Distancim social jo vetëm për së gjalli… Varrezat e Fierit “në karantinë”, askush nuk i viziton të afërmit në botën tjetër
Për shumë, ndarja nga jeta asnjëherë nuk simbolizon lamtumirën e fundit. Shpesh “takimet” në varreza me të dashurit tanë që nuk janë më, na nxjerrin mallin e pse jo edhe na bën të flasim me ta, t’i kujtojmë e t’i themi që na mungojnë, t’u rrëfejmë momentet më të bukura, por edhe të vështira që na ka ndodhur. Por me situatën e krijuar nga koronavirusi ku të gjithë duhet të qëndrojmë në shtëpi pikërisht për të mbrojtur veten, familjarët tanë dhe gjithë shoqërinë, ky takim mungon.
Në varrezat e qytetit të Fierit askush nuk shkon të vizitojë njerëzit e afërt që janë ndarë nga kjo botë. Të pakët janë ata, numërohen me gishtat e njërës dorë, që në këtë kohë ku duhet të mbash distancë nga njerëzit e gjallë, që shkojnë në varreza për të “biseduar” të afërmit e tyre që janë në botën e tjetër. Në një intervistë për gazetarin Kristaq Thano, përgjegjësi i shërbimit funeral në varrezat publik, Edmond Strati shprehet se para koronavirusit në varreza ka pasur shumë njerëz, e ndërsa pas koronavirusit ka pasur pothuajse zero.
“Raste të rralla, njerëz të veçuar vijnë dhe këto vijnë në fasha orari të lejuara, në përgjithësi janë zero”, tha përgjegjësi i shërbimit funeral në varrezat publik, Edmond Strati.
Ai është ndalur të flasë edhe për masat e marra në varreza, maska dhe doreza për të cilat tregon se në fund groposen.
“Ne kemi marrë masat me stafin e punonjësve që kemi këtu, që të kemi masa të plota të higjienës, që janë maskat, dorashkat të cilat janë njëpërdorimshme dhe mbas çdo shërbimi këta groposen. Dhe në këto kushte, të gjitha problematikat që kanë të bëjnë me distancimin, izolimin e njerëzve në këto lloj ceremonisë të zbatohen rigorizisht. Vizitat në varreza janë pothuajse zero”, tha Strati.
/Shqiptarja.com