Dritëro Agolli rivjen me “Prit edhe pak”
Gazeta ne pdf
[pdf-embedder url=”http://www.kohajone.com/wp-content/uploads/2016/10/1213.pdf”]
Libri me poezitë e pabotuara të Dritëro Agollit
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli festoi pak ditë më parë, 85-vjetorin e lindjes. Në këtë ditëlindje jubilare, Mjeshtri i letërsisë shqipe publikoi dhe librin e tij më të ri, me poezi të pabotuara më parë. “Prit dhe pak” është titulli i vëllimit poetik, që siç thotë Agolli, ja kushton gruas së tij, Sadije. “Mendova që këtë përmbledhje vjershash t’ia kushtoj gruas sime, Sadijes, e cila ka mbi gjysmë shekulli, që ecën krah meje. Për vargjet e mia ajo vuan pothuajse si unë”,- shkruan në hyje të librit Dritëro Agolli.
Përveç poezive brilante të shkrimtarit të madh, libri sjellë dhe përjetimet e bashkëshortes Sadije. Parathënia dhe botimit është shkruar nga vetë bashkëshortja Sadije, e cila është njeriu që e ka ndjekur në rrugën e jetës dhe atë artistike për 53 vjet shkrimtarin e madh.
Libri me poezi “Prit edhe pak”, më kushtohet mua, prandaj duke qenë së bashku 53 vjet, qëkur jemi njohur nga vjeshta e vitit 1963 e deri më sot, ndihem më shumë e emocionuar, ndihem e privilegjuar që kam jetuar pranë këtij njeriu krejt të veçantë, ndihem e dashuruar, bashkuar me shumë dhembshuri, ndihem e lumturuar se e jetuam jetën, pa u zvarritur, se rritëm tre fëmijë të mrekullueshëm, Elonën, Artanin dhe vajzën tonë më të vogël, Annën, për të cilën lashë Dritëroin të vetëm për 15 vjet në krevatin e madh bashkëshortor, pasi flija në një dhomë me Annën, që kur ajo doli së bashku me Elonën nga materniteti, e derisa mbushi 15 vjeç”,- shkruan Sadije Agolli.
Botimi me poezi përmbledh krijime të viteve të ndryshme, ku si gjithmonë spikat talenti dhe gjenialiteti i poetit të madh. Mes tyre ka dhe epitaf dhe testamente poetike që marrin vlera universale. “Në këtë vëllim të gjerë poetik do të gjeni filozofinë e Dritëroit për jetën në të gjitha aspektet e saj: herë përshkruar me një fill emocioni, herë me sarkazëm therëse, më shpesh do të gjeni lirizmin muzikor, kur shkruan për natyrën mjedisore apo shoqërore”,- shkruan në parathënien e saj Sadije Agolli.
Poezitë e librit “Prit dhe Pak”, përveç elementëve personal, kanë dhe mesazhe të forta për aktualitetin shqiptar, problemet sociale, politikën dhe shqetësimet e njeriut të sotëm.
“Koha Jonë” po boton disa prej poezive, si dhe parathënien e shkruar nga Sadije Agolli, në librin e fundit me poezi të Dritëro Agollit.
Ky libër po botohet në kuadrin e 85-vjetorit të Dritëroit
Nuk e di a do të kem fuqi fizike, mendore dhe optimizëm për të nxjerrë libra të tjerë nga dhjetëra dosje, që i kemi në sirtarët e bibliotekës së dhomës së gjumit, pasi studio me bibliotekën e tij të stërmadhe, është kthyer në një magazinë librash. Në studion e tij janë grumbulluar dhjetëra e dhjetëra libra në prozë, në poezi, libra kujtimesh e historikë, që i janë dhuruar Dritëroit me autografet e autorëve, me vlerësime për Dritëroin si shkrimtar, si mendimtar, si njeri dhe si personalitet i shquar i Shqipërisë. Këto libra janë çmimet që i kanë dhënë Dritëroit kolegët e tij krijues, duke dëshiruar që veprat e tyre të zënë vend në bibliotekën e studios së tij. Duhet të kishin edhe një apartament, që të mund t’i sistemonim vetëm librat e shkruar e të botuar në gjini të ndryshme letrare, dosjet e shumta, mbi 200 albumet me fotografi gjatë 52 vjetëve njohjeje dhe bashkëjetuese, por edhe çmimet e shumta që ka marrë për veprat e tij, për jetën e tij shoqërore, politike dhe si përkthyes i poezive të poetëve botërorë, që ai i ka dashur dhe i ka përkthyer në gjuhën tonë të bukur me një përkushtim të veçantë.
Sadije Agolli
(24 Janar 2016)
KULLOTA E IMAGJINATËS
Aspak s’e kisha menduar se do të botoja tani edhe një libër tjetër me vjersha në një kohë, kur i kam kaluar të 80-të vitet dhe kur, siç thotë Noli Milto -Sotir Gurrës “ata andej nga varrezat po na e bëjnë me sy”. Po ja që poezia ndonjëherë u kthyeka në mënyrë jetese, domethënë, në një ushqim të përditshëm, për të mbajtur shpirtin gjallë. Ky ushqim u mblodh javë për javë e muaj për muaj dhe pa u kuptuar u mbush një fletorkë e tërë. Dhe kështu, duke rënë fjala për ushqimin, që dikujt ky emërtim për poezinë mund t’i duket banal, m’u kujtua një mendim i Bodlerit, se “Gjithë universi i dukshëm nuk është gjë tjetër veçse një magazinë imazhesh dhe shenjash, të cilave imagjinata do t’u japë një vend dhe një vlerë relative: është një lloj kullote, të cilën imagjinata duhet ta hajë dhe ta transformojë”. Unë, me sa duket, jam mësuar në këtë kullotë si i ai kau plak, që ha dhe ripërtyp, megjithëse dhëmbët i janë shkurtuar. Edhe kjo ripërtypje është një lloj transformimi. Kjo më sjell në mend diçka të largët. Im atë kishte një ka, që e mbajti edhe të plakur. Kur e shihte që kulloste në livadh, thoshte: ”Ha bar, i shkreti, po dhëmbët i janë shkurtuar, se ngaherë përtypet”. Ishte ky një ka ahuri dhe e thërrisnim me emrin Kazil. Edhe kur u plak dhe nuk mund të lëronte, im atë nuk e theri për ta bërë pastërma. “Të rrojë sa të rrojë”, thoshte ai. Dhe një ditë kaut i shkanë këmbët e plakura në një monopat shkëmbor në Poçravë,- kodër mbi Menkulas, përtej lumit të Devollit,- dhe ra. Im atë thoshte “vdiq”. Ky është element i universit, dua të them edhe kjo vdekje. Dhe “universi” shqiptar ka një kullotë aq të, sa edhe imagjinata më e ndezur do të nginjej dhe do të velej, duke kullotur. Mbase kjo më ka shtyrë të nxjerr në dritë edhe këtë libër me titullin “Prit edhe pak”, që do të thotë se ende nuk e kam kullotur livadhin. Po ka edhe një arsye tjetër. Mendova që këtë përmbledhje vjershash t’ia kushtoj gruas sime, Sadijes, e cila ka mbi gjysmë shekulli, që ecën krah meje. Për vargjet e mia ajo vuan pothuajse si unë.
Dritëro Agolli
(Tiranë, 16 Janar 2016)
E dashur Sadije,
Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia.
Dritëro Agolli, 13 Maj 2014
Parathënia e librit
Dritëroi i thotë vdekjes “Prit edhe pak”
Nga Sadije Agolli
Ndofta kjo parathënie ka qenë më e vështira për t’u shkruar, pasi është libri me poezi i fundit, që po përgatisim së bashku me Dritëroin, duke lexuar varg për varg e poezi për poezi. Librit i kemi vënë titullin kuptimplotë, të huazuar nga një poezi e Gëtes, ”Prit edhe pak”.
Këtë poezi të poetit të madh dhe të shqipëruar nga Dritëroi, po e botojmë të plotë:
Zhurmën pushoi rruga,
Nuk lëviz një gjeth,
Flet veriu, hesht juga,
Hënë e lodhur zverdh,
Heshtin qiell e tokë,
Reja nuk derdh shi,
Prit edhe pak kohë,
Të pushosh dhe ti.
Megjithatë, duke lexuar gjithë poezitë e këtij vëllimi, të shkruara gjatë viteve të fundit, ju do të gjeni poetin Dritëro duke i thënë vdekjes:
“Prit edhe pak, se kam përsëri për t’i folur shoqërisë; dua t’i këndoj tokës, njeriut me hallet dhe gëzimet e tij, natyrës, fëmijëve, shpresës, që më jep optimizëm, për të jetuar herë-herë me dhimbje e vuajtje, jo vetëm nga pleqëria, por më shumë nga gjendja shoqërore, kudo që ndodhemi në Shqipëri apo në vende të tjera të botës, ku janë shpërndarë bashkëkombësit tanë.
Libri me poezi “Prit edhe pak”, më kushtohet mua, prandaj duke qenë së bashku 53 vjet, qëkur jemi njohur nga vjeshta e vitit 1963 e deri më sot, ndihem më shumë e emocionuar, ndihem e privilegjuar që kam jetuar pranë këtij njeriu krejt të veçantë, ndihem e dashuruar, bashkuar me shumë dhembshuri, ndihem e lumturuar se e jetuam jetën, pa u zvarritur, se rritëm tre fëmijë të mrekullueshëm, Elonën, Artanin dhe vajzën tonë më të vogël, Annën, për të cilën lashë Dritëroin të vetëm për 15 vjet në krevatin e madh bashkëshortor, pasi flija në një dhomë me Annën, që kur ajo doli së bashku me Elonën nga materniteti, e derisa mbushi 15 vjeç.
Ndihem e lumtur se nipërit Lueli (djali i Elonës dhe Luanit, dhëndri), Emili (djali i Artanit dhe Lindës, nuses sonë), mbesa, Drisara (vajza e Artanit dhe Lindës), e cila ka qenë një emër simbolik nga emrat Dritëro, Sadije, Artan do të dinë të ecin në jetë, të bëhen të mençur, të ndershëm, punëtorë të mirë, siç u bë Anna 25-vjeçare në Paris, duke mbaruar Universitetin në Sorbonë me rezultate shumë të mira në degën Ekonomi-Financë. Prandaj, në këtë moshë që jemi, ndihemi të kënaqur me bujarinë që na dha jeta.
Në fund të librit “Prit edhe pak” do të ribotoj edhe parathënien që kam shkruar në librin “Gdhihet e ngryset”, do ta ribotoj të plotë, pasi po në atë mënyrë ka vazhduar të shkruajë Dritëroi në copëza letrash, në blloqe shënimesh apo fletorka ku shkruajnë fëmijët dhe nxënësit, të cilat ia mblidhja në një dosje të kuqe me etiketën “Poezi të pabotuara”.
Ai vazhdoi dhe vazhdon të shkruajë edhe në vitin 2014, 2015, 2016, herë me duar që i dridhen dhe herë me gishtërinj më të fortë.
Dua t’ju them me sinqeritet të plotë, pasi kanë dalë shumë anekdota apo thashetheme se Dritëroi ka shkruar i pirë poemën “Devoll, Devoll”, apo poezi të tjera. Jo, Dritëroi kur shkruan, është burri më i heshtur i botës dhe nuk fut në gojë asnjë lloj pije, madje edhe cigare pi më pak ose harron ta ndezë, i zhytur në universin e tij.
Në këtë vëllim të gjerë poetik do të gjeni filozofinë e Dritëroit për jetën në të gjitha aspektet e saj: herë përshkruar me një fill emocioni, herë me sarkazëm therëse, më shpesh do të gjeni lirizmin muzikor, kur shkruan për natyrën mjedisore apo shoqërore.
Ky vëllim është vazhdim i gjithë poezive, poemave, baladave që ka shkruar që kur ishte nxënës në shkollën unike të Bilishtit, të shkollës së mesme “Asim Zeneli” të Gjirokastrës e të botuara në shtypin e kohës, por edhe të poezive që shkroi gjatë kohës kur ishte student në Fakultetin Filologjik në Shën Petersburg të Rusisë.
Kur mbaroi studimet e larta në vitin 1957, Dritëroi nxori librin e parë “Në rrugë dola” 1958, i cili u prit mirë për frymën e re, që solli brezi i tij i viteve ’60. Poezitë e Dritëroit në vëllimin e ri “Prit edhe pak” e grishin lexuesin të prehet apo të meditojë për ato që ka shkruar poeti i frymëzuar, apo i inatosur me shoqërinë njerëzore, me dukuri negative që poetit nuk i pëlqejnë, kur shkruan me dashuri për gratë, për natyrën e vendit tonë me lumenj, përrenj, dete, por edhe me tokën e begatë, me male të lartë të gjelbëruar apo të thatë, me lugina e lëndina, për kafshët, të buta apo të egra, për shpendët, për insektet…
Lexuesi i poezisë së Dritëroit do të japë vetë vlerësimin, prandaj nuk do ta zgjas më shumë me këtë parathënie, për të cilën kam vuajtur shumë për ta shkruar, pasi më ka ngjallur shumë emocione dhe kujtime nga koha që kemi jetuar bashkë. Falënderoj të gjithë lexuesit dashamirës që e kanë nxitur Dritëroin të shkruajë edhe në këtë moshë, gjë që ndodh rrallë.
Dritëroi dëshiron ta mbyllë këtë parathënie timen me një epitaf me katër vargje për vdekjen, duke deklaruar se nuk ka frikë nga ajo kur vjen natyrshëm, si për të gjitha qeniet njerëzore apo të natyrës…
Madje, për vdekjen ka shkruar disa variante.
Unë po botoj njërën prej tyre:
EPITAF PËR VETEN TIME
Këtu po prehet Dritëroi në gjumë,
Nën dhe si mëkatar dhe si poet.
Mëkate ndofta nuk do bënte shumë,
Sikur mos kishte qenë deputet.
2007
14 Shtator 2016
DISA PREJ POEZIVE
GËNJESHTRAT
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra të luash,
Të mbajnë me përralla,
Të flesh në shtrat sa të duash,
Pa zhurma e andralla,
Të quajnë të vogël,
Dhe thonë se ende s’di shumë,
Të japin në duar një lodër
Dhe thonë:
Pusho, mos bëj zhurmë!
Refren i përhershëm në kohët,
O popull, ç’të bëjnë!
Të thonë:
“Gërvish e fito” në letra!”
Dhe ti gërvish me thonjtë e paprerë
Nën mëngët e vjetra,
Dhe fati s’të vjen asnjëherë.
Të marrën përdore me lekë
T’i shohësh Miss-et,
Kur zhveshur kërcejnë,
Me brekë e pa brekë,
Në Skenë.
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra në duar
Me Tomin dhe Xherrin,
Të bëhesh fëmijë i duruar,
Mos njohësh telashin dhe sherrin.
KODOSHËT
Kur një gjel këndon në agim,
Nga ço kosh
Del një kodosh,
Vreshtave të vendit tim.
Nga çdo kosh
Del një kodosh
Dhe mbi koshin mban fjalim.
EPITAF PËR VETEN TIME
–VARIANT
Përjetësisht
këtu fle Dritëroi
Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë.
Të mira bëri pak gjersa jetoi,
Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.
TESTAMENTI
O toka ime që të lërova e të thura
këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me
mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?
Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një
laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,
Nga bota që e pata të mbyllur sa
rrojta,
E kyçur dera, me lloze poerta…
PIJA
Vërtet unë i pijes kam qenë
Dhe netët sa gota më thyen!
Kam pirë dhe pakëz kam ngrënë
Dhe kockat në shishe m’u kthyen.
DËSHIRA E PLAKUT HORR
Ne pleqve mirë na bën
një hudhër, një lakër
Për zgjatjen e jetës
Për zgjimin fatmadh
në mëngjes.
Pu unë do desha
një pako Viagër
Të bëja pak seks…
I DASHUR UJK
Ujk i dashur,
që bredh me tët bir netëve vonë,
ta kam zili këtë mall për tët bir,
Ne njerëzit dhe birin tonë
e lidhim shpejt, shpejt me zinxhir
veç për një pronë.
NE
Kanuni dhe malet dhe gjyshërit në
varre
Na dhanë infeksionin me emrin
“hakmarrje”
Ne vitet argasëm me plumbin dhe
gjakun
Dhe gjumin e prishëm për nderin
dhe hakun.
Për thikë e për pushkë s’na del njeri
tjetër,
Të zotët nuk jemi për penë e për
letër.
Lavdia s’na duhet, -lavdia të jetë, –
Pak erëz të fryjë, ne ngrihemi vetë.
MPIRJA E NJERIUT
O kohë,
ndalu pak!
Na ler të shtrihemi,
të hapëm gojën në krevat,
të shpihemi
me sy në tavan
të shohëm një vrimë,
një mizë a zhuzhak.
O kohë
Ndalu pak!
NË QYTETIN TIM
I themi njëri-tjetrit “mirupafshim”,
po s’dihet nëse shihemi vërtet;
na dalin dy-tre horra dhe na vrasin
dhe lamtumirë, ti qytet.
Të vrasin për hiçgjë, për treqind lekë,
me to mjafton të pihet një konjak
me kurvat në një klub a diskotekë,
ndaj “mirupafshim” s’vlen aspak.
1996
PËR DASHURINË
Dashuria fillimisht është e turbullt,
Dashuron, po cilin aspak s’është e
qartë,
Dhe agimi kur vjen, është i mugët,
Sendet s’kanë as formë e as trajtë.
Dita zbret dhe gjerat dalin të plota:
Forma, trajta, konture e vija,
Dalëngadalë e tillë vjen bota,
Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.
PËR TY
Mendoj për ty kur buzët skuq në
pasqyrë,
kur fle dhe era vërshëllen në xhamet,
kur rri e shfleton një libër të vjetër,
kur flet e përhumbur
pa ditur as vetë se ç’thua.
Mendimet e tua të gjitha
veç unë i marr vesh dhe as tjetër
me gjuhën e shpikur nga ti dhe unë.
Sa keq që në Zot s’kam besuar,
sikur të besoja, i lutesha
që ti të mos plakeshe.
Nesër pemët do gjelbërojnë,
të dy do të shtrihemi mes gjelbërimit;
rreth nesh le të gumëzhijnë bletët
dhe qëngjat le të blegërijnë.
Ç’ti bëjmë natës që vjen?
ç’t’i bëjmë mëngjesit,
Kur në pasqyrë
i kuq çel trëndafili?