“Burrat hekurosin” në Prizren

FEMaktiv do të prezantohet me performancën publike “Burrat hekurosin”, ku nëpërmjet kësaj performance publike synon t’i sfidojë rolet tradicionale gjinore, shkruan KultPlus. Kjo performancë do të mbahet më 8 korrik, në ora 13:00 përpara Lidhjes së Prizrenit në Prizren dhe sipas organizatorëve, kjo performancë organizohet si një thirrje për ndryshim, pasi sipas tyre ndarja e punëve të shtëpisë në Kosovë nuk bëhet në mënyrë të barabartë mes grave dhe burrave.

“Përveç kësaj, punët e shtëpisë ende vazhdojnë të perceptohen si obligime që i takojnë vetëm grave. Andaj, nëpërmjet kësaj performance publike FEMaktiv synon t’i sfidojë rolet gjinore, duke e dhënë mesazhin që punët e shtëpisë nuk janë obligime që i takojnë vetëm grave. Punët e shtëpisë janë obligime që duhen të ndahen në mënyrë të barabartë në mes grave dhe burrave – pa dallim gjinie. Arritja e barazisë gjinore në jetën private është e domosdoshme për arritjen e barazisë gjinore në jetën politike dhe publike duke i dhënë fund stereotipeve gjinore. Iniciativa FEMaktiv i fton të gjithë qytetarët që të bashkangjiten në këtë performancë pubike, e cila ka për qëllim sfidimin e roleve tradicionale gjinore”, thuhet në njoftimin e organizatorërve.

SHKARKO APP