E vërteta mbi negociatat që thërrmon çdo pretendim të mazhorancës

Nga Red Varaku –
Ka një të vërtetë të madhe që e thërrmon edhe propagandën më të sofistikuar dhe hedh poshtë çdo pretendim të mazhorancës, sado i elaboruar dhe i kamufluar qoftë ai.
Një e vërtetë që i vë në siklet edhe propagandistët më të zellshëm apo spiropalistët më të pacipë, të cilët të vetëdijshëm për rëndësinë e saj, fillojnë të hidhen dhe spërdridhen sa herë që dikush ia plas në fytyrë.
Ajo është e vërteta e moshapjes së negociatave dhe bllokimit të integrimit .
Sado përpiqen që ta fshehin ose ta relativizojnë peshën e kësaj të vërtete, ajo është aty edhe për më kokëtulët dhe rrëzon përtokë në mënyrë të pamëshirshme çdo justifikim.
Ajo është prova më e rëndësishme që vërteton në mënyrë shumë kokëfortë të vërtetat e hidhura të qeverisjes së vendit nga kjo qeveri dhe rrëzon çdo alibi “me ambasadorë”, që pretendon një mbështetje ndërkombëtare për të.
Madje, si në asnjë rast tjetër, kësaj rradhe bllokimi i negociatave vjen bashkë me një rezolutë të jashtëzakonshme të Parlamentit Europian , të mbështetur nga një shumicë absolute votash, ku Shqipërisë i janë vendosur 15 kushte, të cilat i bëjnë një radiografi të ashpër realitetit politik shqiptar dhe ku praktikisht i kërkohet qeverisë shqiptare të dorëzojë pushtetin me zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kësaj rradhe Shqipëria po ndahet dhe nga Maqedonia, të cilën e kishte lënë vite pas gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe rrezikon të futet në një spirale të pakthyeshme drejt përplasjes civile , nëse situata nuk zgjidhet shpejt .
Kjo e vërtetë është aty për t’i thyer turinjtë çdo kokëtuli apo trushpëlari që mendon akoma se Rama e “ka rregulluar me ndërkombëtarët”.
Sepse, dihet që “çertifikata kaluese” e mbështetjes ndërkombëtare për çdo qeverisjeje është avancimi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe besoj që sot nuk ka njeri me mend në kokë që nuk e ka të qartë këtë.
Dy ngjarjet më të rëndësishme që lidhen me avancimin e integrimit, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave nuk kanë asnjë lidhje me këtë qeveri. Ato janë vetëm produkt i reformave dhe qeverisjes së PD në 2005-2013.
Ndërsa kjo qeveri, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap para drejt integrimit, ku PD ia dorëzoi vetëm me katër kushte, por ka bërë shumë hapa pas, gjë që ka shtuar presionin ndërkombëtar përmes kushtëzimit të integrimit nëpërmjet 15 kushteve .
Nuk besoj ka ende dyshim që bllokimi i negociatave dhe vendosja e 15 kushteve, nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm presioni, që BE ushtron mbi qeveritë e korruptuara me qëllim zhbllokimin e rrugëtimit të tyre drejt BE.
Thënë kjo, kjo qeveri jo vetëm që sot është një nga qeveritë më të diskretituara, të cilës i janë vënë ndoshta kushtet më të rënda që i janë vënë ndonjëherë një qeverie të një vendi që aspiron BE-në, por është sot përballë një presioni të hapur dhe drejtpërdrejtë për ta detyruar Shqipërinë të braktisë aleancat e rrezikshme për të cilat paralajmëron dhe Presidenti Trump në letrën e tij dhe për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e saj drejt Perëndimit.
Kushdo që mendon më pas, që një dordolec politik si Rama, mund t’i bëjë ballë këtij presioni si dhe presionit të zemërimit që po zien kudo, jo vetëm që është thjesht një viktimë e lodhur dhe trushpëlarë, por është njëkohësisht dhe një “idiot i dobishëm”, pa të cilin kjo qeveri as nuk do ta merrte ndonjëherë dhe as nuk do ta mbante për asnjë sekondë drejtimin e vendit.

SHKARKO APP