Artur Zheji: Sfida e shqiptarëve; “Vetvetja!”

Nga Artur Zheji –

Kam patur kohë të mendohem gjatë, apo të mendohem asfare, duke shijuar kënaqësinë e mosmendimit, por thjesht një kundrues e vëzhgues…

Është një lloj të jetuari që s’më pëlqen, por isha i detyruar dhe filloi të më pëlqejë, soditja e së përditshmes së gjermanëve. E thjeshtë në dukje por e hatashme në përmbajtje, apo në atë që mbiquhet produkti kolektiv. Krahasimi me ne shqiptarët? Krejt i pamundur.

Shqiptarët në Gjermani? Të mrekullueshëm shumica, të shkrirë në sfondin e pyjeve, liqeneve dhe të luleve të tyra pambarim.

Dhe të mendosh se aty, në tokën e gjermanit, nuk isha në formën time më të mirë, por syri nuk gabon dhe veshi nuk sajon dhe gjykimi punon horizontalisht, por saktë.

Dhe pashë me sytë e mendjes dhe jo vetëm, se gjermanët do të na gëlltisin në 10 vitet e ardhshme. Kanë nevojë ata për racën tonë, më së shumti kameleontike, e thënë ndryshe, për njerëz si ne, që marrin formën e ambientit ku gjenden dhe ndaj të cilit janë nevojtarë.

Duhet pra të kërrusemi mbi veten tonë dhe të vetëgdhëndemi, edhe kur na dhemb, edhe kur na duket se jemi mirë, kështu si jemi. Por në të vërtetë “Nuk Jemi”, nuk peshojmë asfare në vëmendjen e tyre të arsyeshme dhe të cilësishme.

Në të vërtetë nuk peshojmë për askënd, nuk na kap “radari” i tyre, jemi thjesht bartës të pacilësishëm, të disa Geneve të forta dhe të përmbytura nga talente dhe lashtësia, por vetëm kaq, sepse endemi në një gjendje pothuajse të egër dhe nuk jemi interesantë, paçka se vetëshijohemi për të tillë.

Jemi pasardhësit e Aleksandrit të Madh? Jemi pasardhësit e Trojanëve? Jemi pasardhësit e Pellasgëve? Ndoshta, ndoshta, ndoshta… por kjo nuk mjafton, është thjesht një fillim, për të këmbëngulur te respektimi i vetvetes. Por kaq.

Dhe kaq është vërtet shumë pak, ose aspak fare. Dhe me kaq pak sa kemi dhe sa jemi, jeta, hallet, nevojat, sëmundjet, vdekja, lozin me ne, ashtu si era me fijet e barit në një fushë të hapur… dhe prandaj kositemi, digjemi apo shkelemi, sepse mbetemi ca tufa shkurresh dhe ca fije bari dhe më së shumti, jemi një komb që ngjan me një pyll të sharruar anembanë… kryesisht nga Vetvetja!

Që vajton pemët e larta, të atij pylli që nuk është më dhe që mbijeton në përrallat që kujisin në shtjellat e fërshëllimës së erërave të forta që veç na përkulin…

SHKARKO APP