Demalia: Rama, i pari që duhet të largohet! Nuk e di nëse mund të quhet fytyrë e re zonja Bozo
Analisti Ilir Demalia, në një intervistë për RTV Ora nga Boston, komentoi “figurat e reja” të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit.
Sipas Demalisë, i pari që duhet të largohet është vetë kryeministri Edi Rama.
“Nuk mendoj se këtu është çështje figurash të reja dhe figurash të reja sepse figurat e reja janë po aq të vjetra sa vetë Partia Socialiste tashmë e konsumuar, e korruptuar. Është çështje e fasadës që do të luajë Rama pasi PS është konsumuar 8 vjet në pushtet. Ka aferra korruptive pafund, ka skandale pafund, ka paaftësi të kësaj partie në ngritjen e institucioneve, që i ka shkatërruar fare dhe sot problemi më i madh në Shqipëri është se Shqipëria nuk funksionon si shtet. Një shtet funksionon me institucione dhe jo me banda politike siç po ndodh në Shqipëri këto 30 vjet. Kështu që Rama është shkaktari kryesor dhe ai është i pari që duhet të largohet, bashkë me partinë e tij”, tha Demalia.
“Nuk e di nëse mund të quhet fytyrë e re zonja Bozo?! Ose doktoresha Najada Çomo? Nuk e di a mund të quhen fytyra të reja, për më tepër zonja Çomo, nuk e di sa të vërteta janë, por duhet vërtetuar. Këtu nuk është fjala për fytyra të reja, fytyra të vjetra, se Ramës nuk i interesojnë njerëz të tillë. As Ramës dhe as kryetarëve të partive të tjera. Ramës i interesojnë “yesmen”, që do ti thonë “po”, por që i sjellin një portret të ri se ai vetë është i ndërgjegjshëm PS tani ka degraduar dhe e vetmja arsye që Rama vazhdon është se njerëzit nuk kanë besim as në atë që quhet opozitë”, vijoi më tej Demalia.