ATSH pjesë e platformës mediatike PNN

TIRANE, 28 Gusht/ATSH/- Agjencia Telegrafike Shqiptare është tashmë prezente me lajmet e saj në agjencitë më të mëdha të botës, si pjesë e një bashkëpunimi bilateral dhe intensive të vendosur gjatë kësaj periudhe.

Lajmet me reference ATSH-në, i gjen që nga agjencitë më të mëdha të Evropës si AFP, DPA, AGERPRESS e të tjerë, e deri tek agjencitë zyrtare të lajmeve të Kinës, Koresë së Jugut, Kuvajtit, Jordanisë, Armenisë e të tjerë.

Kjo ka mundësuar që zhvillimet më të rëndësishme politike, ato ekonomike, vlerat dhe resurset turistike të vendit tonë, traditat dhe elementë të spikatur të historisë dhe figurave shumëdimensionale që ka nxjerrë Shqipëria, të jenë pjesë e lajmeve që botohen nga këto agjenci.

Prej disa ditësh, ATSH është bërë pjesë e platformës mediatike PNN e cila është iniciuar dhe menaxhohet nga agjencia koreanojugore YONHAP.

Në këtë platformë mediatike sot janë të përfshira më shumë se 40 agjenci nga të pesë kontinentet dhe në bazë të marrëveshjes që është nënshkruar midis ATSH-së dhe YONHAP në nëntor të vitit 2015, është mundësuar kjo përfshirje.

Lajmet dhe fotot që botohen këtu vendosen në faqet e kësaj platforme direkt nga gazetarët e përkthyesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, duke mundësuar kështu jo vetëm transmetim të shpejtë, por edhe një hapësirë të madhe mediatike.

Nga kjo platformë kanë të drejtë të marrin lajme të gjitha agjencitë e përfshira dhe ky akses i krijuar është një mundësi më shumë që lajmet që i referohen Shqipërisë, të botohen nga të gjitha këto agjenci.

Platforma PNN është një platformë e re mediatike, por ajo po zgjerohet çdo ditë dhe po rritet interesimi për të qënë prezent këtu dhe për të komunikuar nëpërmjet kësaj.

ATSH me prezencën e saj të përditshme këtu me lajme , foto dhe video ka ridimensionuar në mënyrë shumë optimiste rolin e saj, veçanërisht në marrëdhëniet me agjencitë dhe shtypin e huaj në përgjithësi. /a.g/

SHKARKO APP