Barra historike e opozitës!
Nga Armand Maho
Shqipëria ndodhet në emergjencë. E rrënuar, e mpakur, e vjedhur, e abuzuar të sjellë ndërmend vitet e para të pluralizmit. Rilindja, po shkakton një shkretëtirë ekonomike e njerëzore. Resurse që po shterojnë nga PPP pa kriter, taksa që ngrihen vend e pa vend, troje që zaptohen nga kullat që ndërtohen me para që s’dihet se nga vijnë. Varfëri që shtohet. Ata që dje mund të kategorizoheshin si shtresë e mesme, sot janë të varfër dhe të varfrit po shkojnë drejt mjerimit. Shoqëria është ndarë më dysh, ku shumica janë të varfër, dhe një grusht njerëzish zotërojnë pasurinë e 90% të shqiptarëve. E gjithë kjo shoqërohet me një propagandë bajate, të stërmundimshme me skënderbej imagjinarë, që ofendojnë keq inteligjencën e gjithsecilit.
Opozita, do apo s’do ka një mision historik. Ajo medoemos duhet të rrëzojë këtë sekt që ka marrë peng jetën e çdo individi në këtë vend. Rruga është vetëm një dhe e pakthyeshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për rikthim shprese, siç mundohet të proklamohet. Edhe kjo, por situata është akoma më e vështirë. Beteja e 25 prillit, është betejë për jetë a vdekje, betejë ekzistence. Një katërvjeçar tjetër i Ramës dhe i rilindjes së tij në krye të qeverisë, pa e ekzagjeruar mund të themi, se nuk rrezikon vetëm të ardhmen e çdo shqiptari në këtë vend, por edhe bukën e fëmijëve të tyre.
Përgjegjësia historike e opozitës është të dalë në çdo cep të vendit të trokasë te të pakënaqurit edhe te votuesit e majtë, ata nostalgjikët e komunizmit që vihen në radhë për të votuar pa u hapur qendrat e votimit. T’i tregojë se një votë tjetër për Ramën dhe shqytarët e tij do jetë fundi dhe për ta. Do i lërë të vetmuar, pa bij e pa nipër. Të mbrojë votën e shqiptarëve, e cila parashikohet të jetë revoltë kundër pushtetit. Të trokasë te biznesi i vogël e i madh që është në luftë të përditshme me oligarkët, për të shpëtuar investimin e një jete. Te të gjithë ata që kanë humbur vendet e punës, që janë të pamundur të kenë një strehë për shkak se çmimet e shtëpive rriten sipas oreksit të krimit të organizuar që investon në ndërtime. Duhet ta thotë qartë se të gjithë shkaktarët e këtij rrënimi kanë vetëm një vend që i pret hapur: qelia.
Të rrëzosh Rilindjen nuk është barrë e lehtë dhe kohë nuk ka. Rama ka angazhuar të gjithë makinerinë elektorale, dhe jo vetëm propagandistike. Po kërcënon punonjësit e administratës me bukën e gojës, po riangazhon strukturat e krimit të organizuar, ka hedhur në sulm drejtorët që i ka fryrë me para publike. Ka në dorë drejtësinë, policinë, pushtetin lokal. Një armatë e tërë që e di fort mirë ku përfundon në rast se ndërrohet pushteti, pasi e dinë mirë se çfarë kanë bërë. Kjo situatë nuk kërkon thjesht një program ose denoncime sporadike. Kërkon frymë, uragan votash që të tejkalojë çdo lloj manipulimi që po përgatitet qoftë me Kodin Zgjedhor, qoftë me urdhrat politikë. Kjo duhet të kthehet në qëllimin parësor për opozitën, pa menduar se si do ndahet tava e pushtetit. Sikterisja, largimi me çdo lloj forme, i këtij sekti do jetë nderi historik më i madh që mund t’i bëhet këtij vendi.
/Mapo.al