Edgar Allan Poe, ikona e “anës së errët”

Ai datëlindi sot 207 vite më parë dhe do të mbetet i famshëm për poezinë e tij të zezë, të rrethuar nga mjerimi dhe misteri. Mbamendet si poeti që krijoi letërsinë kriminalistike dhe atë fantastike shkencore, horrorit. Trishtimin ravijëzon në perimetrin e të çdoditshmes tonë konturet e asaj vetvete, të cilën rrekemi më kot ta bëjmë zot të vullneteve tona, të ngulmeve pozitiviste, të gjëndjes e vënë në fre. Eshtë natë-dita e jetësimit tokësor të njeriut, dritëhija e penelatave që sendërgjojnë portretin e të tashmes dhe të gjithmonshmes, ku ne kërkojmë piktakimet, shkrirjen, njësimin, është harrimi dhe kujtesa, rrëzimi dhe zgjimi, janë krejt ajo që gatuan lëndën e ngjeshur të torsit tonë preh heroiku në këtë përballje me jetën. Kruspull në këtë guaskë ngjizet, ndizet dhe shuhet njeriu në ne, gjeniu në Edgar Ellen Poe. Fytyra, veshja, vështrimi kanë bërë që ai të kthehet në një personazh ideal të misterit që mbështetet gjerësisht edhe prej veprës që la pas. Jeta e këtij burri ishte e turbullt, terrenthepisur e përplot pezëm e trishtim. Edgar Allan Poe jetonte nën ankth të vazhdueshëm. Ndryshe ai mbamendet dhe kumtohet si gjahtar i terratisjes, pezmit, keqkuptimit dhe të bruztës. Veprat e reflektojnë më shumë gjendjen e tij shpirtërore. Vuante. Imagjinata e tij ishte komplekse. Romantizmi dhe ndjeshmëria e kanë kthyer në një model që u ndoq menjëherë në Europë; lanë shenjë në atdheun e tij, Amerikë, ku ishin të shumtë ata që e panë si një devijues, trasgresiv deri në tepri, makabër. Mbetet një prej autorëve më të njohur amerikanë, një frymëzues muzikor, një ikonë e “anës së errët” dhe e misterit. E ndërmendim sot në 207-vjetorin e lindjes, këtë kolos të letërsisë amerikane, këtë tharm të ndjesive të thekshme të shpirtrave ngulmëtar të jetësimit të tmerrit si formë përtëritëse e aftësisë për të kulmuar emocionalisht. Në agimin e vagullt të asaj të diele të 7 tetorit 1849, shuhet në spitalin Washington College, Edgar Allan Poe, bie nga froni aspak denjësisht mbreti i trishtë i emocioneve të forta, shpërbëhet së gjalli ngjyresa më e terrtë që një ëndje estetike kishte mbrujtur deri asokohe. Edgar Poe lindur më 19 janar të motit 1809 në Baltimorë. Atë do ta braktisnin prindërit aktor, David Poe dhe Elizabeth Arnold kur ende nuk i kishte mbushur 3 vjeç. John Allan, një tregtar i pasur nga Virginia, është birësuesi i tij, prej të cilit mori “Allan” dhe u brymos me terrin e një pamjaftueshmërie që i’u gjegj prej adoptuesit. Rrapëllima e edukimit, shkollimit dhe e karrierës është e stuhishme. Gjithçka e tij kalon nëpër një terren të thyer e të mraztë. Shpikësit të rrëfimit policesk dhe romaneve të verdhë psikologjikë nuk e dha veten askurrë, krejtçfarë i’u besua në sendërgjimin kohëmbushës dhe krijues ai e plotmbushi me një perfeksion tronditës. Por kjo nuk i mjaftoi. Kurrë nuk u shtang përballë barrierave të harlisura që e asokohshmja i’a ngrinte si prita në shtegtimin e tij kaplues. U ndesh me gjithçka kishte, mish e shpirtë u qas, duke kumtuar se kishte ardhur me misionin e të pamposhturit. Vetëm vetvetja do të ishte ajo, ndaj së cilës ai do ta kishte të vështirë të fitonte, deri në mëngjesin e ftohtë të atij tetori të 1849 kur ai përpëlitej në agoni, e cila zgjatoi deri në shtratin e spitalit që se mbajti dot në jetë, në Baltimorë. Nata e fundit e lojës me vdekjen dhe kurajës për t’ia dhënë veten shpengimit e mbushi përplot miq e rrakëllitje gotash cytësin e maksimës se: “Cila sëmundje e lë veten të krahasohet me alkoholin!”, e cila i bëri gropën.

“Ju pyesni: mund të më thoni se cili demon i tmerrshëm ishte shkak i këtyre qarjeve të thella? Po, do të them më shumë akoma: ky ishte demoni më i madh që arriti të shkatërrojë një burrë. Gjashtë vite më parë, një grua të cilën e desha, dëshpërimisht theu një arterie ndërsa këndonte dhe unë vuajta të gjithë agoninë e vdekjes së saj… Si një i çmendur, më ndodhte të kisha edhe ndonjë interval qartësie dhe gjatë të pandërgjegjshmes që zgjaste shumë unë pija, Zoti e di sa. Miqtë e mi preferojnë vesin e të pirit më shumë se të pirën prej vesit: ishte e tmerrshme, lëkundje të pafundme mes shpresës dhe dëshpërimit të cilën nuk mundesha më ta duroja pa humbjen totale të arsyes. Më dhanë një jetë të re pas vdekjes së saj. Por, oh Zot, çfarë ekzistence melankolike! Unë nuk gjej asnjë kënaqësi në përdorimin e stimulantëve, kundrejt të cilëve unë jam kaq tolerant. Vetëm prej dëshirës për t‘iu nënshtruar torturës së kujtimeve kam vënë në rrezik jetën time dhe jo për dëshirë a kënaqësi” Leximi i një libri me tregime nga Edgar Poe kërkon vullnetin e lexuesit për ta pranuar të tmerrshmen dhe të mrekullueshmen ta ngjethë dhe që edhe në kohë të nxehtë t’i kujtojë, se dimri nuk pyet për kufij stinësh. Kësisoj e kumton Sharl Bodler, “korbin” e letërsisë Edgar Alan Poe Poe është një shkrimtar dhe poet amerikan, ndër më të njohurit dhe më të përkthyerit. I famshëm për poezinë e tij të zezë, të rrethuar nga mjerimi dhe misteri, quhet poeti që krijoi letërsinë kriminalistike dhe atë fantastike shkencore. Edgar Poe ishte i pari shkrimtar i njohur amerikan, i cili provoi të fitonte jetesën vetëm nëpërmjet shkrimeve të tij, gjë që i solli një jetë dhe një karrierë me shumë vështirësi financiare. Poe cilësohet si një tragjedi e gjallë. Jeta e Poesë ishte një shtrëngatë e ngjarjeve të pafata, të cilat frymëzuan edhe disa nga shkrimet e tij më gotike, romantike e të errëta. Ja cilat ishin 10 trishtimet më të mëdha të Poesë. Jetim.

I lindur në vitin 1809, ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. I papërkrahur. Ndërsa Poe jetonte në familjen birësuese Alen, patriarku Xhon Alen, një tregtar skocez, e nënvlerësonte Poenë në të gjitha mënyrat emocionale dhe financiare. Ai madje nuk u adoptua kurrë legalisht. Në kohën kur Poe shkonte në shkollë, babai i tij birësues nuk i dha kurrë para të mjaftueshme apo mbështetje dhe shumë shpejt Edgar u detyrua të fillonte kumarin. Edhe pse Xhon Alen kishte trashëguar para të shumta nga xhaxhai i tij, paratë që i çonte Poesë për veshje ishin të shënuara si borxh. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të Poesë, ai mori rrugën për t’u bërë një shkrimtar i uritur. E dashura e parë martohet me një tjetër. Përpara se Poe të shkonte në shkollë, ai u lidh me një vajzë të quajtur Sara Roister, por kur ai u largua për në Universitetin e Virxhinias, vajza e detyruar nga babai i saj, i cili i shkatërroi dhe të gjitha letrat e Poesë, u martua me një të pasur. Ata dukeshin të lumtur dhe kishin dy fëmijë, por në vitin 1844 bashkëshorti i Virxhinias vdes, duke i lënë familjes një pasuri prej 100,000 dollarësh me kushtin që gruaja të mos rimartohej. Nëna birësuese vdes. Gjatë kohës kur babai birësues i Poesë nuk i kthente asnjë nga letrat që Poe i shkruante, Françeska, nëna birësuese e tij, u sëmur dhe vdiq në vitin 1829. Shkrimtari nuk u lajmërua për këtë fakt dhe as për varrimin. Vdekjen e saj ai e mori vesh rastësisht kur shkoi për vizitë. I mohuar nga familja Foster. Xhon Alen u martua përsëri dhe vazhdoi jetën e tij, duke e shpërfillur plotësisht Poenë. Kur gruaja e tij zbuloi se Alen kishte fëmijë jashtë martesorë, ajo kërkoni që Xhoni ta mohonte djalin. Kështu ndodhi që kur babai i tij jo biologjik vdiq, e gjithë trashëgimia e tij i kaloi fëmijëve të ligjshëm, ku Poe nuk bënte pjesë, pasi nuk ishte birësuar kurrë. Vëllai i vdes nga alkooli. Pasi Poe u mohua nga familja e tij e dytë, ai u përpoq të lidhej me të afërmit e tij të familjes biologjike dhe me vëllain e tij Henri. Ky i fundit, për fat të keq, kishte vdekur nga problemet me alkoolin. Alkooli ishte një shqetësim dhe i Poesë, prej të cilit kishte humbur shumë shpesh punën.

Gruaja e parë i vdes nga tuberkulozi. Gjatë kohës kur ai u kthye tek të afërmit, dashurohet pas Virxhinias, kushërirës së tij 13-vjeçare. Ata u martuan në mënyrë të fshehtë në Baltimore, duke gënjyer për moshën e vajzës. Poe në atë kohë ishte 26 vjeç dhe ceremoninë e dasmës e bënë pasi shkrimtari arriti të siguronte disa para nga shkrimet e tij. Fatkeqësisht teksa një ditë Virxhinia këndonte dhe luante piano e lumtur, ajo zbuloi se kishte tuberkuloz. Vdiq kohë më pas, duke e lënë Poenë e ri dhe të dëshpëruar. Romanca të dështuara. Pas humbjes së Virxhinias, Poe ndihej bosh dhe këtë boshllëk vendosi ta mbushte me alkool dhe femra të tjera. Ai u fejua me poeten Sara Uitman, fejesë që u prish prej teprimit me alkoolin nga ana e Poesë. Pas kësaj ai i hodhi sytë nga e dashura e tij e shkollës së mesme, me të cilën u fejua, por nuk arriti të martohej, pasi jeta e tij u shua. Një vdekje mizore. Arsyeja e vdekjes së tij nuk dihet, por ka ndikuar për të alkooli, kolera, droga, sëmundjet e zemrës, epilepsia, tuberkulozi dhe faktorë të tjerë. Ai u gjet në rrugët e Baltimores i çmendur dhe i veshur keq, ku një kalimtar e dërgoi në spital, ku edhe vdiq. Fjalët e tij të fundit thuhet se kanë qenë: “Zot, ndihmoje shpirtin tim të varfër!” I poshtëruar nga rivali i tij në letërsi. Sikur të mos mjaftonte jeta e vuajtur dhe vdekja mizore e Poesë, rivali i tij në letërsi vazhdoi ta poshtëronte edhe pas vdekjes, për shkak se Poe kishte shkruar disa kritika të ashpra për të. Rivali i tij Rufus Grisuord shkroi nekrologjinë dhe biografinë e parë të Poesë, të cilat i mbushi me gënjeshtra dhe poshtërime. Ai e quajti atë një pijanec, një të droguar, një feminist dhe një njeri të pamoralshëm, i cili nuk kishte asnjë mik. Biografia e ashpër që rivali i Poesë i bëri atij, rezultoi se kishte dhe anën e saj pozitive, pasi veprat e Poesë filluan të shiteshin dhe lexoheshin shumë.

SHKARKO APP