Brenda depos së re të barnave në QSUT
Depoja e re e barnave, e projektuar në vitin 2018, përfundon brenda këtij muaji dhe ka një sipërfaqe prej 2680 metrash katror. Është një investim prej 271 milionë lekësh i qeverisë shqiptare, që do të garantojë cilësinë dhe sigurinë e barnave që do të magazinohen në të.
Në një intervistë për ERTV, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa prezantoi këtë investim, tha se depoja do të jetë e pajisur me 6 dhoma frigoriferike me temperaturat e përcaktuara, dhe një sallë të pajisjeve ultramoderne për përgatitjen specifike të tretësirave dhe kombinimeve të barnave siç janë trajtimet me kimioterapi që kanë nevojë të kenë parametra të përcaktuara të përgatitjes së tyre.
Sipas Manastirliut, ndërtimi i një strukture të tillë, ishte i nevojshëm për të garantuar cilësinë e barnave në kushtet kur qeveria ka rritur financimet për furnizimin me barna të qendrës më të madhe spitalore në vend. Në katin përdhe të depos do të jenë 6 dhoma frigoriferike të cilat do të jenë për ruajtjen në temperaturë 2 deri në 8 gradë të barnave dhe një dhomë frigoriferike për ruajtjen në temperaturë -20, -25 gradë të reagentëve të ndryshme.
Depoja krijon premisat gjithashtu që edhe në kuadër të paktit universitar, studentët e farmacisë të kenë mundësi që të bëjnë praktikat në një strukturë të standardeve europiane dhe të kenë mundësinë të zhvillojnë në praktikë, dijet që ata kanë marrë në teori