CIA: Komunistët nxitën përçarjen me Kosovën, ja kush bashkëpunoi me Dushan Mugoshën dhe si u vra Miladin Popoviç

Për amerikanët, fajtor është Enver Hoxha që sot Kosova është e ndarë nga Shqipëria. Përmes një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si rrodhën ngjarjet pasi kapitulloi Gjermania naziste. Në dokument thuhet se komunistët erdhën në pushtet duke nxitur përçarje mes Shqipërisë e Kosovës. Nga ana tjetër, tregohet se pas gjithçkaje fshiheshin Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç. Por tregohet e si u vra ky i fundit dhe trupi u ekspozua në mes të qytetit.

Janar 1953

Minoriteti shqiptar në Jugosllavi

Serbia mundi rezistencën e Kosovës me anë të forcës së partizanëve nga Shqipëria

Minoriteti shqiptar në Jugosllavi përbëhet nga një popullatë prej rreth 900.000 banorësh që jetojnë në Kosovë, në Malin e Zi dhe në perëndim të Maqedonisë. Kosova është teorikisht një krahinë autonome e Republikës së Serbisë, e cila edhe ajo është pjesë e federatës së Jugosllavisë. Me shtimin e Metohijes në Kosovë, rajoni mori emrin administrativ jugosllav Kosmet, i cili ka zyrtarisht 750.000 banorë, rreth 85 për qind e të cilëve janë shqiptarë etnikë. Në kohën e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë në konferencën e Londrës në 1913, Kosova iu dha Serbisë, dhe shumë shqiptarë të rajonit u larguan në jug për në Shqipëri. Këta u strehuan kryesisht në krahinën e Krujës, Mamurrasit, Fusha e Mbretit (Elbasan), në Myzeqe dhe lokalitete të tjera. Të tjerë u përzunë nga serbët, mes të cilëve dhe familja Bllaca dhe familje fisnike katolike. Priftërinjtë Shtjefen Kurti, Gjon Bicaku, Mikel Shala arritën të shpëtonin jetën e tyre duke u larguar për në Shqipëri në vitin 1929. Në këtë kohë qeveria shqiptare dërgoi një notë proteste në Ligën e Kombeve (tanimë OKB) në lidhje me vrasjen e Atë Shtjefen Gjecov, e cila është përshkruar në një libër të Dr. Vasfi Samimi, të publikuar në Tiranë në 1943. Autoritetet jugosllave përfituan nga analfabetizmi i masave shqiptare dhe nën pretekstin se ishin turq dhe të fesë myslimane, i mohuan atyre të drejtën të flisnin gjuhën dhe të ruanin traditat kombëtare apo patriotike. Serbët i detyruan shqiptarët të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe në to u vendosën serbë dhe malazezë. Më prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia dhe shqiptarët që jetonin në kufijtë e vitit 1913 të Shqipërisë së lirë nisën të luftonin pushtuesit prej ndjenjës së tyre të patriotizmit dhe dëshirës për liri. Situata e shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftës ishte krejt ndryshe. Ata ishin nënshtruar nga Jugosllavia, prandaj pushtimi italian e gjerman ishte një çlirim për ta. Por gjurmët e thella të zgjedhës jugosllave do të mbeteshin për vite me radhë. Në vitin 1941 kur gjendja e kosovarëve kishte arritur pikën më të keqe, Kosova u shpëtua dhe u bashkua me Shqipërinë. Grupe mësuesish dhe zyrtarësh administrate u dërguan në Kosovë nga Shqipëria në vitet 1941 e 1942. Zyrtarët e kuptuan gjendjen dhe ndjesitë e kosovarëve dhe zbutën disi urrejtjet dhe dëshirën e tyre për hakmarrje, duke rivendosur barazinë dhe të drejtat e tyre në lidhje me ato të serbëve dhe malazezëve. Nga viti 1941 deri në 1944 sllavët mbajtën postet e tyre në administratë por shumë prej tyre u larguan nga vendet e punës pasi ishin pasuruar tashmë në kurriz të skllevërve shqiptarë. Gjatë pushtetit shqiptar në Kosovë, serbët dhe malazezët kishin mbrojtjen e gjykatave kundrejt abuzimeve të shqiptarëve, të cilat ndërhynin menjëherë në favor të tyre. Për shembull në vitin 1944 një kosovar vrau një serb në Prizren për gjakmarrje, por vetë komandanti Xhafer Deva urdhëroi që vrasësi të ekzekutohej në po atë vend ku kishte kryer vrasjen.

 

Përçarjet

Komunistët e rezistencës në Shqipëri nisën të arrinin suksese me anë të intrigave mes intelektualëve shqiptarë dhe me anë të sloganeve patriotike apo citateve komuniste për “të drejtat e punëtorëve”. Ata propozuan që të gjithë shqiptarët të bashkohen me ta për të luftuar imperializmin nazifashist dhe nisën një fushatë intrigash dhe përçarjesh mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, të nxitur nga agjentët jugosllavë brenda partisë komuniste. Të dërguarit komunistë nga Shqipëria u pritën nga serbët e malazezët e Kosovës, të cilët i bindën komunsitët shqiptarë se kosovarët ishin fanatikë fetarë. Minoriteti serbo-malazez në Kosovë ka pasur tendencë të besonte te komunizmi. Komunistët mes tyre përfituan rezultatet e punës së tyre në 1942 kur nxitën shqiptarët të digjnin qytetin e Pejës. Në ditët e para pas çlirimit të Kosovës, ishin komunistët që pretendonin se ishin misionarë të nacionalizimit shqiptar, me qëllim me qëllim nënshtrimin e kosovarëve ndaj komunizmit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht sllavizmit. Pesëqind njerëz u vranë me armë zjarri dhe thika në sulmet e para të çetnikëve dhe më vonë nga partizanët. Liderët kryesorë komunistë ishin Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Xhevdet Doda, vëllezërit Nimani, Hysni Zajmi, Ismet Shaqiri dhe të tjerë. Në dimrin e vitit 1943 ka pasur masakra të mëdha të kosovarëve në Rozaj. Megjithë masakrat e çetnikëve dhe më vonë të partizanëve, kosovarët vazhduan rezistencën e tyre dhe luftuan kundër çetnikëve dhe partizanëve në Plavë, Guci, Rozaj, Tutinit, Mitrovicë, Gjilan, Raska dhe në lokalitete të tjera ku flitej shqip. Në vitin 1942 ata krijuar Lidhjen e dytë të Prizrenit, të drejtuar nga Bedri Pejani. Të gjithë shqiptarët iu përgjigjën thirrjes së Lidhjes dhe mbrojtën kufijtë e atdheut të tyre deri në ardhjen e ushtrisë sovjetike në Serbi. Lufta e kosovarëve ndaj komunistëve sllavë u inkurajua dhe nga gjermanët. Kosovarët e kishin bërë të tyren përpjekjen kundër komunistëve jugosllavë dhe u mbështetën nga grupe të Ballit Kombëtar shqiptar në qershor 1944. Por jugosllavët kishin arritur të infiltroheshin në Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe thuajse kishin drejtimin e saj. Kështu, kreu i komunistëve të Shqipërisë, Sali Boshnjaku, i cili ishte në fakt famëkeqi Dushan Mugosha, urdhëroi Enver Hoxhën, Mustafa Gjinishin, Omer Nishanin dhe të tjerë të shpalleshin si çlirimtarë të vendit, duke mbajtur të fshehtë drejtuesit serbë të partisë. Patriotët e vërtetë shqiptarë po e kuptonin se komunistët po merrnin kontrollin dhe meritat e rezistencës, duke përfituar dhe ndihmën e forcave Aleate, prandaj nuk patën zë në çështjen e Kosovës. Komunistët shqiptarë vendosën që për çështjen e Kosovës të diskutohej pas mbarimit të luftës, kështu që kosovarët mbetën të ngatërruar mes intrigave të dy mjeshtërve jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosës. Për kosovarët ishte e pamundur të përballeshin njëherësh me komunistët shqiptarë të drejtuar nga Enver Hoxha, si dhe me serbët, malazezët, çetnikët dhe bullgarët. Kosovarët luftuan me të gjitha fuqitë për pavarësinë e tyre, duke mbrojtur rendin dhe kufijtë deri në 1944. Në Kosovë erdhën rreth 20-30 grupe komuniste të Shqipërisë të cilët nuk bënë shumë për të prishur rendin publik, por vranë Atë Lorenco Mitrovici dhe një ushtar në Gjakovë, si dhe prishën disa linja telefonike.

Sllavët

Sllavët përdorën të njëjtat taktika edhe në Shqipëri. Popoviç dhe Mugosha kryesonin lëvizjen partizane shqiptare, por nuk dolën asnjëherë hapur si drejtues të saj. Ata e prezantonin veten si bashkëpunëtorë në lëvizjen nacionaliste antifashiste. Ata përdorën të njëjtat taktika për të përfituar nga Abaz Kupi dhe mbështetësit e tij në Shqipëri, dhe nga Gani Bej Kryeziu në Jugosllavi. Presioni ushtrohej nga të dërguarit e tyre Fadil Hoxha, vëllezërit Nimani, Ali Shyqyri dhe të tjerë. Në tetor 1944, Shefqet Peçi, komandant i divizionit të tretë të Shqipërisë, u takua me Fadil Hoxhën, komandanti i forcave për çlirimin e Kosovës. Ky i fundit kishte 80 luftëtarë, 20 nga të cilët i përkisnin Gani Bej Kryeziut. Kryeziu ishte prishur me komunistët prej vrasjes së këshilltarit të tij Llazar Fundo. Kryeziu u fsheh për disa kohë por u kap më 5 janar 1945 dhe 30 mbështetësit e tij u vranë. “Çlirimtarët e kombit” mblodhën firma që konfirmonin se Kryeziu ishte një tradhtar borgjez dhe i shitur te Karaxhorxheviç, ai u dënua me pesë vjet burg por më vonë u ekzekutua. Populli i Kosovës nuk kreu vetëvrasje, por e shkatërruan liderët e saj ambiciozë. Ajo iu përgjigj me entuziazëm thirrjes në ushtrinë e Shqipërisë, por u ekspozua ndaj sulmeve të çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë në kufij. Ndërsa ideologët vazhdonin teoritë e mashtrimit të masave me konceptet e rreme të propagandës së Kuqe. Me shembjen e aksit nazist, partizanët në Shqipëri ngritën kokën dhe hynë haptazi në skenën politike. Ndërsa për Kosovën ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore do të ishin deçizive. Në dhjetor 1944 brogadat partizane të Shqipërisë kishin pushtuar Prizrenin, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Pejën dhe thuajse të gjithë Kosovën. Pra Kosova u mund nga mendja serbe, por instrumenti i saj ishin partizanët shqiptarë të Enver Hoxhës. Kosovarët e urrejnë Enver Hoxhën, dhe ky fakt duhet mbajtur mend pasi prej tij mund të përfitohet në konflikte të ardhshme. Gjatë pushtimit jugosllav kosovarët dhanë gjakun në luftën kundër sllavëve dhe komunistëve. Edhe pse pushtuesit ishin italianët dhe gjermanët, kosovarët i kujtojnë ata me simpati sepse u dhanë lirinë për t’u mbrojtur nga serbët dhe komunistët sllavë.

Bashkimi

Nga viti 1941 kur Kosova u bashkua me Shqipërinë, dhe deri në 1944 kur komunistët sllavë morën kontrollin, serbët dhe malazezët u trajtuan me barazi. Vuajtje pësuan vetëm ata që ishin kundër regjimit dhe merreshin me intriga politike. Edhe rendi publik ishte i mirë, dhe serbët, shqiptarët e malazezët mund të udhëtonin në qytetet e Shqipërisë dhe tregtarët mund të shisnin apo blinin mallrat e tyre lirshëm. Nuk kishte kriza urie dhe dyqanet ishin të mbushur me produkte. Kostot e jetesës u ngritën gjatë luftës por kjo erdhi sepse qeveria shqiptare kishte hequr standardet e këmbimit në flori. Forcat nacionaliste kosovare që kundërshtonin komunizmin qëndronin në male dhe drejtoheshin nga Ymer Berisha, Mulla Idrizi e Luan Gashi. Në 1944 vullnetarët nacionalistë të Kosovës u mundën nga Brigadat e 5-të, e 7-të deh e 17-të e partizanëve të Shqipërisë, të drejtuara nga Shfeqet Peçi, i lindur në Mallakastër. T gjitha qytetet e Kosovës u pushtuan nga këto brigada, të cilat rekrutuan me forcë banorët në të ashtuquajturën “Ushtria Çlirimtare”. Teksa forcat gjermane tërhiqeshin, brigadat shqiptare i ndoqën ato deri në Banat, duke u prekur nga sëmundje si tifo dhe më pas u erdhi vdekja. Vetëm një e pesta e këtyre forcave u kthyen. Ndërkohë, Shaban Palluzha nga Drenica mori urdhër të formonte brigadën e re kosovare që do ndiqte gjermanët bashkë me forcat shqiptare. Kjo u kundërshtua nga profesor Ymer Berisha po nga Drenica i cili kërkoi të bindte nacionalistët të mos bashkoheshin me forcat shqiptare, duke thënë se sllavët po përpiqeshin të largonin kosovarët nga vendi duke i vënë në ndjekje të gjermanëve. Kryengritje të nacionalistëve kosovarë u zhvilluan në Drenicë e Llapje, ku banorët ishin besnikë ndaj frymës nacionaliste të Xhafer Devës. Shumë beteja të shqiptarëve kundër sllavëve dhe mbështetësve të tyre u zhvilluan në male, ku u vranë rreth 600 kosovarë dhe rreth 2500 sllavë. Tre beteja madhore u zhvilluan në Drenicë, Gjilan e Ferizaj. Nacionalistët kryen luftime të ashpra në Drenicë, ku karroca të panumërta transportonin municion dhe ushqim çdo ditë në front, dhe ktheheshin me të sëmurët e të plagosurit, për t’i çuar më pas në spitalet e Prishtinës, Mitrovicës e Peçit. Brigada e 7 e kuptoi që kosovarët do të luftonin deri në fund, prandaj ftoi për negociata Mufti Asim Lushën, ish-përfaqësuesin e Drenicës. Por komunistët shkelën rregullat e luftës duke vrarë në vend Muftiun, çka shkaktoi ashpërsim të luftimeve. Gjilani gjithashtu u ngrit në revoltë nën udhëheqjen e Mulla Idrizit. Forcat nacionaliste në pranverën e vitit 1945 sulmuan dhe fituan betejën në Ferizaj, por suksesi ishte jetëshkurtër prej mungesës së municioneve dhe disiplinës. Forcat komuniste ishin rigrupuar pas tërheqjes së gjermanëve deh arritën të mundnin grupet nacionaliste. Pas humbjeve të pësuara komunistët kryen masakra në disa qytete, duke detyruar nacionalistët të hiqnin dorë nga rezistenca e mëtejshme.

Shovinizmi serb

Ndryshe nga shumë popuj të Evropës Lindore dhe të Azisë që vuajnë nga shtypja komuniste, Kosova vuan gjithashtu nga shovinizmi serb. Për sa kohë që marrëdhëniet mes Titos dhe Enver Hoxhës të jenë miqësore, kosovarët do të keqtrajtohen nga komunistët. Komunizmi që po aplikohet në Kosovë nuk ka lidhje me doktrinat marksiste, por është një produkt i urrejtjes së serbëve dhe malazezëve ndaj shqiptarëve. Komunizmi i këtushëm ka si qëllim thyerjen e energjive të kosovarëve me qëllim zhdukjen e tyre dhe marrjen e pronave të tyre nga të ashtuquajturit “çlirimtarë”. Në Shqipërinë komuniste, serbofili Koçi Xoxe drejton marrëdhëniet e vendit me Jugosllavinë, por servilizmi që e ka karakterizuar atë dhe asistentët e tij në arrestimet dhe torturat ndaj nacionalistëve kosovarë, ka habitur dhe vetë jugosllavët. Xoxe ka arrestuar në Tiranë ish-ministrin kosovar Ram Bllaca, profesorin Selman Riza, liderin e Peçit, Muharrem Mitrovica, kapiten Gjon Destanishta dhe figura të tjera civile dhe ushtarake, të cilët i ka dorëzuar më pas te qeveria jugosllave. Ata janë dënuar me dënime të ndryshme pune të detyruar dhe disa janë ekzekutuar. Dushan Mugosa dhe bashkëpunëtori tij Miladin Popoviç, emisarët jugosllavë në Partinë Komuniste të Shqipërisë, janë përgjegjësit për dështimin e lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës. Më 14 mars 1945, mësuesi Haki Taha ekzekutoi Miladin Popoviç në Prishtinë. Si rezultat ai u vra dhe trupi i tij u tërhoq nëpër rrugë, me një shenjë në gjoksin e tij që thoshte “Vdekje tradhtarëve, Liri shqiptarëve!”, por komunistët jugosllavë morën hak për vrasjen e Popoviç duke vrarë rreth 1600 kosovarë të brigadave komuniste në Bar. Nga tetori 1944 komunistët mbajtën regjistra të saktë të të ekzekutuarve dhe të dënuarve në Kosovë. Emrat e tyre janë gjetur në listat e të ashtuquajturave “Gjykatat e Popullit” të cilat kishin pushkatuar ose varur të kapurit, sipas teksteve të diktuara nga UDB. Gjatë netëve të ftohta e të errëta të 1944, 1945 e 1946, të burgosurit nxirreshin nga qelitë e tyre, ngjesheshin në kamionë dhe çoheshin në lokalitete të shkreta si Gemis, Karakaci, Llokaci, Moglice e Kalas, ose në kodrat e Ibrit, Sveçani e Gjilanit, ku urdhëroheshin të gërmonin varret e tyre. Pas ekzekutimeve varret mbuloheshin shpejt e shpejt me pak dhe ose dëborë. Por me shkrirjen e dëborës rishfaqeshin në sipërfaqe trupat e dekompozuar. Në një vend ku kryhen krime të tilla të tmerrshme është e kotë të flitet për liri. Por ngjarjet flasin vetë. Për shembull, kur po përgatiteshin zgjedhjet e përgjithshme, në mbrojtje të lirisë së votës në Kosovë, autoritetet sllave organizuan nga takim në Prizren me delegatë të zgjedhur në mënyrë selektive, të cilët nënshkruan një deklaratë që thoshte se “populli i zonave shqiptare me vullnetin e tij kërkon të mbetet brenda kufijve të Jugosllavisë. Kur gjatë zgjedhjeve njerëzit pyesnin emisarët politikë se përse nuk kishte kuti votimi shqiptare, ata i përgjigjeshin: “Nuk ka përse duhen. E gjithë bota e di se Enver Hoxha, Tito he Stalini janë një e vetme. Nuk do të ketë kufij ndarës mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ne jemi bërë vëllezër nga gjaku që kemi derdhur së bashku. Asgjë nuk od të na ndajë më”.

Organizatat nacionaliste

Panorama e situatës kritike të krijuar në 1944, mund të kuptohet edhe nga deklaratat e bëra nga anëtarët e organizatave sekrete nacionaliste pas arrestimeve të tyre. Anëtarët e grupit të Halim Spahiut, ish-kreu i Bashkisë së Prizrenit, u arrestua në korrik 1945. Një nga anëtarët e tij kishte me vete një listë me 72 emra. Pas hetimeve që zgjatën afro një vit, 6 nga 72 emrat, shin ekzekutuar, mes tyre dhe Halim Spahiu, Tahir Deda dhe Rexhep Kabashi. Tetë persona të tjerë emrat e të cilëve shin gjithashtu në listë, morën dënime të ndryshme burgimi. Një grup mësuesish të drejtuar nga Dr. Sulejman LLeshi nga Tirana, u arrestuan në Gjakovë, dhe 12 nga anëtarët u dënuan me kohë të ndryshme burgimi. Më 11 gusht 1946, të burgosurit e burgut të Peçit, tentuan një arratisje. Për fat të keq ata u kapën dhe për këtë, Sulejman Lleshi, Skënder Curri, Murtesa Kryeziu, Bajram Shllaku dhe dhe dhjetë të burgosur të tjerë u vranë. Anëtarët e grupit nacionalist të Prishtinës, mes tyre Gjon Sereqi nga Ferizaj dhe Sulejman Aliu nga Prizreni, u arrestuan në pranverën e vitit 1945. Anëtarët e grupit nacionalist të drejtuar nga At Bernadin Llupi nga Peçi, u arrestuan në verën e 1946. At Llupi kishte ruajtur kontakte me profesor Ymer Berishën, kreun e forcave nacionaliste në Jugosllavi, ku Ndue Përlleshi ishte agjent ndërlidhjeje. Anëtarë të tjerë të grupit të At Llupit ishin Marije Shllaku dhe mësuesi Gjergji Martini, të dy nga Shkodra, të cilët u vranë gjatë një përpjekje me partizanët. Ata ishin agjentë ndërlidhjeje mes nacionalistëve të Shkodrës dhe Gjakovës, Prizrenit e Prishtinës.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

SHKARKO APP