Dëshmia e nënkolonelit të komandos tankiste që mbronte Bllokun
Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Irfan Moravës me origjinë nga Korça, i cili duke dashur që të ndiqte rrugën e babait të tij, Hamdiut, ish-ushtarak në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe pedagog në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, ndoqi mësimet në Shkollën Ushtarake të Kadetëve “Skënderbej” dhe më pas Akademinë Ushtarake, të cilat i përfundoi me rezultate të larta dhe më pas shërbeu në disa rrethe të vëndit si komandant i disa njësive. Dëshmitë e nënkolonel Moaravës për ngjarjet e vitit 1974 -’75-së, kur Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së filluan goditjen ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri” me në krye, Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon, etj., ku edhe ai përfundoi pas hekurave të burgut, pasi konsiderohej njeri i afërt i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe në bisedat që bënte me kolegët e tij, i merrte ata në mbrojtje, duke mos qenë i bindur në atë që thoshte Partia, se ata “ishin armiq të popullit”.
“Reparti që komandoja unë në Zall-Herr së bashku me Brigadën e Tankeve që ishte instaluar në kodrat e Saukut, kishin si detyrë funksionale që të mbronin qytetin e Tiranës si dhe institucionet kryesore si: Komitetin Qëndror, Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendit Popullor, Bllok-un e udhëheqjes, etj. Në atë kohë që filloi goditja ndaj Beqir Ballukut dhe kuadrove kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes, unë në ndërgjegjen time nuk isha i bindur me akuzat që ngriheshin nga udhëheqja e lartë në drejtim të tyre, dhe herë pas here këto gjëra i bisedoja me ndonjë koleg timin, në rrethe shumë të ngushta. Në atë kohë unë isha më se i bindur se vala e goditjes që kishte filluar ndaj krerëve kryesor të Ushtrisë, do të shtrihej edhe më gjërë, e do të vinte deri në nivelet tona drejtuese, pasi përveç të tjerave, në opinionin e ushtarakëve unë njihesha si njeri i afërt i Petrit Dumes e Hito Çakos”. Kështë dëshmonte nënkoloneli në pension, Irfan Morava, ish ushtarak i karrierës me funksione të larta drejtuese, i cili tregon të gjithë historinë se si u arrestua në vitin 1975-së dhe u dënua me shtatë vite burg, i akuzuar si “përkrahës i grupit puçist të Beqir Ballukut”. Kush është Irfan Morava, cila është e kaluara e tij dhe çfarë qëndrimi mbajti ai në vitin 1974, kur filloi goditja ndaj së ashtuquajturës “kasta e ushtarakëve madhor?
Babai, ushtarak i lartë i Zogut
Irfani, lindi në vitin 1933 në fshatin Gracë të Devollit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i Irfanit, Hamdi Morava, nga fundi i vitit 1929, u largua nga fshati i tij i lindjes dhe u vendos familjarisht në Tiranë. Lidhur me këtë Irfani tregonte: ”Arsyeja e largimit të babait tim nga fshati, erdhi pasi kryeministri Ahmet Zogu e kishte titulluar atë oficer të karrierës, duke e emëruar si komandues në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve, që ishte hapur asokohe në periferi të kryeqytetit. Për dhjetë vite me rradhë, nga 1929-ta e deri në vitin 1939-ën, kur ajo shkollë u mbyll pas agresionit fashist ndaj Shqipërisë, babai shërbeu aty si komandues e pedagog. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, babai u emërua si oficer në Degët e Rekrutimit të Korçës dhe Gostivarit, qytet i cili në atë kohë ishte nën administrimin e shtetit shqiptar. Në Gostivar, Hamdiu kishte si koleg dhe mik të ngushtë, ushtarakun Sulo Shehu nga Çorushi i Mallakastrës, i cili ishte xhaxhai i Mehmet Shehut. Në tetorin e vitit 1944, Hamdiu së bashku me Sulo Shehun u arrestuan nga gjermanët për shkak të ndihmës që ata i kishin dhënë brigadave partizane dhe Lëvizjes Antifashiste. Pas arrestimit nga gjermanët, ata u dërguan në burgun e Prishtinës, ku dhe u liruan më pas me ndëryhrjen e disa politikanëve të lartë kosovarë, që ata i kishin miq të ngushtë. Pas lirimit të tyre nga burgu i gjermanëve, babai u kthye në Gostivar e më pas familjarisht u kthyen në Tiranë. Duke pasur parasysh qëndrimin që kishte mbajtur babai gjatë periudhës së pushtimit, me urdhërin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Mehmet Shehut, në vitin 1945-së, babai u emërua oficer në Shkollën Ushtarake “Skëndërbej”, që do hapej në atë kohë në Tiranë”, kujtonte Irfan Morava, për babain e tij Hamdiun, i cili pasi kishte shërbyer për dhjetë vite si oficer i Zogut, do të shërbente edhe nëntë vite të tjera si oficer në regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Karriera ushtarake e Irfan Moravës
Që kur ishte fare i vogël, Irfan Morava kishte dëshirë që të bëhej oficer ashtu si i ati i tij. Lidhur me këtë dëshirë të cilën ai do ta bënte realitet, Irfani kujtonte: ”Pas mbarimit të shkollës fillore në qytetin e Korçës, në vitet 1940-‘44, ne familjarisht shkuam në qytetin e Gostivarit, ku ishte transferuar babai. Pas kthimit nga Gostivari për në Tiranë, unë vazhdova shkollën që kisha lënë pa mbaruar dhe në vitin 1946-të, u regjistrova në Shkollën Ushtarake të Kadetëve, ”Skënderbej”, ku një nga oficerët që ishin caktuar për themelimin e saj ishte dhe babai im Hamdiu. Pas mbarimit të asaj shkolle, në vitin 1950-’52, mbarova dhe një kurs për oficer në Shkollën e Mesme Ushtarake, ku m’u dha grada e nëntogerit, pasi dola me rezultate të larta. Nga viti 1953 e deri në vitin 1955-ën, shërbeva me detyrën e instruktorit pranë Drejtorisë së Stërvitjes në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe në vitin 1956, më transferuan si oficer në shkollën ”Skënderbej”. Pasi punova për dy vite në atë shkollë, ashtu si shumë ushtarakë të tjerë të asaj kohe që lëvizeshin me dhe pa kriter nga një qytet në tjetrin, ashtu dhe unë në vitin 1958-të, u transferova për në qytetin e Përmetit dhe dy vite më vonë në atë të Vlorës, ku u shpërngul Brigada e Përmetit. Në shtatorin e vitit 1960-të, m’u dha e drejta për të ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake në Tiranë, e cila sapo ishte hapur dhe unë isha me kursin e parë të oficerëve që studiuan pranë asaj akademie tre-vjeçare. Gjatë tre viteve që studjova në degën e Këmbsorisë, për çdo vit dola me rezultate të larta, duke u vlersuar si një nga studentët më të mirë. Pas mbarimit të saj, në vitin 1965-së, më emëruan me detyrën e Komandantit të Batalionit në Kalanë e Dodës, të rrethit të Dibrës, njësi e cila asokohe varej nga Brigada e Kukësit, që komandohej prej Maliq Sadushit. Për rezultatet e mira që arriti ai batalionin që komandoja unë aty në Kalanë e Dodës, në vitin 1966-të, mua më zgjodhën si delegate në Kongresin e Pestë të PPSH-së”, kujton Irfan Morava lidhur me shkollimin e tij dhe lëvizjet e shpeshta si ushtarak, nga një rreth në tjetrin.
Në mbrojtje të “Grupit puçist”
Pasi Irfan Morava shërbeu për disa vite në disa rrethe të vendit, në vitin 1968-të, atë e transferuan dhe e sollën në Tiranë, duke e emëruar me detyrën e Komandantit të Batalionit të transportuesëve të blinduar, në Brigadën e Tankeve të Saukut. Lidhur me këtë, Irfani tregonte: ”Në atë detyrë shërbeva për tre vite dhe në 1971-in, më transferuan përsëri për në Brigadën e Tankeve të Zall-Herrit, ku më emëruan me detyrën e Komandantit të Batalionit të Transportuesëve të Blinduar, ashtu siç isha dhe në Brigadën e Saukut. Një vit më vonë, në 1974-ën, u emërova me detyrën e Komandantit të Regjimentit të Zall-Herrit, repart i cili së bashku me atë të Tankeve të Saukut, kishin si detyrë funksionale mbrojtjen e Tiranës dhe institucioneve kryesore si Komitetin Qëndror, Kryesinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryeministrinë, Bllok-un e udhëheqjes etj. Në atë kohë që Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së, filluan goditjen ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut, e më pas edhe ndaj dy zëvëndësve të tij, Petrit Dumes e Hito Çakos, që mbanin postet e Shefit të Shtatmadhorisë, e Drejtorit Politik të Ushtrisë, unë ndodhesha me detyrën e komandantit të asaj njësie, që kishte detyra shumë delikate. Ashtu si në të gjitha repartet e Ushtrisë edhe tek ne, në atë kohë filluan të bëheshin mbledhje partie të njëpasnjëshme, për të sqaruar kuadrot për mbledhjet dhe vendimet që merrte Byroja Politike, në lidhje me goditjet që po bëheshin në “kokën e Ushtrisë”. Përveç këtyre mbledhjeve, në atë kohë me urdhërin e Enver Hoxhës, u zvogëluan në minimum të gjitha kopetencat që kishin ushtarakët e lartë dhe drejtuesit e ndryshëm të Ushtrisë. Në rast se deri në atë periudhë kohe, një Komandant Brigade, kishte kopetencë që të ngrinte në alarm një Batalion, në atë kohë që ndodhën këto, Komandanti i Brigadës mund të ngrinte në alarm, vetëm një togë, dhe atë pasi të merrte miratimin e instancave eprore. Po kështu, u centralizuan në maksimum edhe lëvizjet më të vogla në Ushtri dhe për gjithçka ne duhet të merrnim leje në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila dhe ajo ishte e gjitha nën survejim të Sigurimit të Shtetit. Të gjitha këto bëheshin ndoshta nga paranoja e Enver Hoxhës, i cili kishte frikë nga ndonjë puç ushtarak, gjë e cila ekzistonte vetëm në mëndjen e tij. Në mbledhjet që bëheshin në atë kohë, ne na kërkohej që të shprehnim qëndrimin tonë ndaj krerëve kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të solidarizoheshim me vendimet e Byrosë Politike për dënimin e tyre. Në ndërgjegjen time, nuk isha aspak i bindur se Beqir Ballkuk me Petrit Dumen, e Hito Çakon, të ishin sabotator dhe tradhëtarë, ashtu siç na servireshin ne nga udhëheqja e lartë. Këtë gjë unë nuk mund ta besoja kurrë dhe mendoja të kundërtën, duke i vlersuar ata si kuadro të aftë, të përkushtuar dhe besnik të detyrës që kishin ushtruar për vite në krye të Ushtrisë. Këto vlersime që unë i kisha për ta, nuk ishin pa baza dhe vinin pasi i njihja nga afër, për shkak të marëdhënieve të punës që kisha pasur me ta. Ato mendime që kisha unë për udhëheqjen e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, herë pas here i bisedoja vetëm me ndonjë koleg në rrethe shumë të ngushta dhe isha i bindur se vala goditëse që kishte nisur ndaj krerëve kryesor të Ushtrisë Shqiptare, do të vinte deri në nivelet tona komanduese. Për këtë gjë isha më se i bindur, nisur nga fakti, se në atë kohë në opinionin e ushtarakëve, unë njihesha si njeri i afërt Petrit Dumes dhe Hito Çakos” kujtonte nënkoloneli në pension, Irfan Morava, atë periudhë kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Beqir Ballukut e ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Arrestimi dhe dënimi me 7-vite burg
Çfar ndodhi më pas me Irfan Moravën, i cili ishte rekomanduar prej Petrit Dumes në detyrën e Komandantit të Regjimentit të Transportuesëve të blinduar në Zall-Herr, njësi e cila në atë kohë kishte si detyrën kryesore mbrojtjen e Tiranës? Lidhur me këtë, nënkolonel Morava tregonte: ”Bindja ime që vala goditëse që kishte nisur ndaj Ushtrisë Shqiptare do të zbriste deri në nivelin e komandantëve të njësive, nuk ishte e gabuar. Kjo gjë ishte e pashmangshme për arsye se udhëheqja e lartë, i dinte relatat dhe konsideratat që kishim ne me udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato që ata kishin me ne. Në këtë kontekst, në janarin e vitit 1975-së, Drejtoria e Kuadrit e Ministrisë së Mbrojtjes, më komunikoi lirimin nga detyra dhe nxjerrjen në pension të parakohëshëm. Kjo ishte vetëm fillimi dhe unë e ndjeja që e keqja më e madhe do të vinte më pas. Këtë bindje e forcova më tepër pasi menjëherë pas lirimit, fillova të survejohesha rregullisht nga Sigurimi i Shtetit dhe njerëzit e tij, të cilët më ndiqnin në çdo hap dhe më bënin pyetje provokuese. Kjo situatë nuk zgjati më shumë se tre-katër muaj dhe në 30 prill 1975-së, oficerët e Sigurimit dhe hetuesit e Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, erdhën dhe më arrestuan në shtëpinë time. Pas arrestimit, ata i bënë dhe një kontroll të imët shtëpisë dhe konfiskuan disa punime ushtarake të miat, si dhe disa fotografi të prera, ku kisha dalë me Beqir Ballukun dhe kuadrot e tjerë të Ushtrisë që në atë kohë ishin shpallur armiq. Në atë kohë u arrestuan dhe disa oficerë të tjerë, si: Xhevat Alibali, Halil Laze, Drago Isufi, Shaban Reçi e Saimir Maloku. Hetuesinë ma bënë në repartin 313-të dhe akuza ndaj meje ishte “Veprimtari armiqësore ndaj popullit, vëndit dhe Partisë, në bashkëpunim me grupin puçist të Beqir Ballukut”. Gjatë hetuesisë, më kërkohej të pranoja se të gjitha stërvitjet që kishim bërë me repartin që komandoja, ishin në funksion të realizimit të puçit ushtarak të Beqir Ballukut e bashkëpunëtorëve të tij. Pasi kjo akuzë absurde nuk u vërtetua asnjëherë dhe atë e kishin hedhur poshtë edhe vetë Beqir Balluku me Petrit Dumen e ish-gjeneralët e tjerë, mua më lanë vetëm akuzën e agjitacionit e propagandës, ku thuhej se kisha lavdëruar e marrë në mbrojtje armiqtë e partisë dhe të popullit, duke thënë se ata nuk ishin puçistë. Gjyqi ndaj meje u zhvillua më 30 gusht 1975-së në Gjykatën e Tiranës nga një kolegj civil, dhe ato dy-tre ditë, u bllokua e gjithë Rruga e Durrësit, nga Zogu i Zi e deri në qëndër. Të gjitha këto bëheshin për të treguar “rrezikshmërinë” që paraqisja unë si ushtarak dhe bashkëpunëtor i “Grupit Puçist”, e përfundon rrëfimin e tij nënkoloneli në pension, Irfan Morava, i cili vuajti dënimin për shtatë vite në burgjet e regjimit komunist, për të vetmen arsye se kshte pasur marrëdhënie pune me Petrit Dumen e Hito Çakon, që Enver Hoxha i shpalli “armiq të popullit” dhe i pushkatoi, ashtu siç kishte bërë dikur mësuesi dhe babai i tij shpirtëror. Josif Visarianoviç Stalin në Rusi me ushtarakët madhorë në vitet ’30-të, apo Mao Tse Tung-u me ministrin e Mbrotjes, Lin Biaon./Memorie.al