Duhet revolucion në transparencën e autoriteteve publike

Nga Besnik Dervishi*

Më lejoni t’ju falendëroj për pjesëmarrjen tuaj në këtë Konferencë, në cilësinë e titullarit apo koordinatorit të Autoritetit Publik, shoqërisë civile, medias, grupeve të interesit, qytetarë, etj.

Më duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, bashkorganizator i Konferencës dhe bashkudhëtar i të gjithë rrugëtimit për zbatimin e të drejtës për informim në vendin tonë.

Gjithashtu, një falënderim i sinqertë, për drejtuesit dhe ekspertët e “Projektit të Binjakëzimit Antikorrupsion Shqipëri-BE”, për kontributin e tyre në forcimin e kapaciteteve të Zyrës së Komisionerit dhe të transparencës së Autoriteteve Publike.

Pa kontributin e të gjithë Ju, nuk do të ishim sot së bashku për të diskutuar e debatuar për gjendjen e të drejtës për informim dhe transparencën e Autoriteteve Publike.

Ju falenderoj sinqerisht.

Jemi në vitin e katërt të zbatimit të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe natyrisht, kemi një bilanc dhe eksperiencë pune mbi të cilën mund të mbështetemi dhe të debatojmë.

Kemi trajtuar rreth 2000 ankesa, 700 kërkesa për parashtrime drejtuar Autoriteteve Publike dhe 170 vendime, të cilat përbëjnë atë që mund të konsiderohet si jurisprudencë e Komisionerit, kemi vendime të Gjykatës Administrative në shumicë të fituara, disa edhe të rrëzuara, por njësoj të studjuara dhe të vlerësuara.

Përveç ligjit, kemi edhe disa akte të tjera që ndihmojnë në zbatimin e tij:

Komentar i ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”;

Instrumenti i vetëvlerësimit të Autoriteteve Publike;

Udhëzues për koordinatorin e të drejtës për informim;

Udhëzues për Autoritetin Publik,

dhe sot do të shtohen edhe disa të tjerë.

Një prej tyre është portali “pyetshtetin.al”. Është një sfidë, një sfidë ndoshta më e madhe se sa janë mundësitë.

Por, a duhet të guxojmë dhe të rrezikojmë të kryejmë një revolucion në transparencën e Autoriteteve Publike në Shqipëri, apo duhet të na mposhtë frika e dështimit?

Unë kam zgjedhur të parën, edhe pse me jo pak kosto edhe personale.

Ne jemi një nga të ashtuquajturat katër institucionet e integritetit. Por a jemi me të vërtetë? Ndoshta po, ndoshta jo, edhe pse besoj se vlerësimi anon nga po-ja.

Dhe këtë besim e mbështes në kontributin që Zyra e Komisionerit ka dhënë për më shumë transparencë në:

Prokurimet publike; Koncesionet; Shërbimin shëndetësor; sistemin arsimor; Raportet e auditimit; Procesin gjyqësor dhe arbitrazhin ndërkombëtar; Vendimmarrjen e organit të prokurorisë; Rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj.

Ku janë Autoritetet Publike? Natyrisht, nuk mund të mohoj në asnjë rast ndryshimet pozitive: koordinatorët, programet e transparencës, etj.

Kam dy pyetje për të gjithë ne: A nuk ju duket sikur nga Autoritetet Publike jo pak herë shpenzohen më shumë energji, jo për të gjetur përgjigjen që bën transparencë, por për të kundërtën? A do të miratohej ky ligj në se do të propozohej sot?

Përgjigjet duhet t’i gjejmë mes nesh. Dhe testi më i mirë do të jenë amendamentet e mundshme të ligjit dhe miratimi i tyre.  Ne kemi detyrën që të bëjmë më të mirën, përfshirë edhe forcimin e rolit të koordinatorit dhe statusin e tij. Me ndihmën e shoqërisë civile, të institucioneve të medias, duke veçuar rolin e veçantë të asaj investigative dhe të çdo qytetari të thjeshtë.

*Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Fjala e mbajtur në  Konferencën IV Kombëtare “Për të drejtën e informimit – Për një ligj edhe më të mirë”

SHKARKO APP