“Ekrani i artit”, festivali i filmit për herë të parë nga Firence në Shkodër

Në kuadër të bashkëpunimit me “Art House|, i mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës e Code Partners, formati i Lo Schermo dell’Arte-Ekrani i artit, ka mbërritur për herë të parë në Shqipëri.

Ky festival përzgjodhi qytetin e Shkodrës për të sjellë një përzgjedhje filmash, dokumentarësh, videosh që  janë shfaqur ndër vite në këtë festival. Lo Schermo dell`Arte, i cili është një festival ndërkombëtar i filmit, i organizuar që nga 2008 në Firence, ka startuar me shfaqjen e dy filmave, “Takimi me Olafur Eliasson” i brazilianit Marco de Fiol dhe “Damien Hierst: Mendimet, puna, jeta” e britanikut Chris King.

Drejtuesi i “Art House”, Adrian Paci e quan një moment të shënuar për qytetin ardhjen e filmave të këtij festivali ndërkombëtar në Shkodër.

“Është një festival shumë special që zhvillohet në Firence, sepse është një festival ku sillen filma për artin dhe filma që prodhojnë artistët”, thotë ai. Drejtorja e festivalit, Silvia Lucchesi, e cilëson nder të dyfishtë praninë në Shkodër.

“Është një nder i dyfishtë që jemi sivjet këtu, pasi po këtë vit “Schermo dell’arte” feston 10-vjetorin e tij. Adriani erdhi në Firenze në 2014 për të prezantuar filmin që kishte përgatitur, ishte një kënaqësi e madhe, sepse nga ky moment jemi njohur dhe u bëmë miq. Tani për ne është kënaqësi që jemi 3 netët e festivalit në prezantimin e filmave, në qytetin e lindjes së Adrianit. Falënderojmë Institutin Italian të kulturës për mbështetjen. Përmes filmave do të mësoni disa të vërteta rreth tyre, apo protagonisteve qe i kane realizuar, por pse jo edhe do të zbaviteni”, u shpreh ajo.

Melisa Paci, koordinatore e “Art House”, është shprehur se ky festival ka për qëllim që këto 3 ditë të jenë festë për qytetin.

Ky festival do të jetë për 3 ditë me radhë në qytetin e Shkodrës. Projekti kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, ku në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione video, takime me artistë e kuratorë. Që nga viti 2012, projekti organizohet në të njëjtën kohë me Festivalin e Filmit. /a.g/

SHKARKO APP