“Dardha, qëndron në rradhën e parë të vëndeve t’ona klimaterike dhe si shoqëri e zhvilluar, pasi…”/ Kur shtypi i Monarkisë së Zogut, promovonte turizmin

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa shkrime të panjohura të shtypit të periudhës së Monarkisë së Zogut të fundit të viteve ’30-të, të cilat i kushtonin një rëndësi të veçantë promovimit të resurseve turistike që ofronte Shqipëria, ku Enti Kombëtar i Turizmit zhvillonte një propagandë të madhe nëpërmjet shtypit për disa nga vendet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj, siç ishin qytetet e Pogradecit apo Korçës me fshatrat e saj piktoreske, si: Mborja, Drenova, Morava, Bozdoveci, Boboshtica, Dardha, Voskopoja, Vithkuqi, etj., ku midis të tjerash thuhej: “Në të 17-in kilometrin nga Korça. Pa u mbushur edhe një kilometër duhet të ç’lodhemi në Dardhë. Rruga kalon tani përmes pyllesh. Një pamje piktoreske jashtëzakonisht e bukur zhvillohet para syve kur automobili kthen edhe një brryl rruge dhe le të duket një pjesë e Dardhës. Koria e Shën Pjetrit, guri i vjeshtës për karshi, kodrat suare në Perëndim dhe kodrinat pranë rrugës së Devollit në Lindje dhe në mes Dardha. Natyra është treguar shumë dorlëshuar, i ka falur Dardhës klimë të mirë dhe e ka stolisur me ngjyrat më të bukura. Dardharët nuk kanë prishur asgjë nga kjo bukuri, përkundrazi janë kujdesur me kohë ta ruajnë”

“Qyteti i Korçës të ofron jo vetëm një klimë ideale, jo vetëm ajër të dëlirët, jo vetëm ujë të lehtë, të shëndetshëm dhe të ftohtë, por edhe gjithë lehtësirat e jetës. Me 12 deri 15 fr. ar në muaj gjen njeriu në Korçë një dhomë të mirë, të mobiluar bukur, me një ose dy shtretër. Ushqimi nuk është i shtrenjtë. Mishi i Korçës shumë i shijshëm, vezë, pula dhe qumësht boll,gjalpi i parfumuar, fruta dhe zarzavate më mirë se kudo gjetkë. Edhe dëfrimet nuk mungojnë. Hyrja në kinema ku luhen po ata filma që sillen edhe në Tiranë, kushton 2 lekë në lozhë dhe 1 lek në parter”. Kështu shkruante në mes të tjerash për qytetin e Korçës, e përditshmja “Drita”, një nga gazetat e shumta të periudhës së Monarkisë së Zogut në fillimin e verës së vitit 1938, kur përgatitej të fillonte sezoni turistik i verës dhe ai qytet popullohej nga vizitorë dhe pushues të shumtë, vendas dhe të huaj. Po cilat ishin resurset e tjera që u ofronte qyteti i Korçës dhe fshatrat e tij turistëve dhe vizitorëve të shumë gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe me çfarë problemesh përballej ai qytet asokohe? Cili ishte roli dhe puna që bënin asokohe
bashkitë, komunat si dhe Enti Kombëtar i Turizmit për nxitjen dhe zhvillimin sa më të madh të turizmit në atë qytet me një klime të shkëlqyer? Lidhur me këto dhe të tjera probleme të kësaj natyre na njohin disa shkrime dhe reportazhe, të cilat Memorie.al i ka shkëputur nga shtypi i Monarkisë së Zogut të vitit 1938, duke i botuar pa asnjë ndryshim dhe në gjuhën zyrtare të asaj kohe.

Gazeta “DRITA”: Korça, vend ideal verimi

Jemi në prag të pranverës. Mas një dimri të gjatë dhe të egër, duhet të përgatitemi për të filluar aktivitetin në të gjitha degët, me që në dimër nuk kemi mundësi të punojmë. Një nga këto degë është dhe ajo e turizmit. Natyrisht se në dimër nuk kemi ç’bëjmë në lëmën e zhvillimit turistik, përpos përgatitjeve dhe planeve që duhet të zhvillojmë verën e ardhme. Duke mbyllur bilancin e aktivitetit turistik gjatë verës së kaluar, të mundohemi të ndreqim të metat q’ë u shënuan, duke përpjekur njëkohësisht të përmirësojmë mjetet për pritjen e turistave si në hotele, restorante te komunikacione etj. Nuk kemi dijeni se ç’bëhet nëpër qytete të tjera të Mbretërisë, as që dimë se ç’ka bërë “Enti Kombëtar i Turizmit” në këtë fushë, por dimë që neve këtu në Korçë mjerisht s’kemi bërë gjësendi, dhe as që ndjehet nonjë interes i math nga kompetentët për zhvillimin e turizmit. Me këdo të bisedosh është i një mëndje se turizmit i duhet dhënë rëndësia më e madhe, por me gjithë këto, askush nuk merre inisiativën për të krijuar një shoqëri për zhvillimin e turizmit. Zhvillimi i turizmit sot ka marr një hov të madh në të gjitha shtetet e përparuara. Janë krijuar ente dhe shoqërira të ndihmuara me fonde të konsiderueshme prej shteteve përkatëse. Dobitë e mëdha ekonomike, shoqërore dhe kulturave, që sjell turizmi janë të pa bisedueshme. Ndër ne turizmi ka filluar të zhvillohet nër vitet e fundit, me përpjekjet e Entit Kombëtar të Turizmit, dhe përfundimet kanë qenë të mira, por jo të shkëlqyera. Arsyet janë të shumta. Një nga arsyet kryesore padyshim është desinteresimi i popullit, dhe e dyta, mungesa e mjeteve konfortabile për pritjen e turistave të huaj. Me që bëjmë fjalë për Korçën, po japim një shembull: Sikur të behet e mundur të vizitojë qytetin t’onë njëherësh një grup prej 100 turistash, Korça nuk ka hotele konfortabile ku të flenë. Gjithashtu sikur të duan këta turista të vizitojnë rrethet e Korçës, që të themi se nuk do të gjejnë fare mjete komunikasioni, por pa dyshim se këto mjete do të jenë shumë të shtrenjta dhe të pa përshtatëshme.

Ç’duhet bërë për Turizmin?

Thamë më sipër se Enti Kombëtar i Turizmit, po zhvillon një aktivitet të gjallë dhe të vazhdueshëm propagande turistike. Por ky aktivitet, sado i gjallë qoftë, nuk mundet kurrsesi të japë përfundimet e dëshiruara, pa ndihmën e popullit përgjithësisht, dhe të bashkive dhe të komunave veçanërisht. Populli duhet të kuptonjë se ç’do santim që len turisti në vendin e tij, hyn drejt ose tërthorazi në xhepin e tij. Kjo është një nga arsyet që ç’do njeri të ndihmojë me çdo mjet zhvillimin e turizmit. Është e pamundur që Shteti ose Entet e Turizmit t’i bëjnë të gjitha. Po sjellim një shembull të vogël për desinteresimin e popullit ndaj turizmit. Vitin e kaluar kish ardhur një grup turistash në Korçë. I takuam gjatë bulevardit dhe na kërkuan disa shpjegime në një gjuhë të huaj që ne nuk i dinim. Që të mund t’u shërbejmë, shkuam në kafenenë më të afërme dhe atje ju lutmë një zotnije që fliste atë gjuhë t’u japë shpjegimet e dëshiruara turistave. Po zotnia që po bënte muhabet, na u përgjigj: Kush çan kokën tani me ata!…Bashkia duhet të ndihmojë me sa t’ë mundet për zhvillimin e turizmit në Korçë. Piksëpari duhet të ketë nën kontrollin e saj të rreptë pastërtinë e hoteleve dhe restoranteve. Njëkohësisht kjo duhet të zhvillonjë edhe një propagandë me anë të broshurave të ilustruara. Të shtypë broshura në gjuhën amtare dhe të huaja duke treguar për viset e ndryshme istorike, panoramike dhe klimaterike të Korçës, që mund t’a interesojnë turistin. Dhe Korça nuk është e vobektë në këto pasuri. Voskopoja dhe Vithkuqi janë dy katunde me mbeturina istorike. Gjithashtu Dardha dhe Pogradeci janë vende klimaterike dhe panoramike që kënqin syrin dhe shpirtin e çdo turisti sado pretencioz qoftë. Por njëkohësisht edhe komunet e katundeve t’ona istorike dhe klimaterike, duhet të tregojnë një aktivitet të palodhshëm në përmirësimin dhe zbukurimin e katundeve në fjalë, dhe duke bërë propagandë sa më të gjallë për tërheqjen e turistave. E dimë që vitin e kaluar ish formuar prej bashkisë një komision i posaçëm q’u muar me nxjerrjen e fotografive të qytetit dhe të viseve piktoreske të qarkut. U fol atëhere se do të përgatitej një broshurë për propagandë turistike, por deri më sot për fat nuk kemi parë gjësendi në shesh. Është koha t’i përvishemi punës.

Korça, vend ideal verimi

Të mbytur nga vapa e kryeqytetit- në mungese villash ne ranishten e Durrësit- me shumë shokë u muarrmë vesh të ikim për disa ditë në Korçë. Zoti i bekoftë “automobilxhinjtë” që grihen midis tyre dhe na transportojnë me 10-15 leka nga Tirana gjer këtu. Për t’u shkatërruar, do të shkatërrohen ata sigurisht, por dobare le të mbledhin disa bekime nga ne përfituesit. Edhe po te vuajnë në këtë botë, kanë të drejtën të shpresojnë se n’atë dynjanë tjetër do të jenë të lumtur. Erdhëm në Korçën e freskët, pa pluhur, pa mushkonja, me ujë të kulluar të ftohtë, me njerëz simpatikë, inteligjentë, dashamirës dhe punëtorë. Jemi tetëqind e kusur metra mbi nivelin e detit, vend ideal për verim. Për Korçarët që jetojnë dimër e verë këtu, duhet ndoshta një vend tjetër më i naltë për të ndërruar ajrin në stinën e verës. Por për Tiranasin, Durrsakun, Shkodranin, dhe shokët e tyre që jetojnë disa metra përmbi det, vetëm qyteti i Korçës është vendi ideal verimi, pse ka shtatëqind e kusur metra ndryshim naltësije. Dhe të afron qyteti i Korçës, jo vetëm një klimë ideale, vetëm ajr të dlirtë, jo vetëm ujë të lehtë, të shëndetshëm dhe të ftohtë, por edhe të gjithë lehtësirat e jetës. Më 12 gjer 15 fr. ar në muaj, gjen njeriu në Korçë një dhomë të mirë, bukur të mobiluar, me një ose dy shtretna. Ushqimi nuk është i shtrenjtë. Mishi i Korçës shumë i shijshëm, vezë, pula dhe qumësht boll, gjalpi i parfumuar, fruta dhe zarzavate më mirë se kudo gjetkë. Edhe dëfrimet nuk mungojnë. Hyrja në Cinema ku lohen po ato filma që sillen edhe në Tiranë, kushton 2 lekë në lozhë dhe 1 lek në parter. Jashtë Korçës ka kopshte-kafeane të bukura me muzikë dhe vënd të posaçmë për të kërcyer, lokale familjare ku kafja kushton vetëm gjysëm leku. Ka pastaj restaurante të mira e të pastërta, me çmime shumë të arsyeshme (me kushtin të flasësh shqip, pse ndryshe të marrin për të huaj dhe atëhere nuk garantojmë për çmimet), ka mish të pjekur që shitet me kantar, me okë, fare lirë, ushqim kryesor për familjet që verojnë këtu.

-Ky mishi i pjekur është një bekim Perëndije dhe një shpëtim për ne- më thosh një mik kavajas që ka ardhur të verojë në Korçë vetë i tretë.

–Pse? E pyeta plot kureshtje.

–Sepse me mish të pjekur, të cilin e gjen gjithmonë taze dhe të lirë në çmim, me një sallatë të mirë dhe me pak djathë e fruta, hamë bukë në shtëpi, d.m.th. në odën që kemi zënë me qera, pa qenë të detyruar të gatuajmë. Nga ndonjëherë xheku dërgojmë ndonjë tavë në furrë. Në këtë mnëyrë me shumë ekonomi, shkojmë në Korçë dy muaj fare mirë. –Dhe kini parë ahir nga klimati i këtushmë?

-Për së tepëri. Në dy muaj, im bir shton këtu 5-6 qillo. Që kur kemi filluar të vijmë në Korçë e kemi dëbuar doktorin nga shtëpia! Korça ka dhe një tjetër avantazh Ka okë në vënd të kilogramit. Okën turke të moçme.

Nata në Korçë

Në mbrëmjet e ngrohta të verës, Bulevardi Zog i I. i Korçës është vendi më i pëlqyer për shëtitjet. Qindra vetë, gra e burra, shëtisin krah për krah dhe grupe-grupe nëpër Bulevard. Është një pamje e bukur oksidentale që nuk mund ta paraqes sot për sot asnjë qytet tjetër i Shqipërisë. Një kafehanë-kopsht në fund të Bulevardit dhe një tjetër, më e madhe e më e bukur nga udha e Mborjes, e saze dhe vënd të posaçmë për të kërcyer, i japin vizitorit një vënd të freskët e të pëlqyer shplodhje në netët e ngrohta. Natën në Korçë nuk ka lagështinë, prandaj nata verore është e ëmbël në këtë qytet malor. Gjumi është i lehtë dhe në mëngjez njeriu çohet i freskët dhe i përtëhritur, plot qejfe e shëndet.

Mungon një zyrë turistike!

Për ata që kanë nevojë ta ndërrojnë ajrin dhe që xhepi nuk ua lejon të shpenzojnë shumë, qyteti i Korçës dhe katundet piktoreske të qarkut, janë shpëtimi. Si nëpër katundet Dardhë, Voskopojë, Vithkuq, Hoçisht, Boboshticë, ashtu dhe brenda në qytet, gjenden mjaft dhoma ose shtëpi që lëshohen me qera për stinën e verës, por veruesi s’ka se qysh vjen në kontakt me to. Mungon në Korçë një zyrë e posaçme turistike e cila të kujdeset e të regjistrojë me kohë këto banesa bashkë me çmimin përkatës që të mundë t’u shërbejë informata të sigurta të interesuarëve. Një e tillë zyrë duhet krijuar sa më shpejt. Edhe Enti Kombëtar i Turizmit edhe Bashkia e Korçës e kanë për detyrë ta përkrahin zhvillimin turistik të qytetit dhe të qarkut, prandaj mundin të shpenzojnë aq sa duhet për t’u mbuluar qiraja e një zyre të vogël dhe rroga minimale e një nënpunësi që do të merret me këtë punë. Kurrgjë tjetër të mos bëj kjo zyrë veçse regjistrimin e banesave dhe pensioneve edhe shpërndarjen e informatave, prap e vlen barra qiranë. Në realitet kjo zyrë do të ketë mision më të gjerë dhe do të sjellë shërbime shumë të mëdha. Ta dashurojmë e t’a ndihmojmë Korçën, pse nga ç’do pikëpamje e meriton.

Si u prit të nxehtët e parë në Korçë. Panajiri i Shesteve-Ekskursionet nëpër fshatrat

Panairi tradisjonal i shesteve u ndihmua sivjet prej një kohe të bukur por të nxetë. Pothuaj të gjithë korçarët, i math i e vogël, ngrihen dhe shkojnë në Mborje për t’u ndodhur në këtë panair të pasur në dëfrime të thjeshta po të këndëshme. Korçarët, të Djelën e shkuar, me rastin e këtij kremtimi, bënë përshëndetjen e parë nëpër fusha më të nxehtët e verës. Rruga që shpije për në Mborje, njohu në këtë ditë lëvizjen më të madhe. Automobilat, dhe këmbësorët, burra, gra, fëmijë, të gjithë me pajisje ekskursioni, formojnë një varg që mbush në gjatësi dhe gjerësi rrugën e Mborjes. Korça plakë dhe njëkohësisht nuse, e priti me krahë hapur ngrohtësinë e verës. Dëfreu dhe u gëzua. Panajiri i shesteve ka qenë një rast i mirë për ta ndjerë kalimin nga një Prandverë dimërore, siç ka qenë sivjet, në një Verë të plotë. Por Korça nuk është e padurueshme në Verë. Me klimë të shëndetëshme, ky qytet, ka disa kopshte të bukura për rreth tij që vlejnë për ta zbavitur popullin dhe për t’i dhënë erë të pastër. Këtu i kalon orët e pushimit korçari këtu shkon edhe vizitori orët e shplodhjes.

Te kopshti i Petraq Osmanlliut

Është me të vërtetë një kënaqësi e thellë të kalosh disa orë në kopshtin e Petraq Osmanlliut që ndodhet në rrugën e Mborjes dhe disa hapa më larg nga ndërtesa e re e Liceut Kombëtar. Me rastin e panairit të shesteve, një shumicë e madhe nga populli, që gumëzhinte në rrugët e Mborjes, u ndal në këtë kopsht ose më mirë, në këtë pyll të vogël dhe të sistematizuar. Këtu sheh një ndërtesë të bukur në mes, të mbuluar me degët plot hije të pemëve të shumta dhe plot tryeza dhe karrike të shpërndara në rregull, ndër kënde të bukura të këtij pylli magjik. Vetë korçarët e kanë ngjitur emrin “Parajs” kësaj natyre tërheqëse, që soditet në këtë kopsht. Më shumë se 600 veta gjetën këtu duke u kthyer nga panairi, një vend se ku të ulen dhe pije të ftohta dhe të zgjedhura. Të grumbulluar në hijet e dendura të pemëve të mëdha, paret e ndryshme shijojnë muzikën e orkestrës, thëthijnë erën e pastër dhe të freskët midis një natyre të zbukuruar me lule dhe me ngjyra jeshile që e zotëron kudo këtë park madhështor. Me të tilla lokale, Korça, qytet i math, është edhe një qendër verimi. Për ata që nuk janë në gjendje të largohen prej qytetit, të tilla parqe janë një shpëtim i vërtetë. Gjejnë një vend ku ta kalojnë kohën e pushimit dhe të forcojnë shëndetin.

Në Drenovë

Në Drenovë, këtë ditë, u shtrua një drekë e pasur nga këshilla (Këshilli i Kishës, shënimi ynë), katedrale për pjestarët e korit të Mitropolisë, kor i cili vepron nën drejtimin e palodhur të të prof. Sotir Kozmo. Në këtë drekë muarën pjesë, përveç korit miks, i përbërë prej 60 vetash, djem dhe vajza. Mitrofori i Math, At Vasil Marko dhe këshilla e kishës. Muarën pjesë këtu edhe gjithë nxënësit e Seminarit Orthdoks “Jovan Banka”. Njëkohësisht në fabrikën e alkoolit “Merkur” të z. Llambi Mano, drejtor i shoqërisë në fjalë dhe Kryetar i Odës së Tregtisë, shtroi një drekë të pasur për këshillën e Odës, ku muarën pjesë, përveç këshilltarëve, edhe poeti Asdren. Të Djelën që vjen, shoqëria jashtëshkollore “Rinia Korçare”, dega teatrore, do të bëjë një ekskursion të math familjar në Bradvicë, ku do të marrin pjesë afro 200 vetë. Këto lëvizje ekskursioniste po shënojnë në Korçë një gjallëri të dalluar.

Shëtitja e madhe turistike e degës teatrale të shoqërisë “Rinia Korçare” në Shën-Kostandin të Bradvicës. Muarrë pjesë 200 djem e vajza.

Një lëvizje e brendshme turistike është duke u ringjallur në qytetin t’onë: ekskursionet turistike nëpër malet dhe vendet turistike të Korçës, janë organizuar shpesh në këto javë. Dhe është mëkat që korçarët, dhe sidomos djalëria, në ditët e pushimit, të mbyllen nëpër kafenetë ose brenda qytetit, kurse këto ditë kanë mundësi që t’i kalojnë në kontakt me natyrën, në ajrin e pastër dhe plot shëndet. Drenova, Boboshtica, Dardha, Voskopopja, Vithkuqi dhe Pogradeci, janë vise të bukura dhe të shëndetshme ku djalëria korçare mund të dëfrehet pa masë. Sidoqoftë lëvizjet turistike të kësaj vere, dhe sidomos ekskursioni i math i pardjeshmë i organizuar nga dega theatrale e shoq, “Rinja Korçare”, na japin shpresë për nj fillim të vazhdueshëm në zhvillimin e turizmit të brendshëm të qarkut t’onë.

Shëtitja turistike e Degës Theatrale të Shoq. “Rinija Korçare”

Është e para herë që u realizua një shëtitje turistike kaq madhështore prej rinisë Korçare. Zakonisht shëtitjet turistike dhe pik-niket organizohen midis shokësh dhe të njohurve; por ekskursioni i pardjeshmë, nuk ish i tillë sepse kish edhe qëllim vëllazërimi midis rinisë: shumica syresh nuk njiheshin aspak midis tyre, por në sajë të këtij ekskursioni u njohnë dhe kaluan një ditë të lumtur dhe me këngë e valle në pyllin romantik të Shën-Kostandinit të Bradvicës. Shën-Kostandini i Bradvicës, ndodhet vetëm nja 20 km. lark Korçës, në malet e “Moravës”. Me qenë se në grupin madh prej 200 vetash merrnin pjesë afro 70 Zonja dhe Zonjusha, u vendos që nisja nga Korça të bëhet jo më vonë se ora 2, ditën e Djelë, para mëngjezit me qëllim që udhëtimi të bëhej ngadalë për të mos i lodhur vajzat. Pikërisht në orën e caktuar, të 200 ekskursionistët muarën udhën e Bradvicës; nata ishte shumë e bukur dhe hënë e plotë; nën jehonat e kangëve kombëtare, që tingëllonin të fuqishme në qetësinë e natës, karvana njerëzore kaloi përmes katundit Mborje dhe hyri në grykën e skërkës. Ndonëse rruga ishte mjaft e përpjetë, djemtë nuk pushonin së kënduari. Me të dalë nga gryk e thatë dhe e zezë, u përshkuan pyjet e dëndura të Moravës. Pas dy orësh udhëtimi në vendet piktoreske dhe të veshura me pyje, u arrit në “Çezma e Gjergos”, ku ish i paracaktuar stacioni i parë. Këtu i gjith grupi u ndal për të ngrënë mëngjezin. Uji i “Çezmës së Gjergos”, vlen sa për gjysëm birre, me qenë se prej këtij uji fabrikohet birra e shijshme e Korçës. Këtu Shoqëria “Birra Korça” ka instaluar një depo të madhe dhe së këtejmi me sulina (tuba, shënimi ynë), e shpje deri në fabrikë. Në lëndinën e çëzmës, të rinjtë e grupit u njohnë midis tyre. Pas një shlodhje prej gjysëm ore, udhëtimi rifilloi për të prekur majën e Moravës, nja 1.700 m. e lartë; ja Bozdoveci plot pishë; pak më tutje nga perëndimi, Skërkat e thata. Në fund shumë larg të përshëndesin me madhështi malet e Ostrovicës, të mbuluara akoma me dëborë. Nga Juga; “Guri i mprehtë” dhe malet e Dardhës, ja “Guri i Capit”.

Në Shën-Kostandin

Një pyll i dëndur me drurë ahu shekullorë, një çezmë me ujë të ftohtë, disa lëndina të bukura dhe kisha, i plotësojnë bukuritë e këtij vendi romantik. Disa shokë, që kishin ardhur që të Shtunë me ushqimet e nevojshme i presion ekskursionistët. Njëzet minuta pushimi në lëndinën e bukur, qe e mjaftueshme për t’u çlodhur nga udhëtimi i katër orëve. Zonjat dhe zonjushet u zunë dorë pas dore duke kënduar, filluan të lozin valle, kurse djemtë nisën lodra të ndryshme. Për gëzimin e të gjithëve një grup sazexhinjsh të paftuar mbërriti pas pak. Vallet kombëtare hiqeshin me krenari nga djemtë dhe me elegancë nga vajzat. Pak më tutje, dy grupe të vogla ja kishin shtruar shqiptarçe. Me këngë, raki dhe birrë. Ora më 11 dreka ish e shtruar nënë hijen e drurëve dhe të gjithë zunë vend. Nga dy kupa uzo-jo për të hapur oreksin, pse asnjëri nuk e ndiente këtë nevojë-por për të uruar njëri tjatrin, u zbrasnë. “Brom, Akim”, të kam gjetur. ”Krainar”, të gjetshin të mirat “uratë” dhe e gjeç nga njerëzia, kështu djemtë thërriteshin me emra e ndryshme të roleve që kishin lojtar në skenë. Dreka nuk vazhdoi shumë pse sazexhinjtë i vazhdonin pa lodhur avazet e kërcimit dhe rinisë i ziente gjaku. Dëfrimi vazhdoi i pareshtur deri më ora 3 pas dite; u dha shenja e nisjes dhe mbas 10 minutash, grupi mori rrugën për në Korçë. (KTONA)

Dardha e Korçës: Vendi më i bukur për verim-Bukuri natyre të pashoqe-Jeta e zhvilluar e Dardhës

Nuk është bërë gjer më sot një propagandë sistematike për viset e bukura të Shqipërisë. I detyrohet mbase këtij shkaku, fakti që natyra tërheqëse dhe plot shëndet e vendit t’onë nuk njihet sa duhet prej shumicës. Qëllimi ynë nuk është që t’u shërbejmë atyre pak familjeve, të cilat mot për mot, shkojnë për verim në anëdet a në mal. Këto, prej provës që kanë bërë, i njohin cilësitë e këtyre viseve. Përveç kësaj do të ishte një shërbim i kufizuar po të ndaleshim vetëm këtu. Mendojmë pra, t’i japim lëvizjes së verimit një lloj popullariteti. T’i njohim vendet t’ona klimaterike sa më shumë dhe dhe të shkaktojmë kështu një lëvizje më të dendur. Lëvizja është shenja e gjallërisë dhe forcimi i kësaj sjell me vete mirëqënien. Po cilat mund të jenë viset më të bukura të verimit? Ja, për shëmbëll, Dardha e Korçës përmbush të gjitha kushtet që i japin të drejtë kësaj të zërë një vend nderi në vargun e viseve t’ona verimi. Ka dy të mira: natyrë shumë të bukur dhe shoqëri të zhvilluar. Vjet, në këto kohë, një nga redaktorët t’anë që e vizitoi Dardhën, botoi një përshkim të gjatë mbi jetën dhe natyrën e këtij vendi shumë tërheqës klimaterik. Po ribotojmë këtu një pjesë të atij reportazhi.

Duke vajtur në Dardhë

Filloi e përpjeta për në Dardhë. Kalojmë pak kilometra dhe ndjen se një natyrë e shumëllojshme të rrethon. Asgjë nuk është monotone. Udha, që shkon rrëzë maleve të Bigllës, le në të dy anët pamje të bukura. Po bëhen më të bukura kur nis e gjelbëron i tërë vendi. Malet nuk janë të thatë, janë pylle. Ngjyra jeshile, që dominon tani kudo, të shplodh syrin. Vijat e maleve, që diku përfundojnë më ndonjë të pjerur të egër, diku përkulen vetëm, formojnë vijën e horizontit të ngushtë. Nuk është si në fushë këtu, ku vështrimi shtrihet në hapësirë. Në të 17-in kilometrin nga Korça. Pa u mbushur edhe një kilometër duhet të ç’lodhemi në Dardhë. Po pse nuk duket, ku është Dardha? Rruga kalon tani përmes pyllesh. Një pamje piktoreske jashtëzakonisht e bukur zhvillohet para syve kur automobili kthen edhe një brryl rruge dhe le të duket një pjesë e Dardhës. Koria e Shën Pjetrit, guri i vjeshtës për karshi, kodrat suare në Perëndim dhe kodrinat pranë rrugës së Devollit në Lindje dhe në mes Dardha. Natyra është treguar shumë dorlëshuar. I ka falur Dardhës klimë të mirë dhe e ka stolisur me ngjyrat më të bukura. Dardharët nuk kanë prishur asgjë nga kjo bukuri, përkundrazi janë kujdesur me kohë ta ruajnë. Po si është krijuar ky nivel jetese në Dardhë? Është i pasur vendi në vet-vete. Jo, vendi asgjë nuk prodhon. Dardharët shkonin në mërgim, themi shkonin se tani askush nuk mund të lëvizë vendit. Dyert e kurbetit u mbyllën. Dardharët duhet të rrojnë në Dardhë. Po ç’të bëjnë këtu? Është për t’u çuditur se si nuk u shpërngul fare populli nga ky vënd! Dikur përmbi 2000 banorë, sot afro 1100 frymë janë të shtërnguar të rrojnë në këtë vend shumë të bukur si pozicion, po të varfër nga pasuria e tokës. T’i shfrytëzojmë pyllet? Do të ishte një krim. Do të shembej, do të humbiste tërë bukuria e Dardhës, tërë vepra e piktores Natyrë që e stolisi me ngjyrat më tërheqëset në këtë vend klimaterik me vlerë të madhe. Dhe tani Dardha çmohet si vend i tillë dhe prandaj, vijnë këtu nga të gjitha vendet e Shqipërisë për ta kaluar stinën e verës. Dardha u bë një vend verimi me rëndësi në qarkun e Korçës. Për këtë kontribuoi natyra dhe Dardharët. Bënë sakrifica, shkrinë mendime jo vetëm dardharët që banojnë sot në këtë katund-qytet, por edhe bijt e Dardhës që ndodhen në Amerikë, Rumani dhe Greqi. Këto kanë qenë kurbetet e Dardharëve. Aje kanë formuar shoqëri, kan mbajtur të pasur zjarrin e dashurisë për Atdhenë e tyre, kanë ruajtur kombësinë dhe i kanë ndihmuar Shqipërisë dhe Dardhës. I pari klub shqiptar në Amerikë u themelua nga Dardharëst më 1909, në E Cabridge, Mass. Sot Shoqëria “Bleta” e Dardharëve të Rumanisë kanë dërguar të holla, me të cilat është ndërtuar shkolla, janë hapur rrugë, janë bërë çezma. Ujët për të pirë, është i bollshëm në Dardhë.

Si e kalojnë kohën ata që verojnë në Dardhë?

Pranë pyllit të Shën Thanasit, në një pozicion të përshtatshëm dhe të bukur, ndodhet hoteli “Tursit-Park”. Kopshti i bukur i këtij lokali mbledh të gjithë sa verojnë në Dardhë. Lark nga fshati në një lartësi 1344 m. (qendra e Dardhës ka lartësinë 1316 m.), “Turist-Park” u fal vizitorëve vendin më të përshtatëshëm për të kaluar ditën. Ata që banojnë nëpër shtëpit dhe hotelin që ndodhet brenda në fshat, e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në kopshtin e bukur të “Turist-Park”-ut. Vizitorëve të Dardhës nuk u mungon asgjë. Dardharët e kanë të zhvilluar shumë ndjenjën e hospitalitetit, u ndihmojnë dhe u sjellin lehtësira atyre që vijnë për verim. Si të zhvilluar që janë, e kanë kuptuar se për vendin e tyre turizmi përbën një të ardhur me rëndësi, e vetmja e ardhur që mund të ketë sot Dardha. Aqë privatët sa edhe shoqëria “Shpresa” e Dardharëve bëjnë çmos për t’a bërë Dardhën të vizitohet sa më shumë nga shqiptarët dhe nga të huajt. Kjo shoqëri mban në disa të ndara të ndërtesës së shkollës zyrat e saj dhe bibliotekën. Librat e kësaj biblioteke janë botime shqipe të vjetra dhe të reja. Një shumicë e tyre janë prej bibliotekës së klubit të të “Rinjëve Dardharë të Amerikës”, me qenë se pas shpërnmdarjes së këtij klubi, pasuria shkoi në posedim të Shoqërisë “Shpresa” të Dardhës. Qënia e kësaj biblioteke me një rregullim të vogël, munt t’u shërbejë për studime jo vetëm Dardharëve, por edhe vizitorëve që vijnë këtu. Nuk duhet lënë pa u përmëndur edhe ujët mineral që ndodhet 10 minuta larg qendrës dhe që përdoret si pas rekomandimeve të mjekëve për sëmundje të stomakut dhe të veshkave. Si përfundim duhet thënë se Dardha qëndron në rradhë e parë të vëndeve t’ona klimaterike si klimë dhe si shoqëri e zhvilluar./Memorie.al

SHKARKO APP