhe, përndryshe nuk mund të identifikohej se ky ishte agjenti “Noviçok”. Moska e ka akuzuar Londrën edhe për mosbashkëpunim në hetimin e incidentit. Kërkesës së ministrit të jashtëm rus, S. Lavrov, për dërgimin në Rusi të kampionit të agjentit kimik dhe të provave të tjera të nxjerra nga hetimi, pala britanike nuk i është përgjigjur.

Duke akuzuar Rusinë për helmimin e tyre, Britania e Madhe deklaroi dëbimin e 23 diplomatëve rusë. Krahas vendeve të tjera, kësaj akuze iu bashkua edhe Shqipëria, e cila gjithashtu shpalli të padëshirueshëm dy diplomatë rusë, ndërkohë që disa vende europiane nuk u solidarizuan me këtë aksion diplomatik, si: Austria, Irlanda, Belgjika, Bullgaria, Greqia, Portugalia, Malta, Sllovenia, Sllovakia e ndonjë tjetër.

Mendoj se motivet e solidarizimit me aksionin diplomatik për dëbimin e diplomatëve rusë nuk janë të njëjta për të gjitha vendet. Vendimi i qeverisë shqiptare për dëbimin e diplomatëve rusë ishte i një hap i sforcuar, i vështirë, i detyruar. Si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që pret së afërmi çeljen e negociatave me BE, Shqipëria mbështeti aksionin diplomatik masiv për shpalljen non grata të dy diplomatëve rusë, duke u barazuar në numër me Italinë, Spanjën e ndonjë vend tjetër që kanë ambasada shumë herë më të mëdha se Shqipëria.

Për një lexues të zakonshëm, ndoshta, dy diplomatë nuk janë shumë, por në rastin e një kundërpërgjigjeje simetrike të Rusisë, për Shqipërinë, që ka një numër të kufizuar diplomatësh në shumë ambasada, dëbimi i dy diplomatëve tanë nga Moska, pothuajse e paralizon misionin diplomatik të ambasadës sonë atje. Jo pak vende (Suedia, Rumania, Finlanda, Kroacia, Estonia, Lituania etj) me një numër më të madh diplomatësh nëpër ambasada se ne, dëbuan vetëm një diplomat. Shembullin e këtyre shteteve mund të kishte ndjekur edhe vendi ynë dhe, besoj, se askush nuk nuk do të na qortonte, pse një dhe jo dy.

Vendimi i qeverisë shqiptare për largimin e dy diplomatëve është bërë këto ditë objekt i shumë shkrimeve dhe analizave në median e shkruar dhe atë elektronike. Janë shprehur mendime pro këtij vendimi e kundër tij, dhe kjo e natyrshme. Bëhet fjalë, gjithashtu, për një lloj rreziku rus në Ballkan e Shqipëri, për influencë ruse etj. Mundohem “ta kuptoj” kryeministrin tonë, që rrezikun rus e paraqit para evropianëve si një gogol, të cilit duhet t’i frikemi, nëse mbetemi jashtë BE. Por nuk arrij të kuptoj ndonjë analist, i cili e sheh të ashtuquajturin rrezik rus te studentët shqiptarë që studiojnë në universitetet ruse me bursë ruse ose kundrejt pagesës. Këta studentë etiketohen si “ushtarë të Putinit” që rrezikojnë Shqipërinë.

Një mentalitet i tillë të kujton vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur regjimi i kohës burgosi ose vrau specialistë të ekonomisë, ushtrisë, naftës etj. vetëm pse ishin arsimuar në BRSS. Me sa di, në Rusi studiojnë rreth 100000 studentë të huaj, por nuk kam dëgjuar që shkollimi i tyre në Rusi t’u ketë krijuar probleme vendeve të tyre. Vetëm ne kemi këtë problem dhe vetëm me Rusinë. Fjala vjen, pse analistët nuk shqetësohen për studentët tanë në vende të tjera, ku arsimohen në shkolla civile, ushtarake, fetare etj. Ndonjë shqetësim ka pasur, por analistët nuk janë ndjerë.

Dëbimi masiv i diplomatëve të njëri-tjetërit nuk mund të jetë një aksion diplomatik simbolik, sepse ato e vështirësojnë punën. Aksione të tilla diplomatike, ku më shumë e ku më pak, kanë karakter demonstrativ, siç është edhe rasti i dëbimit të diplomatëve rusë nga shumë vende.

Ato mund të jenë të tilla, sa kohë që pala tjetër, në rastin më të mirë, përgjigjet në mënyrë simetrike. Pala ruse ka deklaruar se kundërpërgjigjja e saj do të jetë e tillë dhe kjo të lë të kuptosh se palët kanë mundësi për t’u marrë vesh midis tyre. I tillë është rast i 2-3 ditëve më parë, kur Gjermania lejoi ndërtimin dhe shfrytëzimin e gazsjellësit “Rrjedha e Veriut” në një zone ekonomike ekskluzive të saj (Deti Ballktik). Varianti më i keq do të ishte, sikur reagimi i palës tjetër do të ishte asimetrik, jostandart. Do të krijoheshin premisat për kthimin e Luftës së Ftohtë, për kthimin te gara e armatimeve etj.

Do të ishte mirë që kanalet e komunikimit me Rusinë të mbahen të hapura për shumë arsye. Është vend i madh me potenciale të mëdha njerëzore, kulturore, pasurore.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Moskë, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Rusi”

SHKARKO APP