Dokumenti i rrallë/ Dëshmia e parë për ndërrimin e orës në Shqipëri që në vitin 1916?

Duke marrë shkas nga ndryshimi i orës, studiuesi Armand Plaka ka sjellë një tjetër dokument të rrallë.

Në profilin e tij në Facebook, Armand Plaka ka publikuar një urdhëresë të Bashkisë së Shkodrës të vitit 1916 që jep për herë të parë një ide më të qartë mbi atë se si ka lindur dhe si është zbatuar ndërrimi i orës në Shqipëri.

Më poshtë postimi i Armand Plakës:

Përshëndetje miq! Sot u zgjuam me një orë gjumë më pak, për shkak të ndërrimit të orës, një fenomen thuajse mbarëbotëror e i gjithëpranuar që aplikohet dy herë në vit. Në vitet 70-të, përgjatë krizës energjitike që kontinenti përjetoi, u kthye në një domosdoshmëri dhe u përqafua tërësisht, duke nisur aplikimin e saj në të gjitha shtetet në mënyrë të unifikuar. Sidoqoftë, me distancë kohore nga njëri-tjetri, shumë vende europiane kishin nisur zbatimin e tij qysh në fillimshekullin 20-të.

Ia nisi Gjermania, e cila u pasua nga aleati i saj, Autro-Hungaria e territoret e pushtuara prej saj. E në këtë kontekst bënte pjesë edhe Shqipëria, ose të paktën një pjesë e saj, e cila administrohej nga trupat e ish-monarkisë dualiste. Një dokument arkivor i dorës së parë, që mban datën 30 prill 1916, të cilin doja ta ndaja sot me ju, na jep ndoshta për herë të parë, një ide më të qartë mbi atë se si ka lindur dhe si është zbatuar ndërrimi i orës edhe në Shqipëri.

Në fakt bëhet fjalë për një urdhëresë të Bashkisë (Përlimtares) së Shkodrës, e cila i referohet “eksperiencës” austro-hungareze që kishte gjetur zbatim në të gjitha territoret e pushtuara prej tyre, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Sidoqoftë, deri më tani nuk kemi ndonjë evidencë konkrete nëse diçka e tillë është zbatuar edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë, të cilat në atë kohë ishin të pushtuara nga italianët, e pjesërisht edhe nga serbët, bullgarët apo ( më pas) dhe grekët e francezët, për t’a kthyer këtë fenomen pra, në diçka të unifikuar, urdhëruar për zbatim në mbarë territorin e vendit.

Më konkretisht, në shpalljen apo lajmin e “Përlimtares” së Shkodrës shkruhet (me një gegnishte paksa arkaike, e cila megjithatë është lehtësisht e deshifrueshme edhe me normat e shqipes së sotme) ndër të tjera se:

“N ‘ Perandorii t’ Austro-Ungeriës, nder vênde P.e. R. t’xânuna n’ Polen (Ëohlhynien) Serbië e Malzii, mandej ne Shqypnië si edhe n’ Germanië e nder vênde t’anmikut qi kaa zaptue ka m’u shtye n’veer koha nji sahat perpara”. Në fund shkruhet se: “Arsyeja e ktii ndrimit vjen per me fitue mâa shume ditë, e praa kursim voj gurit e zjarmi”.

Për më shumë, hidhini një sy faksimiles që kam mundur të siguroj.

Faksimile e njoftimit te Perlimtares (ish-Bashkise) se Shkodres ne vitin 1916 për ndryshimin e ores ne Shkoder e territoret e pushtuara nga austro-hungarezet. (Publikuar nga Armand Plaka – Te drejtat e rezervuara)

 

Faksimile e albumeve austro-hungareze ku paraqitet pritja qe u ishte bere trupave austro-hungareze ne mars 1916. (Publikuar nga Armand Plaka – Te drejtat e rezervuara)

Nga pritja qe populli i Shkodres i bene austriakeve gjate hyrjes se trupave te tyre ne kryeqendren e Veriut dhe njekohesisht qendra e Komandes se trupave austro-hungraeze ne Shqiperi, ne mars 1916. ( Publikuar nga Armand Plaka – Te drejtat e rezervuara)

SHKARKO APP