Arbitri ndërkombëtar për detin, një thikë e domosdoshme me dy presa

Nga Skënder Minxhozi –

Ka një lojë pasqyrash në debatin për marrëveshjen detare mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një nga ato situata iluzive dhe të vështira për t’u shquar saktë dhe për t’u kuptuar dhe zbërthyer në të gjitha detajet e tyre. Fjala vjen, ajo që fillimisht u pa si një akt force i Edi Ramës ndaj Mitsotakis, pra vizita tek “sulltani” Erdogan vetëm pak orë para vajtjes në Athinë, më pas u komentua nga mediat si një ndërmjetësim i mundshëm i kryeministrit shqiptar në sherrin më të fundit greko-turk për ishujt e Egjeut.

Ana tjetër e errët dhe e rrezikshme e pjesës tonë të diskutimit me grekët për detin, vjen nga precedenti i marrëveshjes së mëparshme të rrëzuar bujshëm nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Së treti, ujrat turbullohen edhe më tepër nga fakti që qeveria aktuale në Tiranë ka konsumuar një copë të mirë negociate me qeverinë Cipras, që sot nuk është më në fuqi në Athinë. Duke bërë që në kryeqytetin shqiptar të nisin spekulimet e zakonshme rreth faktit nëse ka ose jo një projekt-marrëveshje në fazë të avancuar me palën greke, apo thjesht gjithçka është rikthyer edhe një herë në pikën zero.

Në këtë aspekt të fundit duket se Edi Rama ka mësuar nga paraardhësit e tij demokratë. Teksa Berisha dhe Basha negocionin me qeverinë e Karamanlis në vitin 2009, duke marrë “hua” nga pala greke edhe hartat ushtarake mbi të cilat diskutoheshin kufinjtë detarë, qeveria aktuale ka deklaruar se do ta nisë procesin vetëm me praninë e një pale të tretë. Jo si Berisha, i cili pasi humbi në Kushtetuese me marrëveshjen që firmosi me dorën e Lulzim Bashës, hodhi idenë se mund të vijohej me një arbitrazh gjykatash. Jo. Rama ka hedhur idenë se tashmë deti mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të ketë një dëshmitar/këshilltar/arbitër. Një nocion ende për t’u përcaktuar, pasi format e asistencës në këtë drejtim janë të shumta.

Në vitin 2009 Shqipëria dhe Greqia diskutuan pa palë të tretë një marrëveshje që u cilësua nga Gjykata Kushtetuese si një akt që cënonte sovranitetin e Shqipërisë dhe integritetin e saj territorial. Ky dështim kishte brenda edhe standartin e ri që duhej të plotësonte negociata e radhës për këtë çeshtje. Dhe duket se parimi kryesor është që jo vetëm të gjenden kompromise delikate të natyrës politike dhe teknike, por edhe që gjithçka të zhvillohet në prani të një pale të tretë.

Siç na mëson historia, në vitin e largët 1984 Vatikani ndërmjetësoi me sukses një mosmarrëveshje territoriale dhe detare mbi Kepin Horn dhe ishujt Beagle, të pretenduara nga Argjentina dhe Kili. Papa Gjon Pali II ofroi të dërgojë përfaqësuesin e tij personal për të ndërmjetësuar, pasi ishin përhapur fjalë se junta argjentinase po bëhej gati për një pushtim ushtarak të këtyre territoreve. Vite më vonë, të njëjtën mënyrë zgjidhjeje do të përdornin Kroacia dhe Sllovenia, kur do të pranonin ndërmjetësimin e Havier Solanës, shefit të politikës së jashtme të BE, në një mosmarrëveshje detare. Një rol të tillë kanë luajtur gjatë viteve personalitete të njohura botërore si Ahtisari, De Melho etj. Precedentet në historinë botërore janë me dhjetra, në mos më qindra. Në këtë aspekt, debati shqiptaro-grek për detin me një palë të tretë si asistuese, është një masë preventive për të shmangur situata si ajo e vitit 2009, por edhe për t’i dhënë integritet dhe perspektivë të qartë procesit.

Duke propozuar një arbitër në bisedimet me Athinën, Edi Rama ka shuar që në pikënisje hamendjet dhe akuzat e opozitës apo të patriotëve të minutës së fundit, për shitje territoresh apo marrëveshje okulte në dëm të interesave tona shtetërore e kombëtare. Megjithëse Lulzim Basha deklaronte se Rama kishte vajtur tek idea e tij për detin, pra tek pala e tretë, ndryshimi i negociatës aktuale me atë të vitit 2009 është esencial. Një dekadë më parë palët negociuan mes tyre pa palë të tretë dhe vetëm kur Kushtetuesja në Tiranë rrëzoi marrëveshjen (e nënshkruar dhe duartrokitur solemnisht nga dyshja Berisha-Basha), hodhën si ide zgjidhjen e sherrit në arbitrazh ndërkombëtar.

Propozimi aktual i qeverisë shqiptare i del përpara kësaj ngatërrese potenciale dhe është një lëvizje mëse korrekte. Prania e një arbitri apo konsulenti të tretë e bën më të lehtë procesin, por njëkohësisht i jep atij një përmasë më komplekse. Nëse palët do t’ja besojnë vendimmarrjen një shteti, organizate apo personaliteti të caktuar, ato duhet të jenë të përgatitura që ta pranojnë ofertën  e tij. E cila, me gjasë, do të lerë shije të hidhur në gojën e njërës prej qeverive. Me futjen në lojë të një aktori të jashtëm, relativizohet pesha dhe roli i dy palëve në tryezë.

Shqiptarët dhe grekët duhet të jenë të përgatitur për këtë rrethanë, duke marrë përsipër të përmbushin kompromisin që do të arrihet. Të paktën kjo është ajo që ofron ndërmjetësimi ndërkombëtar në këto raste. Fjala vjen, nëse ndërmjetësi do ta merrte të mirëqenë tezën greke për shkëmbin liliput përballë Sarandës, ku pulëbardhat shkojnë për të hedhur glasat, duhet te jemi të përgatitur që të do të ishte edhe më e vështirë sesa sot, që të hidhej poshtë një qëndrim i tillë.  Kjo duhet llogaritur që tani.

SHKARKO APP