Diagnoza e saktë, receta e gabuar!
Nga Lutfi Dervishi –
Lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes, anonimati, copy-paste, materialet e dëmshme për fëmijët dhe informaliteti në (portale) janë probleme reale të medias së re, shto këtu edhe gjobëvënien që media e re e mësoi nga “media e vjetër”, por për të cilën pakkush flet.
Edhe ndryshimet e fundit ligjore, që u miratuan me urgjencë (a thua se pritej tërmet!) dhe që nuk dihet a ka njeri që i ka lexuar të plota, pretendojnë të “adresojnë” gjithë këto sfida profesionale dhe etike të medias duke i vendosur në shinat e ligjit.
Nëse diagnoza për gjendjen e medias së re është e saktë, receta është krejt e gabuar; rasti kur ilaçi është më i keq se vetë sëmundja.
Edhe nëse qeveria ka hartuar ligjin më të mirë në botë për median, së paku për botën perëndimore ky është një “flamur i kuq”, është një ngritje supesh dhe vetullash dhe pyetja e shkurtër PSE? merr një përgjigje tejet të gjatë. Bota “lindore” mund ta shoh me interes këtë “ligj të ri”, por ky nuk është interesi i shumicës në Shqipëri.
E dyta dhe jo më pak e rëndësishme: rregullimet ligjore për median (edhe në botën perëndimore) pranohen aty ku tregu është i kufizuar – rasti i televizioneve private që shfrytëzojnë eterin e kufizuar – një pasuri kombëtare, por jo te gazetat dhe aq më pak online.
Për kë bëhet konkretisht ky ligj?
Sa është numri i portaleve që po bëjnë gjëmën me një apo të gjitha veset e përmendura më sipër? Me shumë gjasë numri i këtyre portaleve nuk i kalon numrin e gishtave të duarve.
A na duhet ligj për 8 apo 10 portale?
Ndër problemet më të mëdha për konsumatorët që bëhen edhe viktima në portale janë anonimët: anonim artikujt, anonim komentuesit, anonim vetë portali. Shpesh gjuha e përdorur aty ndaj njerëzve publikë dhe ndërhyrja në jetën private edhe të personave jo publikë është skandaloze. Në shumicën e portaleve që hap duket se dëgjon melodinë e këngës “No face, no name, no number” të grupit Modern Talking. Me përjashtim të emrave dhe fotove të pak komentatorëve publikë, të gjitha “lajmet”/fletërrufetë/informacioni dhe madje edhe lajmet e mira janë anonime. Nëse dikush ka një ankesë nuk di se kë ka përballë dhe nëse kërkon të marrë shpagim në gjykatë nuk di ndaj kujt të ngrejë gishtin tregues.
Është koha që të marrë përgjigje pyetja: Kush ka përgjegjësi për përmbajtjen si në lajme, ashtu edhe në komente?
Një detyrim ligjor për të qenë të identifikueshëm mund të zgjidhte, bashkë me anonimatin, edhe shumë probleme të tjera dhe shpesh një vendim i mirë gjykate, sado kohë të marrë, zgjidh më shumë probleme se ligji i ri apo vetërregullimi.
Vetë rregullimi
Një maksimë e njohur thotë se gazetaria e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës. Për të mos shkuar në gjykatë, media i referohet kodit të etikës. Në Shqipëri kodi i parë i etikës është hartuar në vitin 1996 dhe u referohej vetëm gazetave. Shqipëria në atë kohë ishte vendi i parë në Ballkan ku gazetarët hartuan kodin e etikës. Kodi i dytë i etikës u hartua më 2006-n dhe merrte parasysh edhe ambientin televiziv dhe kodi i fundit i 2016-s merr në konsideratë jo vetëm ambientin online, por edhe rrjetet sociale. (Të interesuarit mund të shkojnë (online) tek instituti i medias dhe të shohin që kodi i fundit është mjaft i mirë).
Krahas kodit të përgjithshëm ka edhe kode etike të detajuara (për zgjedhjet, për grupet vulnerabël, për fëmijët etj.). Çështja është se në teori jemi shumë mirë, problemet i kemi në praktikë. Madje ka edhe përkeqësim jo vetëm në kushtet e punës së gazetarëve, por edhe në përdorimin e medias si agjenci shantazhi ndaj biznesit dhe politikës dhe këtu (disa) portalet kanë mësuar nga televizionet.
Tek tuk ndesh edhe mendime që edhe për vetërregullimin e ka fajin qeveria. Nëse media dëshiron vërtet të heqë qafe AMA-n, AKEP dhe çdo tentativë të qeverisë duhet të marrë vetë në duar vetërregullmin. Përndryshe mbetet vetëm përballja me ligjin.
A zgjidhen këto probleme me ligjin e ri?
Ndryshimet e reja ligjore, që u bënë intensivisht deri në momentin e votimit, pretendojnë, mes të tjerash, të zgjidhin: fake news. Nëse Shqipëria ia arriti ditës t’i japë botës vaksinën anti-fake news, duhet të gëzohemi të gjithë, por kjo përpjekje më shumë të shkakton buzëqeshje sesa të nxit për duartrokitje.
Në Shqipëri janë hapur 1 milion e pesëqind mijë llogari në Facebook. Ligji i ri nuk prek rrjetet sociale dhe do të mjaftonte ky fakt për të ulur entuziazmin kundër lajmeve të rreme. Lajmet e rreme nuk janë monopol vetëm i gazetarëve që kërkojnë klikime si rregull, është pushteti që druhet nga e vërteta.
Për çdo shqetësim tjetër të përmendur më lart në lidhje me median online në Shqipëri janë jo vetëm gjykatat, por kemi edhe institucione të posaçme. Kemi agjenci posaçërisht për të drejtën e autorit, kemi komisionerë për diskriminimin, kemi ligj të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve, kemi inspektorat të punës që mund të luftojë informalitetin edhe në media. E kemi nenin për shpifjen edhe në kodin penal, edhe në kodin civil, i kemi të gjitha dhe s’kemi asgjë!
Droja që kanë organizatat e medias këtu dhe jashtë është se ne nuk kemi institucione të pavarura të besueshme, që japin garanci se veprojnë bazuar në ligj dhe në interesin më të mirë të publikut. Dhe kjo drojë nuk është pa baza.
AMA ka pasur, ka dhe do të ketë boll punë me televizionet, t’i vendosësh edhe barrën e portaleve vetëm sa e rëndon situatën. Ligjvënësit që i kanë numrat mund të adresonin një shqetësim real, që ka të bëjë me përqendrimin e pronësisë televizive në pak duar. Shqetësim ritual i BE-së dhe nëse do të adresonin këtë shqetësim do të kishin gjithë botën pro dhe jo gjithë botën kundër, siç është rasti me ndryshimet e fundit.
Industria mediatike, e reja dhe e vjetra, ka shumë probleme, por ligji i ri nuk do të zgjidhë asgjë, madje mund t’i përkeqësojë.
Më shumë se për higjienë mediatike kemi nevojë për higjienë në institucione dhe qeverisje.
Teprimet dhe gabimet e medias janë çmimi që paguajmë për të qenë të lirë.
E fundit dhe kjo nuk ka lidhje me median. Në janar Shqipëria merr drejtimin e OSBE-së dhe prej saj pritet të japë kontribut për zgjidhjen e krizave në vende të ndryshme, pritet të jetë shembull në fushën e lirisë së medias. Mesa duket do të kemi drejtimin për të dhënë shpjegime për një ligj që… nuk do të zgjidhë asgjë.