Bukuritë shqiptare nga veriu në jug nën penelin e Pashk Përvathit
Piktori Pashk Përvathi ka çelur ekspozitën personale “Shqipëria Vend i Bukur” në Muzeun Historik Kombëtar. Në ekspozitë janë të ekspozuar 60 vepra në gjininë e peizazhit. Tematika e veprave është “Bukuria Shqiptare” e ardhur në këndvështrimin dhe penelatën e autorit Përvathi.
Në ekspozitë hasim vepra nga veriu në jug, nga alpet e veriut në bregdetin e Jonit, nga lagunat e Vainit e Divjakës në kodrinat e Vithkuqit e Leskovikut, nga pullazet e Beratit në ato të Gjirokastrës e Korçës, nga lumi i Erzenit në atë të Matit, nga vjeshta e Polenës në atë të Valbonës, nga liqeni i Shkodrës në atë të Pogradecit.
Sipas piktorit të njohur Pashk Përvathi në një farë mënyre kemi një Shqipëri në miniaturë e ardhur përmes ngjyrës. “Veprat janë të gëzueshme dhe të realizuara direkt në plenerin e natyrës”, pohon piktori Përvathi. Piktori nëpërmjet ngjyrës ka zbuluar të bukurën edhe në ato vende, ku natyra sot është dëmtuar.
Në vepra ndjehet dashuria e artistit për vendin e tij. Veprat e ekspozitës janë realizuar në harkun e 5 viteve të fundit. Kjo është ekspozita e 39-të e piktorit Pashk Përvathi. Shqipëria në miniaturë e Pashk Pervathit, do të qëndrojë e hapur deri më datë 8 tetor në Muzeun Historik Kombëtar. /a.a/ /a.g/