Edi Rama: Albanese Come Jim

(Botuar me 12 Qershor 1993)

Albanese Come Jim

Nga Edi Rama

Vetura u ndal në sheshin përpara Pallatit të Sportit “Pianella”. Ndërkohë që miku im po e parkonte automjetin, unë kisha zbritur dhe po vështroja rreth e rrotull atij sheshi, ku për dekada me radhë kishin zbarkuar kampionët më të mëdhenj të parketit. Në atë shesh sportdashësit e basketbollit kishin kremtuar trofetë e shumta të skuadrës së tyre legjendare. Nuk mbahej mend që kur sheshi “Pianella-s” ishte qendra ku mblidheshin emocionet e së shtunës së krejt atij qyteti të bukur e të qetë, i cili kishte te basketbolli dashurinë, krenarinë dhe ëndrrën e tij. Në sallën e lojës dëgjohej vetëm përplasja e rrallë e topit të basketbollit dhe tek-tuk britma e ndonjë lojtari apo bilbili i trajnerit të skuadrës së invalidëve, e cila po stërvitej për ndeshjen e ardhshme të kampionatit. Miku im Alfredo Marson, menaxheri i skuadrës, që me pasionin e tij për të ndihmuar rehabilitimin e invalidëve, subvenciononte edhe një qendër rekuperimi, më ftoi për ta ndjekur atë stërvitje. Kisha një kuriozitet të dyfishtë për të hyrë në atë sallë sepse së pari nuk kisha parë kurrë se si invalidët luanin basketboll duke bërë numra të paimagjinueshëm me topin dhe me karrocat e tyre dhe së dyti, sepse nga koha kur jepja kontributin tim thuajse të panevojshëm në parketin e basketbollit shqiptar, trashëgoj një kuriozitet të shtuar për gjëra të caktuara që lidhen me sportin, e kësisoj nuk do të largohesha krejt i kënaqur nga Kantu-ja sikur të mos isha futur në “Pianella”. Duke kaluar në korridorin midis ndenjësve, u ndalëm për një çast përpara një burri, i cili rrinte ulur dhe ndiqte stërvitjen që po zhvillohej. “Ky është Edi, një mik nga Shqipëria”, i tha atij Alfredo, duke bërë prezantimin tim. Me siguri do të mbeten një kohë të gjatë në kujtesën time shprehja e fytyrës së tij, pyetja që s’kërkonte përgjigje “Albanese Come Jim?” dhe pohimi i mbushur me nostalgji “Era forte Jim, fortissimo”. Në çdo rast tjetër në dhe të huaj me siguri do të nxitoja të pyesja se për cilin Jim e kishte fjalën, i bindur që bashkëfolësi mund të më merrte për bashkatdhetar të ndonjë hajduti apo kaçaku të mundshëm të një filmi vestern, i cili quhej Jim il Albanese, por ishin vendi ku ndodheshim, mosha e thyer e tjetrit që dukej se punonte prej kohësh në atë sallë, që nuk mund të më linin të nxitohesha. Sado e papritur mund të dukej, në mendjen e tjetrit nuk kishte mbetur një fortissimo gangster, siç kishte ndodhur fjala vjen me punonjësit italianë të doganave, me shitësit, me pronarët e hoteleve, italianët bamirës apo karabinierët, të cilët kishin pasur rastin të takonin kohët e fundit plot shqiptarë të fortë mbresëlënës. Për bashkëfolësin unë nuk isha bashkudhëtari i ndonjë shqiptari syresh, sepse ai më pyeste në isha një shqiptar si Agim Fagu. Mjeshtri ynë i sportit më kishte krijuar mundësinë që më në fund dikush, diku larg Shqipërisë mos të sforcohej që të përmbante rrudhjen e buzëve kur dëgjonte për kombësinë shqiptare. U ulëm, ndërkohë që Alfredo vazhdoi aty ku tjetri e kishte hapur bisedën. E dëgjoja tashmë të largët zërin e mikut tim, i cili më fliste për albumin historik të basketbollit në Kantu, ku shkruhej për mrekullinë e Agim Fagut “… 1968… Tirana… Partizani- Oransoda- 68…”. Shikoja fushën dhe sforcohesha që të imagjinoja sfidën e shqiptarit përballë duarve gjigantë të basketbollistëve italianë, midis të cilëve gjendej asokohe dhe ylli amerikan Majk Lyn. E vështirë të jesh “albanese come Jim”, sepse për mua që e njoh nga afër, sfidat e atëhershme të Agim Fagut nuk kanë qenë gjë tjetër veçse shprehje e esencës së Gimit si njeri. Prandaj vetëm buzëqesha i përkëdhelur në sedër kur e kuptova për kë e kishte fjalën i huaji dhe nuk pata kurajën që të paktën të pohoj me kokë. E vështirë t’i përgjigjesha pozitivisht asaj pyetjeje, aq më tepër kur e sheh nga afër sot e gjithë ditën “Jimin” që nuk pranon të humbasë përpara askujt dhe për asgjë. E gjithë jeta e tij është një vrapim në vijë të drejtë, që nuk njohu pengesë, alternim e aq më pak shtrembërim. Në kohën kur aftësitë e tij i kishin stërkaluar kufijtë e Shqipërisë, në kohën kur nuk kishte asnjë parket të Europës ku shkelte pa lënë gjurmë, në kohën kur bankinat e elitës evropiane do të donin ta kishin, ai, “il forte Jim” i nënshtrohej një stërvitjeje të pabesueshme në kushte që nuk do t’i pranonte as më mediokri i sportistëve evropianë, pranonte i heshtur ironinë e fatit që në vend të miliardave i varte në qafë medaljet e prodhuara nga Artistikja “Migjeni”, shtrëngonte dhëmbët në terrenet me një qymyr të zi skëterrë, duke i trashëguar më të rinjve të skuadrës së tij mitin e pathyeshmërisë. Në kohën kur askush nuk do të guxonte ta bënte, Agim Fagu reagoi publikisht ndaj miqësisë së përjetshme shqiptaro-kineze, në kohën kur askush s’do të guxonte ta mendonte, kapiteni fitimtar i klubit të Ministrisë së Mbrojtjes sfidoi arrogancën hakmarrëse të oficerëve prepotentë duke e braktisur ëndrrën e jetës së tij për arsye bindjesh morale, në kohën kur të tjerët vraponin pas karrierave të rrejshme, qenia mitologjike e basketbollit shqiptar, tashmë përtej të dyzetave, vazhdonte të vraponte si një spartan i mbetur prej kohërash që s’mbahen mend në këtë vend dembelësh e llafazanësh. Larg qoftë që në këto kohëra të mbushura me tesera persekucioni dhe me dëmshpërblime morale dhe jo vetëm morale, ndonjë lexues, dashamirës i keqkuptuar apo lëçitës dashakeq, kujton se me gjithë sa po shkruaj dua ta nxjerr Agim Fagun të persekutuar, ndërkohë që qëllimi im modest dhe dëshira ime shumë e madhe është të shkruaj me fjalë sa më të thjeshta për një njeri që e ka shkruar vetë, më mirë se kushdo, historinë e tij, për një njeri që me të kaluarën e tij pasionante më bëri të ndihem për një moment i lumtur në një vend të huaj, ku shqiptarët për pak muaj iu rrëmbyen marokenëve namin e më të këqijve, për një njeri që di të heshtë aq bukur sot, kur qindra injorantë të trashëguar nga e kaluara po hedhin mbi kokat tona një valle të dehurish që e kanë quajtur “Demokracia”.

Edi Rama

Milano – Tiranë 1993

SHKARKO APP