Dëshmia e poetit dhe ish-deputetit: “Ramiz Alia më dënoi 4 vjet në prodhim për një poezi”

Dashnor Kaloçi

Memorie.al/Ndërsa kishte botuar poezitë e para me ndihmën e përkrahjen e Kadaresë dhe Agollit, duke u vlersuar një poet i ri me të ardhme, u sulmua ashpër nga Ramiz Alia, i cili poezitë e tija i quajti të denja për gazetën “Lë Mond”. Pas kësaj Komiteti i Partisë i Lushnjes dhe vetë Sekretari i Parë, I Rrapi Gjermeni, e thirrën në disa mbledhje, ku e demaskuan si “armik që kishte bërë thirrje për përmbysje të pushtetit popullor”. Kështu i ka ndodhur poetit të njohur Faslli Haliti, autor i mbi 20 vëllimeve me poezi dhe ish-deputet i Partisë Socialiste në vitet 1998-2005, i cili në 1973 “për gabime ideore” u hoq nga mësues dhe u dërgua në prodhim duke punuar për katër vjet në Kooperativën e Fier-Sheganit në Lushnje. Për të gjitha ato peripeci, Haliti dëshmon në intervistën ekskluzive për Memorie.al që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.

Haliti: Agolli dhe Kadareja më mbrojtën nga sulmet e Sekretarit të Parë të Lushnjes

Ndërsa poeti i ri Faslli Haliti kishte përkrahjen e shkrimtarëve të njohur Kadare dhe Agolloi, atë e sulmonin në Komitetin e Partisë të Lushnjes. Lidhur me këtë, ai kujton: “Pas botimit të ciklit me poezi në “Drita” më takoi Dritëroi dhe më tha: ‘Ishte cikël shumë i fortë dhe realist. Edhe unë bëj poezi por nuk shkruaj dot vjerasha të tilla’. Për atë cikël pata lavdërime edhe nga ministri i Kulturës, Dashnor Mamaqi, i cili në një mbledhje me gazetarët e “Zëri i Popullit” kishte thënë: ‘Ja vjersha të tilla si na duhen ne’. Por ndryshe qëndronte puna në Komitetin e Partisë të Lushnjes, i cili me nxitjen dhe insistimin e Sekretarit të Parë, Rrapi Gjermeni, më sulmonte ashpër duke vënë kundër meje një grup nxënësish që bënë një kritikë në gazetën lokale “Shkëndia”. Me atë gazetë në dorë unë shkova tek Kadareja, i cili më tha: ‘Kjo kritikë duhet të kritikohet. Për këtë poemë mua më ka folur fjalët më të mira edhe Ramiz Alia. E di ç’ke ti Faslli, mbylle në një zarf këtë kritikë që të ka bërë “Shkëndia” dhe postoja kryeministrit Mehmet Shehu, e thuaji: Kjo është demokracia jote?! Pas takimit me Kadarenë, i cili ishte shumë i revoltuar, me gazetën “Shkëndia” në dorë unë vajta përsëri tek Dritëroi, i cili më tha: “Kjo nuk është kritikë, por akat-akuzë dhe me këtë ti vete në burg”.

Zoti Haliti, si i kujtoni fillimet e para në rrugën e poezisë?

Poezitë e para unë i kam botuar në gazetat e murit në fundin e viteve ’50-të kur vazhdoja Liceun Artistik për pikturë në Tiranë dhe një shtysë të madhe për të shkruar më dhanë mësuesit e mij të nderuar, Pandora Dedja dhe Qemal Xhomo. Poezinë e parë e kam botuar në 22 prill 1963 në gazetën “Zëri i Rinisë” në rubrikën: ‘Zëra të rinj’, poezi e cila i tërhoqi vëmëndjen e Kadaresë, i cili më thirri dhe më botoi një cikël te gazeta “Drita”. Që nga ajo kohë ai vazhdoi të më përkrahte dhe të më botonte vazhdimisht poezi, të cilat unë ia dërgoja me “Piktorin e Popullit”, Skënder Kamberi.

Pra, Kadareja dhe Agolli iu kanë përkrahur fillimisht për t’u afrimuar si poet?

Po ashtu është, me përkrahjen e Kadaresë u afirmova disi si poet i ri dhe në vitin 1966, botova librin e parë me poezi të titulluar “Sot”, për të cilin Ismaili bëri një shkrim lavdërues tek “Drita”. Atë shkrim Kadareja e përmblodhi në 1972-in tek libri i tij “Autobiografia e popullit tim në vargje”. Por ndërsa kisha përkrahjen e shkrimtarëve dhe poetëve të njohur, në atë kohë unë u sulmova ashpër nga Komiteti i Partisë i Lushnjes.

Përse ndodhi kjo?

Faktikisht unë kam pasur probleme me kritikën që në poezitë e para, kur më nxorrën në “Hosteni” te rubrika “Xhevahire shtypi”, por ato nuk ishin gjë fare, nga ç’e pësova më pas.

Pse çfarë ndodhi me ju, ç’ishte ajo kritikë?

Kritika e parë e ashpër kundra meje u bë në dhjetor të vitit 1966 në “Drita” nga Vangjush Zallëmi, i cili më kritikonte për poezinë “Kundër shtërgëve”. Në fakt Zallëmi ishte i shtyrë nga Komiteti i Partisë i Lushnjes, sepse pak para atij shkrimi, mua më thirri sekretari për Ideologjinë e Propagandën dhe më tha: “Ç’është kjo poezi, ti je kundër shtërgëve. D.m.th. që pranverë ka vetëm në Perëndim, kurse këtu tek ne ka vetëm baltë e shi dhe bëhet qameti. Kështu na e paraqet ti vëndin tonë për ibret”.

Si iu përgjigjët ju?

Unë i thashë: “Drejtohuni shtypit që ma ka botuar” dhe pas kësaj doli shkrimi i Zallëmit. Pas shkrimit u bë mbledhja në Komitetin e Partisë që e drejtonte vetë Sekretari i Parë, Rrapi Gjermeni, i cili më kritikoi ashpër me formulën e njohur “nxirje të realitetit”. Ndërsa desha të shpjegohesha, ai më tha: “Mbylle gojën, se kozmopolitizmin s’ e kuptoj dot unë dhe jo ti”. Edhe pas asaj mbledhje unë vazhdova të botoj, por sulmet nga apartçikët nuk reshtnin. Kështu ndodhi në vitin 1972, kur Sulejman Mato, më botoi një cikël te “Drita”, i cili u konsiderua si nxirës i realitetit dhe pas tij për mua filluan telashet e peripecitë e mëdha.

Çfarë ndodhi konkretisht?

Komiteti i Partisë në Lushnje u alarmua shumë pasi në atë cikël unë kisha një poezi me titull “Djali i Sekretarit”, dhe spunton e kisha marrë nga ngjarje reale të qytetit tonë. Prej kësaj, Rrapi Gjermeni u ngacmua shumë dhe në dhjetor të vitit 1972, kur botova poemën “Dielli dhe rrëkerat”, filloi goditja e madhe ndaj meje, të cilën ai e nxiste dhe e dirigjonte vetë personalisht. Fillimisht Rrapi nxiti një mësues letërsie pa diplomë dhe ai instruktoi 10 gjimnazistë, të cilët bënë një shkrim kundër meje në gazetën “Shkëndia” të Lushnjes, me titull “Dielli dhe një xhambaz”, (titull që u zbut më pas).

Ç’farë thuhej në atë shkrim?

Aty thuhej se gjoja unë me “qitje të largët” kisha bërë thirrje për përmbysje me dhunë të pushtetit popullor. Pas botimit të atij shkrimi u bë një mbledhje në Shtëpinë e Kulturës, ku i deleguar nga Komiteti Qëndror, ishte Pipi Mitrojorgji, kurse nga Lidhja e Shkrimtarëve, Teodor Laço. Aty u fol pro dhe kundër meje, por Laço më mbrojti duke thënë: “E po, pema me kokrra goditet me gurë”. Pas kësaj unë vajta tek Kadareja, i cili më ndihmoi që të takoja Ramiz Alinë.

Si ju priti dhe çfarë u tha Ramiz Alia?

Ramizi në prezencë të Prof. Hamit Beqes dhe me dy gazetat (“Zëri i Rinisë” e “Shkëndia”) në dorë më tha: “Të paskan tmerruar lushnjarët me këtë kritikë. Poema është e gabuar ideollogjikisht, por ne nuk jemi dakort me këtë kritikë që të bëhet ty. Prandaj do t’u heqim vërejtje shokëve të “Shkëndisë” dhe atyre të Komitetit të Partisë”. Ramizi u revoltua shumë pasi në një vënd të kritikës kundër meje thuhej “sa s’është vonë” dhe ai tha: “D.m.th. sa pa të futur në burg”.

Pra, Ramizi ju mbrojti?

Fillimisht ashtu u duk dhe unë u qetësova disi nga fjalët e Ramizit, por ajo qetësi s’ zgjati shumë se ai ndryshe kishte folur në një mbledhje me punonjësit e shtypit ku kishte thënë: Ju të “Zërit të Rinisë” keni botuar poemën “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Halitit që është e denjë për tek “Lë Mond” dhe shkrimet e Viktor Qyrkut janë të denja për te “Pravda”. Pas fjalës së tij, Sekretari i Parë i Lushnjes, Rrapi Gjermeni mori zemër dhe më thirri mua në një mbledhje tjetër në Komitetin e Partisë, ku kishte thirrur dhe të gjithë lukuninë e beniaminëve të tij, me në krye Gazmend Kongolin, i cili ishte kamzhiku kryesor i artistëve dhe shkrimtarëve të rrethit tonë.

Ç’ndodhi në atë mbledhje?

Mbledhja bëhej vetëm për mua dhe aty më mbajtën 4 orë në këmbë. Ishte fundi i marsit 1973 dhe në atë kohë kishte filluar goditja ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Gjermeni më konsideroi “armik që kisha mobilizuar llumin duke i bërë thirrje që të kapnin armët për të përmbysur pushtetin popullor”. Ndërsa Gazmend Kongoli tha: “Kjo poemë godet pushtetin popullor brinjë më brinjë”.

Ç’farë ndodhi me ju pas asaj mbledhje?

Nga mësues gjuhë-letërsie në qytetin e Lushnjes, mua më dërguan në prodhim, në Kooperativën Bujqësore të Fier-Sheganit, në kufi me Beratin, ku punova për 4 vjet në të gjitha punët e krahut të buqësisë. Po kështu edhe bashkëshorten time, Nirvana Xhomo, e dërguan 20 vjet mësuese në fshat. Unë nuk u ankova, pasi thashë se shyqyr shpëtova me aq, pasi kishte dhe më keq. Por një student i ri nga Lushnja, Fatbardh Rustemi, i bëri letër Enver Hoxhës duke iu ankuar për dënimin tim dhe privilegjet e Gazmend Kongolit e kompani.

Ç’ndodhi pas asaj letre?

Bardhin e thirrii Dekani i Fakultetit dhe i tha: “Keni shqetësuar shokun Enver”, por Bardhi me trimëri iu përgjigj: “Më lejoni ta takoj e ta qetësoj”. Pas katër vjetësh në kooperativë, më thanë të bëja kërkesë dhe më pranuan përsëri në Arsim. Që nga ajo kohë vazhdova të shkruaja dhe të botoja përsëri./Memorie.al

 

SHKARKO APP