Ambasadori sjell shembullin e Kinës: Po në Shqipëri kush është “gjenerali” për koronavirusin?
Koronavirusi është afruar fort vendit tonë edhe pse zyrtarisht thuhet se nuk ka asnjë të prekur. Italia fiqnje numëron 2 viktima, dhe 53 të prekur. Sot u bë i ditur plani i masave dhe caktimi një vendi, karantinë për raste të mundshme. Sakaq është hapur debati nëse vendi ka kapacitete të mjaftueshme dhe laboratore për të bërë analizat e per këtë virus.
Pikërisht në këtë situatë ka reaguar edhe ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja. Ai thotë se Kina ka marrë një shkencëtar që drejton operacionin kërkimor për koronavirusin, ndërsa ngre pyetjen për qeverinë shqiptare nëse ka një person kompetent për të menaxhuar situatën në rast se koronavirusi prek Shqipërinë.
Statusi i plotë i Belortajës
Ky është “gjenerali” që drejton sot operacionin kërkimor ndaj epidemisë në Kinë. Pulmonologu dhe epidemiologu Zhong Nanshan njihet si hero i luftës kundër SARS-it ne 2003, i votuar si një nga 10 shkencëtarët më të mëdhenj të Kinës (2010) pa hezituar edhe të kritikojë kur e desh puna.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit e gjeti dhe e vuri në krye të grupit të ekspertëve që vrapojnë në një garë kohe kundër Koronavirusit COVID-19.
Si 1-shi i asaj pune atij i është lënë edhe mikrofoni i zëdhënësit te asaj lufte!
E kush më mirë se ai mund të shpjegojë?
Pyetja tani është: E kemi ne një të ngjashëm?
S’ka rëndësi edhe nëse s’është tamam ky kalibër.
A e njohim ne më të mirin e kësaj fushe?
Ta thërresim, ta vemë në krye të një bordi special parandalues, t’i japim rrogë 5-fishe, ta lemë ta zgjedhë vetë skuadrën e ekspertëve, të flasë e japë porosi kompetente, urdhra ekzekutivë për aeroportin, terminalet, avionet e tragetet, spitalet, konçensionet, përfshi edhe urdhra me efekt të fortë… buxhetor. Mos hezitojmë për punë moshe: Zhong Nanshan i ka mbushur me kohë 83 vjeç.