‘Alpin Fest Valbona’, eventi turistik që pushtoi bjeshkët me këngë e valle të krahinës

 Zgjati deri në fundjavë hareja e -Alpin Fest Valbona- që  është një aktivitet mbarë kombëtar për të festuar ditët alpine dhe u  organizua me nismën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në bashkëpunim me Shoqatën Dajti Alpino Turistik, dhe me Shoqatën Bjeshkëtare Pashtriku nga Gjakova  që u zhvillua në qendër të Valbonës pranë bujtinës “Tradita” të fisit Selimaj.

Alpin Fest ishte një event tre ditor që zgjati deri të dielën 9 korrik, në të cilin njerëz nga treva të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj u mblodhën së bashku.

Qëllimi i këtij aktiviteti të gjerë është ti bashkojë të gjithë dashamirësit e natyrës me moton “në mal dhe të gjithë për malin”. Gjithashtu të krijojë mundësinë e këmbimit të eksperiencave të shoqatave dhe grupeve të ndryshme për natyrën, promovimin e traditës, turizmit, promovimin dhe nxitjen e aktiviteteve sportive që lidhen me natyrën e malin si alpinizëm, ecje në natyrë, ngjitje në mal, ngjitje në shkëmb, etj.

Valbona këto ditë u bë një stacion i rëndësishëm takimi mes alpinistësh, bjeshkëtarësh, dashamirësve të natyrës, njërëzish pasionantë të sporteve që kanë lidhje me malin dhe natyrën nga të gjitha trevat mbarë kombëtare e jashtë saj për t’u takuar e zhvilluar aktivitete sportive me qëllim të socializimit dhe krijimit të lidhjeve të forta sportive e miqësore.

Specialitët e AdZM Tropojë gjatë gjithë kohës ishin prezent për dhënien e ndihmës dhe asistencës. / ATSH /

SHKARKO APP