Elina Duni koncert në Prishtinë

Këngëtarja e njohur Elina Duni do të këndojë në Prishtinë. Duni është e ftuar e veçantë në mbrëmjen Gala të Fondit Kosovaro -Amerikan për Edukim, “The Night of The Rising Stars”, (Mbrëmja e Yjeve në ngritje), që do të mbahet të premten, më 23 shtator në Prishtinë. Ky event artistik organizohet për qëllime bamirësie me qëllim përkrahjen e të të rinjve të talentuar kosovarë përmes bursës për programe master të Këshillit Amerikan për Arsim Ndërkombëtar, KAEF.  “The Night of The Rising Stars” do të zë vend në ambientin e Muzeut Etnologjik dhe do të shoqërohet nga një mini-koncert i ish studentëve me bursë të KAEF-it, të udhëhequr nga Shpat Deda, për të vazhduar me koncertin e këngëtares Elina Duni. Njëherësh, kjo mbrëmje synon që t’i festojë të arriturat e Kosovës në fushën e edukimit, prodhimtarisë dhe të kulturës. Fondi Kosovaro- Amerikan për Edukim, ofron bursa për studime master në disa prej universiteteve më të mira amerikane. KAEF është burim i rëndësishëm për studentët e talentuar kosovarë që të fitojnë dituri shtesë dhe të njihen me mundësi të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më sot, KAEF ka ndarë 87 bursa që nga viti 2005 për një grup të rinjësh të talentuar nga Kosova.

SHKARKO APP