“Cocktail sekretesh”, Keti Bashhysa fton në mëkatin e radhës

Vetëm dy ditë na ndajnë nga shfaqja e radhës që artistja e njohur, Keti Bashhysa prej disa javësh ka përgatitur për publikun artdashës.

“Coctail sekretesh”, kështu ka preferuar ta titullojë këtë herë gjithë çka përgatitur me aq dashuri dhe që në tërësinë e saj përmbledh një punë fine në bashkëpunim me artistët më në zë të momentit si; piktori dhe grafisti i mirënjohur, Avni Delvina, poetja me shumë çmime ndërkombëtare Irma Kurti, koreografi Aldo Aliaj dhe Mariola Poro.

“Përveçse ju tregoj sekretet e femrave në Stand-Up, shkruar nga Mariola Poro, repertori muzikal është fantastik, poezitë e Irma Kurtit janë aq të ndjera, skenografia e Avni Delvines plot larmi dhe dritë, koreografia e Aldo Aliaj e mrekullueshme… dhe plot surpriza!”, zbulon për miqtë artistja Bashhysa në profilin e saj të Facebook, ku ndër të tjera shton se një hapesirë e veçantë do t’i jepet edhe sensibilizimit për femijët autikë.

“Po aq e ndjerë është dhe hapësira e sensibilizimit për fëmijët autikë. Punë kjo e videographer Fati Hoxha dhe numrit të baletit prej 30 fëmijësh. Dashuri, ngjyra, emocion, të qeshura pafund, mesazh”, premton ajo.

E në fakt, duke iu referuar shfaqjeve që Keti Bashhysa ka dhënë ndër vite për publikun shqiptar, emocionet dhe mesazhet janë padiskutim të përfshira në paketën e artit që ajo bën, prandaj nuk duhet ta humbisni këtë ngjarje artistike aspak të zakonshme.

Spektakli, i cili vjen në formatin e “One Woman show” më datë 24 Maj 2019 në Teatrin e Durrësit “Aleksander Moisiu” guxon të rrëfejë publikisht sekretet e femrave, ndërthurur me nota humori, ironie e sarkazme siç vetëm Bashhysa di të sjellë.

Prej disa ditësh biletat kanë nisur të shiten në ambientet e Teatrit të Durrësit, por për rezervimin e tyre mund të kontaktoni edhe në numrin: +355 69 98 94 550. /albina gjergji/

   

SHKARKO APP