E dua një përmendore
Nga Agim Xhafka –
Kur u dyndën njerëzit nëpër ambasada unë isha tek prindërit në Korçë. Bashkë me gruan dhe vajzat binjake. Pas ca ditësh u kthyhem në Tiranë dhe kur po kalonim tek ambasada italiane në rrugën e Elbasanit pamë që oborri atje ishte dingas me prindër e fëmijë. Kqyra gruan e me sy e pyeta:
-Si thua?
-Jo,kemi pleq në shtëpi,edhe ti,edhe unë. Harroje!
Kaq dhe arritëm në shtëpi. Drejt tek tv. Lajmet vinin të censuruara,por çorapja po shfillej. Vendi ishte në pikën e ndryshimit të madh.
Ndërkohë ikën të gjithë që u futën në ambasada. Shqiptarët niseshin për punë e menjëherë përfundonin në mitingje,protesta,greva. Nuk po sigurohej nga qeveria as talloni ushqimor. Për fat u bë shumë shalqini atë vit dhe me bukë shtyhej vakti. Më pas ndërroi krejt sistemi. U shemb komplet.Befas nga protestues e pashë veten të papunë. Sigurisht që ajo administratë gjigande nuk do mbahej e gjitha . Por shpresoja. E 35 vjeçar,me fëmijë 10 vjeçarë (binjaket e mija) dola në rrugë. Pa asnjë kursim,pa asnjë pasuri. Qortoja veten që nuk kapërxeva kangjellat e ambasadës. Ia nisja ditës të bëja ndonjë punë, të nxirrja ndonjē lek. Stresit ato mote ia mësuam emrin. Për fat një shoku im më ofroi ngarkim-shkarkimin e mauneve të të vëllait. Kur mbërrija natën në shtëpi isha ujë në djersë dhe i lodhur për vdekje. Gocat më prisnin me peshqir në dorë.Më pas si udhëtimi në urban kur mbushet plot e shfryjnë njerëzit për erërat,shtyrjet,pickimet,por askush nuk zbret. Rrinë duke duruar deri tek stacioni i tyre.
Kaluan vite e tani unë e gjithë vërsnikët e ambasadave u bëmë 60 vjeç. I shoh në atdhe e nëpër botë. Të gjithë të sukseshëm,të gjithë me fëmijë dinjitozë e të shkolluar. Brez që ia nisi nga gjuha e shtetit ku vajti,që bëri punëra të rënda,që zbatoi sa më korrekt ligjet,që në CV kanë medaljen e djersës mbase më shumë se brezi i prindërve.
Nuk dinim asgjë për kapitalin,e mësuam. Siç bëmë punëra që as në ëndërr nuk i shihnim.
Më kujtohet kur isha 40 vjeç e duhej të mësoja makinën. Bëra autoshkollën dhe kur mora patentën në makinën e punës futa gocat e gruan. Për t’u treguar sa i zoti isha. Dhe tek Gjykata e Lartë,kur vjen nga M.Shyri na ndalon polici që të kalonin makinat e krahut tjetër,se nuk kishte semaforë atëhere. Por ishte dishezë e kisha frikë se do ikja mbrapsht. Ngrita frenot e dorës dhe zbrita.Mora një gur në trotuar dhe e vendosa tek goma prapa. Kur dha polici lejen u sula serbes.
Gjenerata ime është më e lavdishme se ata që bënë luftën. Se ata e dinin armikun ku ishte e kush ishte. Në dinim që mëngjesi të na gjente më këmbë për të nisur mbijetesën njēsoj si kafshët në pyjet e xhunglës që gjuajnë dhe i gjuajnë. Pas kaq vitesh I MADE IT,ia dolëm. Eshtë një e vërtetë që së paku kërkon një përmendore. Për brezin që ndryshoi Shqipërinë ,që u rraskapit,por nuk u dorëzua. Saktë,ia dolëm!