Balkan Film Market në Shqipëri, vendi jonë në hartën rajonale të industrisë së filmit

Balkan Film Market, ka startuar për herë të parë në Shqipëri që nga dita e hënë. Ky event përfshin vendin tonë në hartën rajonale të aktiviteteve të industrisë së filmit.

Me këtë rast Qendra Kombëtare e Kinematografisë në praninë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, ka organizuar forumin me krijuesit, kineastët dhe producentët nga gjithë rajoni i Ballkanit dhe Italia. Në ceremoninë e hapjes ministrja e kulturës ka folur rreth programit Creative Europe që mbështet filmat shqiptarë.

“Padyshim besoj që, nëse Europa krijuese ka arritur të japë për artistët shqiptarë, përmes projekteve të ndryshme, mbi 700 mijë euro, kjo është meritë e artistëve shqiptarë dhe vetëm e tyre”, tha Kumbaro. Ndërsa drejtori i Qendrës Kombëtare të Filmit Ilir Butka, përmendi interesin e Shqipërisë në bashkëprodhime rajonale dhe me Italinë, përmes Anica Film dhe Apulia Film Comission.

“Dua të falenderoj për prezencën përfaqësuesin e partnerëve tanë dhe do të donim të vazhdonim me ta më tej bashkëpunimin”, tha Butka.

Eventi është cilësuar, “Market” dhe jo festival, sepse bëhet fjalë për derdhjen e fondeve në kinemanë shqiptare, jo vetëm nga Italia që këtë vit është partneri kryesor, por edhe nga qendrat e Ballkanit e më gjerë.

Një nga financuesit është edhe Roberto Stabile nga Italia,i cili tha: “Përmes fondacionit tonë do të bëhet një investim me rëndësi në ndihmë të autorëve të filmit dhe që më pas artistët shqiptarë të kenë mundësi të jenë pjesë e eventeve të mëdha kinematografike. “Ky është një kontribut që e bëjmë me kënaqësi për të ndihmuar në rritjen cilësore të industrisë së filmit shqiptar”, tha Stabile. Ballkan film Market do të vijojë në Tiranë deri më 7 Tetor. /a.g/

SHKARKO APP