Demokratët duhet ta ruajnë organizatën e tyre, PD është garancia për ekuilibër…

Nga Indrit Vokshi

Një analizë:

PD u rrit me 15 mandate.

40.000 vota potencialisht opozitare i morën partitë këpurdha të formuara para zgjedhjeve, 83.000 vota enigmatike dolën të pavlefshme. Janë shumë.

Pse nuk i mbajti PD-ja Jozefinë, Patoz etj, meqenëse këta kishin nga 500 vota? E para sepse nuk mbahen përjetësisht të njejtët njerëz. Politikanët e zgjuar e kuptojnë se organizata ripërtërihet. Nuk do jenë gjithmonë. Cikli i tyre mbyllet, jo për fajin e tyre por sepse e tillë është politika. Ndaj rishfaqin besnikërinë dhe luajnë për influencë për të rritur dikë tjetër, mik, shok apo edhe familjar. Siç ndodh kudo. Këta nuk e bënë, dëshmuan se nuk ishin politikanë “deep state”, madje as tek niveli i Sërvet Pëllumbit nuk arrinin. U vunë në shërbim të kundërshtarit tradicional, me qëllim për t’i hequr ish partisë së tyre nga një mandat në çdo qark. Sipas këtij kodi zgjedhor, mandati të humb për 30 vota. Dhe kështu për kaq pak vota i humbën PD-së dy mandate së paku. Edhe kjo skemë, ka ndodhur tanahërët në politikë. Në Mesjetë, princat të cilët nuk arrinin të hipnin në fron, komplotonin me mbretërinë kundërshtare, kundër vëllait apo kushëririt, që ta mposhtte me luftë kundërshtari e ata pastaj ta rrëzonin e t’i merrnin fronin. E vjetër sa bota kjo lojë. Ska asgjë të çuditshme.

PD duke mos qenë organizatë e konsoliduar, pas vitit 2013 u çmontua. Bosët e mëdhenj të partisë, ata që gëzuan privilegjet, nuk e panë si organizatën e tyre ku duhet të rrinin dhe pse jo të zgidhnin edhe qesen për të financuar fushatat. Gjykuan se liderit të ri nuk i takon lidershipi ngaqë erdhi i katapultuar. Dhe e demonstruan haptas. Nuk i puthën dorën. E quajtën ulje. Ata nuk kuptuan apo nuk deshën ta pranojnë se partitë ecin kështu. Në 1991, Fatos Nano kishte pak ose aspak kontribut në parti në raport me të tjerët. Ama Ramiz Alia e mori dhe e vuri kryetar. Sepse partisë i duhej rinovimi dhe legjitimiteti kombëtar dhe ndërkombëtar. Edi Rama gjithashtu, nuk ishte aktivist i PS, shumëkujt i takonte para tij të ishte kryetar i PS. Organizata e pranoi sepse i duhej legjitimiteti që Rama mund tua ofronte prej lidhjeve me të huajt. PS mbeti e fortë sepse si organizatë e vjetër me përvojë prej vitit 1941, arriti të mbetet e organizuar dhe të kuptojë qartë pozicionin e saj në raport me “kapitalizmin” shqiptar dhe pozicionin në raport me forcat jashtë Shqipërisë. Prandaj “mori me qera” dy kryetarë jo shumë të lidhur me partinë sepse ata mund t’i jepnin atë çfarë i mungonte në atë moment. Mund t’i jepnin atë çfarë Sali Berisha i dha PD-së. Berisha, intelektual nga komunizmi i dha Partisë Demokratike atë për çfarë kishte nevojë për të qenë parti e madhe dhe fituese. Edhe bosët e PD, duhet ta shihnin liderin e ri me ketë logjikë. Mirëpo nuk e panë ashtu, për arsye që na bie gjatë t’i shtjellojmë.

Sot PD duhet të kuptojë se është organizatë politike. Duhet të kuptojë se pas dy traumave, asaj të 2013 dhe asaj të 2017, ka arritur të ngrihet në 59 mandate. Është më e rritur, ka më shumë besim popullor për të. Në vazhdim nuk ka gjasa të bjerë më poshtë se 59, përkundrazi, ka shanset vetëm të rritet. Gjithmonë nëse do mbahet e do ruhet. Demokratët duhet ta ruajnë organizatën e tyre, asetin e tyre sepse PD është garancia për balancim politik dhe ekonomik në shoqërinë shqiptare. Duhet të mësojnë prej të shkuarës dhe të mos e dëmtojnë ketë organizatë e aset.

SHKARKO APP