Bojkot Xhesikas e shoqeve të Xhesikas…
Nga: Albina Gjergji
Gjatë 3 muajve të fundit, për arsye edhe personale kam pasur kohë mjaftueshëm për të “lundruar” nëpër internet. Aq sa, pa frikë mund të them që s’më ka shpëtuar asgjë – sidomos shqiptare – pa lexuar. Pak nga halli e pak nga kurioziteti i titujve që më dilnin përpara kam përpirë aktualitet politik, sport, kulturë, dossier, kronikë të zezë, por… sidomos “rozë” të ndezur.
Duhet ta them me zë të lartë e jo vetëm ta mendoj, që për nga pompoziteti që mediat tona u bëjnë personazheve dhe fryrja e titujve, ne, gazetarët shqiptarë mbajmë vendin e parë në listën e teprive. Të paktën në rajon.
Sigurisht, ndonjëri nga ju mund të thotë, “nga e di ti me siguri” dhe me nënqeshje mund të pyesë, “po ti, s’ke vënë tituj që, gjoja intrigojnë lexuesin”?!
Nuk e mohoj!
Por, për ata që më njohin dhe kanë ndjekur punën time ndër vite e dinë mirë që gjatë gjithë jetës, në këtë rast profesionale, të paktën jam përpjekur të qëndroj larg ekzagjerimeve, transformimeve, sajesave, apo qoftë edhe të bërit personazh dikë, që sipas optikës sime nuk meriton të quhet i tillë. Por, po, nuk kam shpëtuar nga “virusi i telenovelës, Big Brother”, që dashje-padashje nga përfshirja emocionalisht e lexuesve në këtë format kërkonin detaje “rozë” dhe jua kam servirur. Kam shkruar.
Fatmirësisht në redaksitë, ku kam ushtruar profesionin tim nuk më është ndërhyrë në punë dhe për këtë nuk i falënderoj hiç botuesit e mi, pasi rregulli kështu e do që ta ketë, por edhe sepse u kam sjellë shumë personalitete që kanë nderuar faqet gazetës. Sigurisht, kam qenë edhe me fat për nga sektori që kam mbuluar, ai i kulturës dhe showbiz-it, i cili lidhet pak, herë-herë aspak me politikën. Por, a kam intervistuar personazhe më pak të rëndësishëm, duke ju dhënë hapësirë, fjala bie më shumë sesa atyre që vërtetë meritojnë një gazetë të tërë? Edhe këtë e kam bërë. Megjithatë, këtu nuk është vetëm faji im, pasi nuk mjafton vetëm dëshira e intervistuesit, por hyn në proces edhe vullneti i të intervistuarit, të cilët duke jua ditur vlerën vetes në shumë raste nuk kanë pranuar të ndajnë të njëjtin “cover” suplementi me ata “më pak të rëndësishmit”! E për këtë i përgëzoj, sepse fundja çdo artist ia cakton vendin vetes, jo vetëm në kopertinë.
Për t’iu rikthyer asaj çka thashë në fillim, që kam lexuar këto kohë më shumë sesa kam shkruar, ajo çfarë ma vrau syrin, nuk është as intervista e Gjebreas me të burgosurin e përjetshëm, Marjan Rroku – kanë shkruar kolegët edhe për mua – as sherri “live” në Opinion” mes Sazan Gurit dhe kryebashkiakut, Veliaj për ndërtimin e Parkut te liqeni, as triumfi i filmit “Shok”, kandidat për “Oscar”, (i cili ma zbuti disi zemërimin me mediat), por… Xhesika Ndoj. Një personazh, të cilin po e bëjmë të tillë pikërisht ne. Që nga i pari gazetar, që e “zbuloi” e merr përsipër t’i komentojë ngjyrën e të brendshmeve e deri tek pronarët e portaleve, të cilët në rivalitet mbushin hapësirat e web-it, me dëshirën e papëmbajtshme për sa më shumë klikime.
Këtë unë e quaj koha e mjerimit mediatik, jo vetëm e maskarenjve, siç do thoshte i madhi artist, Reshat Arbana. Koha, ku ajka e talenteve, bashkë me kalkun e gazetës po i thonë LAMTUMIRË vlerës për t’i dhënë imunitet antivlerës dhe… cicave të Xhesika Ndojt.
“Fotot nudo i bëra për t’u mbushur mendjen mosbesuesve, që unë nuk jam nën efektin e photoshop-it”, lexova Xhesikan që shprehej për “Story.al”.
Se kujt i intereson, nëse i ka të bëra, ose jo (Xhesika e shoqet e saj) gjoksin, buzët, mollëzat, trurin… apo çfarëdo pjese tjetër trupi, këtë e di vetëm ajo!
Dhe jam e sigurt që e di, sepse ka mësuar që sa më shumë të bësh “viktimën” , aq më shumë prononcime do të të kërkojnë gazetarët. Sa më shumë të komentohesh, aq më shumë do kesh kërkesa për koncerte “shalësh”. Është strategji e radhës kjo, që pasi ke dalë një herë në ekran të sajosh për veten sikur, “ataaaaa kanë thënë për mua”! E në fakt, në një kohë e vend, ku shumica dërrmuese e popullsisë vuajnë për një punë stabël e elementët bazë të jetesës, pikërisht për cicat e Xhesikas do ju dhembë. Sa e ka numrin e tyre dhe me kë ka fjetur mbrëmë, a e pranoi propozimin për shtrat të ministrit dhe a doli prej dollapit dashnori, që policia e alarmuar i gjeti në shtëpi?!
Në këtë rast duhet thënë, jo “QuoVadis oj Xhesikëëëëëë”, por “ku të çon mushka”, se as ia ndjen njeriu çfarë ha, ku pi dhe me kë fle! Nuk i intereson as bariut në zonat më të thella malore,të cilit nuk i vjen era bajgë nga puna me delet, por ndryshe nga pseudo-artistët mbajnë era dinjitet. Prandaj BOLL, mjaft “kënduat”, domethënë pëllitët dhe “sajuat” për veten.
Por, deri diku nuk ke faj ti. Jemi edhe ne fajtorë, përsa kohë u bëjmë lakim bombastik vitheve të tua.
Ka disa muaj që kam zgjedhur një mënyrë, deri tani krejt personale të të trajtuarit të personazheve dhe me bindje në formë kërkese e them, që për të parandaluar shumimin e “virusit” Xhesika dhe shoqet e saj “këngëtare”, ne gazetarët duhet të bëhemi një fjale që të mos shkruajmë më për to. Asgjë personale me ty Xhesika, por vetëm duke u dhënë BOJKOT disa personazheve si ty (që s’thonë asgjë) mund të besojmë që kemi bërë diçka pozitive për kohën tonë. E kjo është kohë krize mediatike, të cilën mund ta ndihmojmë bashkërisht për ta nxjerrë nga bataku ku ka rënë po nëpërmjet internetit, por duke e përdorur siç duhet, të paktën sitën e personazheve (edhe ato të showbiz-it). T’u japim më shumë hapësira artistëve që kanë lënë shenjë në jetën tonë e kulturën e vendit, fakt për të cilin fëmijët tanë do na jenë mirënjohës nesër. Të kthejmë kokën nga artistët me A të madhe, tek promovimi i talenteve të reja, por edhe tek vlerat me të cilët u rritëm si, Tinka Kurti, Robert Ndrenika, Dhimitër e Roza Anagnosti, Mirush Kabashi, Fadil Kraja, Nexhmije Pagarusha, e shumë të tjerë. Duhet të ndjehemi me fat që janë ende mes nesh.
Bojkot Xhesikas e shoqeve të Xhesikas…