Berat, 4-fishohet numri i vizitorëve nëpër muze

Muzetë e Beratit vazhdojnë të tërheqin interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Sipas Qendrës Kombëtare të Muzeve, Berat, në periudhën janar – gusht të këtij viti, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik u vizitua nga 19 668 turistë kundrejt 4 362 turistëve të së njëjtës periudhë të vitit 2013 (mbi 4 herë më shumë). Po ashtu gjatë kësaj periudhe u realizuan 3 438 720 lekë të ardhura nga 737100 lekë në vitin 2013 (rreth 4.5 herë më shumë).

Për tu theksuar mbetet rritja e numrit të vizitorëve të moshës 15-25 vjeç që zë 15  të gjithë vizitorëve.

Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike.

Ndërsa Muzeu Etnografik është organizuar në një prej shtëpive karakteristike dhe interesante të qytetit, me fondin e pasur të objekteve (mbi 1000 objekte muzeale) dhe përbën një nga dëshmitë e kulturës dhe traditës mjaft të pasur dhe mjaft interesante të trevës së Beratit.

SHKARKO APP