Dhimitër Telezi, skulptori i veprave historike

 

Nga Hyqmet Zane

Atmosfera politike e ndezur dhe e acaruar nuk mund të jetë shkak që në opinionin qytetar shqiptar të harrohen momente kur nga jeta ndahen personalitete të artit e kulturës, siç mund të cilësohet i tillë edhe Dhimitër Telezi, skulptori elbasanas që bëri histori me veprat e tij. I lindur dhe i rritur në një ambient akademikësh siç njihet lagja “Kala” e Elbasanit, ky qytetar i nderuar i qytetit të vlerave të mëdha e vuri veten në rolin e një transmetuesi artistik me veprat e tij skulpturore. Këtu nuk bëhet fjalë për lindjen dhe vdekjen e një njeriu, por për lindjen e njerëzve që në jetën e tyre iu përkushtuan vlerave dhe bënë vepra të mëdha, autentike dhe të papërsëritshme në gjininë e tyre. Megjithëse jo në një ambient kushtesh që të motivojnë për një punë edhe më voluminoze në shërbim të profesionalizmit të një njeriu që duket se ia përkushtoi gjithë jetën e tij skulpturës në funksion të historisë së një qyteti dhe kombit. Ashtu siç do ishte një tip i pasionuar për familjen me bashkëshorten e tij Tana dhe fëmijët, me krijimin e një mikroambjenti tipik në shtëpinë e tij në qendër të Kalasë së vjetër, Dhimitër Telezi do mbetet i paarritshëm në krijimin e një makroambjenti historik për të pasqyruar ato momente të historisë së një qyteti që meriton të cilësohet kryeqyteti i gjuhës shqipe dhe i arsimit. Ndoshta kjo është arsyeja që punë dhe vepra të tilla si "Mësimi i gjuhës shqipe nga Kostandin Kristoforidhi" që ndodhet në Elbasan e vendosur në murin e kalasë përbri shtatores së Aqif Pashë Biçakut (Elbasani) apo "Kongresi i mësonjëtoreve të para shqipe" e vendosur në shkollën pedagogjike, janë mishërim i shpirtit të një artisti që jeton mes vlerave dhe gdhënd vlera, që përjeton historinë e qytetit të tij në shërbim të kombit dhe i përjetëson ato në bronz dhe të skalitura në memorien e një qyteti. Koha e shkurtër jetësore e një njeriu me gjatësi vlerash në të gjithë kohëzgjatjen e jetës së tij, nuk mund të bëjnë të kalojnë në heshtje e pa u ndjerë spikatjet e punës së një artisti që diti të orientohet në jetën e tij jo thjesht si një qytetar, por si një artist që ka merituar vlerësimin e intelektualëve dhe të botës së artit në të gjitha gjinitë e tij. Kur themi se këto janë vlera të një njeriu, janë veprat që ai ka lënë që e bëjnë atë të tillë, virtuoz dhe të veçantë si një personazh tipik i aritit të skulpturës në rrethana tipike të një qyteti që ka gjeneruar histori në 200 vjetët e fundit të hsitorisë sonë. "Shkolla e parë shqipe ", është një spikatje e cilësisë së Elbasanit, janë të derdhura në bronz si bazorelieve me tipe e karaktere personalitetesh që bënë shkollën dhe gjuhën shqipe në kryeqytetin e arsimit. Është një vepër që ndodhet në Elbasan e vendosur në murin e muzeut etnografik.

Kudo ku të sheh syri vepra të tilla të vendosur në pika kyçe, krahas shumë punëve të tjera të skulptorëve të këtij qyteti, do të bien në sy veprat e Dhimitër Telezit që e gdhendi jetën e tij në historinë e artit dhe të përjetësimit të momenteve më të mëdha të historisë sonë konbëtare. Kështu mund të flitet për veprat si "Shkolla e parë Normale" si një vepër e vitit 1976 që për fatin e keq u shkatërrua gjatë trazirave të vitit 1997 e ripunuar prej tij dhe që momentalisht ndodhet ne studion e tij, si një realitet që meriton vëmendjen e atyre që kanë pushtet për t’i vlerësuar dhe derdhur në bronz siç është e tillë edhe vepra tjetër skulpturore reliev e "Aleksandër Xhuvani" e vendosur në murin e shtëpisë së këtij personaliteti të gjuhësisë shqipe dhe si një akademik i paarritshëm në llojin e tij. Një tjetër vepër madhështore me përmasa 550x450cm ndodhet ne studion e tij e cila titullohet "Bukuria fizike", si dhe shumë vepra të tjera që ndodhen në disa institucione, si "busti i policit" që ndodhet në Ministrinë e Mbrojtjes apo "Onufri", "Nuredin Hoxha" që ndodhet në galerinë e arteve në Tiranë, pa folur pastaj për medalione të mëdha historike që kanë mbetur si punë të përfunduara në studion e tij siç mund të cilësohen të tillë Hasan Hoxha Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi që vetë artisti Telezi i kishte të skalitur në memorien e tij për t’i përjetësuar në art kolosët e kombit dhe historinë e ngjarjeve të mëdha.Skulptori Vladimir Caridha, miku dhe bashkëpuntori i tij thotë se Dhimitri ka qenë një artist i dashuruar pas figurave historike. “Dhimitrin e kam pasur bashkëpunëtor. Ideja dhe dëshira e tij ishte që të trajtonte figura të mëdha për ngjarje të mëdha për ti përjetësuar në art. Ai, duke qenë kalajs, ka qenë i njohur me këto figura dhe ka ditur të fusë në kokën e tij imazhe të njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit. Ai kishte një lloj dashurie për këto figura, gjente materiale për ta dhe arrinte ti punonte duke i ngritur në art”,- thotë Caridha. Ai shton se tek Dhimitri ka një frymë unike, të veçantë me një naivitet dhe një sinqeritet që e karakterizonte, e bënte Dhimitrin të dallohej nga skulptorët e tjerë. “Tek punët e tij nuk kishte detaje të tëpërta, gjithshka ishte e skalitur, kishte mendim në tërësinë e veprës që punonte. Ai mbante një stil në trajtimin e figurave që ishte karakteristikë e tija. Në veprat e tij ai nuk është fotografik, ka identitet dhe çdo detaj i skulpturës së tij është përfaqësuese. Ai i thjeshtësonte figurat dhe me këtë ai bënte më madhështoren. Janë punë që meritojnë respekt sepse ai ka ditur të hedhë në art ato që të tjerët ndoshta edhe i anashkalonin. Punët e Dhimitrit gjenden kudo në Elbasan, si tek pallati i sportit, tek muzeu etnografik, te muri i kalasë, te shkolla Pedagogjike apo si tek shtëpia e Aleksandër Xhuvanit. Një punë e madhe e tij, ka qenë bazorelievi për shkollën Normale që për fatin e keq u zhduk dhe u trajtua si material bronzi”,- shprehet Caridha.

 

BOX

Pak biografi

Dhimiter Telezi lindi më 4 tetor 1942 në Elbasan dhe arsimin 8-vjeçar e ndoqi në Elbasan, ndërsa shkollën e mesme në liceun artistik në Tiranë. Ka punuar si mësues i shkollës fillore në zonen e Shpatit, Labinotit Mal etj, dhe më pas punoi si mësues i vizatimit në shumë shkolla të Elbasanit duke e mbyllur karrierën e tij si mësues në shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan. Pasioni i tij dhe kryevepra e jetës së tij është puna në zhanrin e skulpturës duke sjellë në dritë një mori veprash që janë gdhendje të spikatura të historisë sonë kombëtare që lidhen eskluzivisht me Elbasanin.

SHKARKO APP