Edi Rama mëson pas 10 vitesh se ekziston një raport i Këshillit të Europës për UÇK

Nga Enver Robelli –
Meqë këto ditë nga disa njerëz të papërgjegjshëm që dalin nëpër ekrane është bërë modë të pohohen disa rrena kundër Hashim Thaçit, janë të domosdoshme disa sqarime:
1.
Hashim Thaçi nuk e ka përgatitur Gjykatën Speciale. E ka nënçmuar Raportin e Këshillit të Europës, siç e kanë nënçmuar shumica e institucioneve në Prishtinë dhe Tiranë. Kur e ka nuhatur rrezikun (tepër vonë), është përpjekur të shpëtojë çka mund të shpëtohet. Por në dhjetor 2010 – dhe për këtë jam dëshmitar – Hashim Thaçi përkundër paralajmërimeve nuk ka qenë fare i vetëdijshëm se çfarë rreziku paraqiste për Kosovën Raporti i Këshillit të Europës. Politikanë të tjerë të PDK-së thoshin: le të vijnë ekspertë ndërkombëtarë për të hetuar, sepse ne s’mund t’i mbrojmë dëshmitarët. Pra, që nga fillimi ka dominuar naiviteti, mungesa e aftësisë për të kuptuar rrezikun dhe qasja defansive.
2.
Hashim Thaçi ka ndikuar në themelimin e Gjykatës Speciale sipas ligjeve të Kosovës, sepse çdo alternativë tjetër ka qenë edhe më fatale se kjo tani. Por secili deputet ka votuar sipas ndërgjegjes së tij. Asnjërin prej tyre nuk e ka detyruar Thaçi me dhunë. Veçse janë matur rrethanat: çka është më keq? Një gjykatë e OKB-së me gjykatës rusë, kinezë e të tjerë do të kishte synime për shembjen e shtetësisë së Kosovës. Dhe një e tillë do të themelohej po qe se Kosova do të refuzonte Gjykatën Speciale. Kosova si shtet i pakonsoliduar nuk do të kishte fuqi të sillej si vend që saboton drejtësinë. Do ta kishte mbarë Perëndimin kundër. Atë Perëndim që i ka së paku 50 për qind të aksioneve për themelimin e shtetit të Kosovës dhe e ruan territorin e tij me mijëra ushtarë qe 20 vjet.
3.
Si erdhi Kosova deri këtu? Për këtë duhet ta pyesin veten të gjithë ata politikanë në Kosovë e Shqipëri, të cilët qe 20 vjet kanë qenë të koncentruar vetëm në pasurim përmes rrugëve të paligjshme dhe kur ndodhin situata të papritura, dramatike, dalin e bërtasin si të çmendur e mallkojnë kinse “Europën kurvë”. A mendonte dikush se mund të ketë pasoja më të mëdha për nivele më të larta kur në Prishtinë gjykatat dënonin për torturë eksponentë të UÇK-së në një burg në veri të Shqipërisë? A bëhej kush merak kur zbulohej identiteti i dëshmitarëve të mundshëm? Kur vriteshin njerëz papritmas? Bile as tash nuk ka asnjë shqetësim të gjerë publik që shumë vrasje mbesin të pasqaruara.
4.
Hashim Thaçi tani është në duart e drejtësisë dhe është e pamoralshme që tani emri i tij të shfrytëzohet për lojëra politike, siç po bëjnë disa nga Vetëvendosja. Nëse vërtet janë aq trima, përse nuk e bllokuan pistën e aeroportit për të penguar shkuarjen e Rexhep Selimit në Hagë?
5.
Hashim Thaçi ka qenë aq i fuqishëm politikisht, sepse një pjesë e madhe e asaj fuqie i ka buruar pikërisht nga dobësia e kundërshtarëve të tij politikë. Tash s’mund ta përdorni më emrin e “demonit” për dështime dhe arsyetime elektorale. As pozita, as opozita.
6.
Hashim Thaçit nuk i ndihmon as kryeministri i Shqipërisë, i cili këto ditë, me 10 vjet vonesë, e ka zbuluar se ekziston një Raport i Këshillit të Europës mbi Kosovën dhe përkulet me temena kinse po e mbron UÇK-në. Këto janë akrobacione të pabesueshme dhe absurde. Po të ishin seriozë në këtë çështje kryeministrat e Shqipërisë, ata do të ndërtonin një shtet ligjor që sqaron krejt krimet e mëdha brenda kampit politik të Tiranës. Kur kjo mungon, politikanët çirren ende se kush e vrau Azem Hajdarin, kush i vrau civilët më 21 janar, kush është fajtor për Gërdecin? Ose: si u vranë Ahmet Krasniqi e Ilir Konushevci? Sa i përket Kosovës: Duhet të marrë fund praktika e ndyrë e politikaneve të Tiranës që Kosovën ta përdorin për pazare elektorale të kasabasë së tyre apo për të shmangur krizat e brendshme. Kështu ka qenë më 1996/97 gjatë krizës së piramidave, kështu është edhe tani, në vitin 2020. Dhe kjo nuk është fare patriotike. Është e neveritshme. Nëse s’mund t’i ndihmoni Kosovës (dhe nuk mundeni në këtë çështje, sepse nuk keni ndërtuar shtet funksional e me autoritet), së paku lëreni Kosovën të qatë. Cicërimat në Twitter janë vetëm kontribut për humor të zi.

SHKARKO APP