Ema Andrea dhe Erjona Kakeli sjellin në teatër monodramën “Burka e Medeas”

Janë dy artiste tashmë të njohura dhe të vlerësuara në jetën artistike të teatrit, çka premton të sjellin dhe një tjetër sukses me këtë vepër teatrore. Aktorja Erjona Kakeli tregon se prej disa ditësh po zhvillojnë provat për premierën dhe sipas saj është një vepër që përcjell jo pak mesazhe.

Një monodramë e ditëve të sotme shprehet aktorja për këtë pjesë, që do të vijë në skenën e teatrit në data 3, 4, 10 dhe 11 qershor.

“Është një monodramë e ditëve të sotme, ku prek me shumë finesë disa tema si emigracionin, dhuna ndaj gruas, dashurinë mes dy kulturash të ndryshme bashkë me një shkrirje interesante të antikitetit”, pohon mes të tjerave aktorja Kakeli për monodramën, që do të vijë premierë në skenën e Teatrit të Kukullave, hapësirë që po shfrytëzohet dhe nga të tjerë artistë për shfaqjet e tyre për publikun. “Burka e Medeas” shkruar nga autori grek Andreas Flourakis vitin që kaloi ishte pjesë e netëve të leximit të dramës Ballkanike në Tiranë, një aktivitet që pati jo pak vëmendje për autorët dhe veprat e shkruara.

Aktorja Kakeli tregon se ka qenë ky aktivitet me të cilin ajo është njohur me monodramën që tashmë do ta interpretojë në skenën e teatrit për publikun.“Këtë pjesë e kam lexuar në “My name is Balkan”, një projekt që organizonte Ema Andrea. Më pëlqeu aq shumë sa ishte propozim në heshtje i të dyja palëve. Menduam pse mos e bëjmë dhe shfaqje në teatër dhe ja ku jemi me monodramën. Teksti nga autori Flourakis është për mua shumë i veçantë”, vijon të tregojë aktorja e njohur Eriona Kakeli. Vepra është përkthyer nga Romeo Çollaku, kompozitor Alban Laro, kostumografe Desantila Lika, skenografia nga Klod Dedja dhe asistente Melisa Becoviç si dhe Ermir Jonka.

Monodrama në skenë

Aktorja tregon se puna me monodramën nuk ka qenë e lehtë. Për herë të parë në skenë me një monodramë, ajo shprehet se nuk kanë munguar dhe vështirësitë.

“Pjesa ka në vëmendje një grua që vjen nga lindja në perëndim me burkë për dashurinë e saj. Është hera e parë që jam me një monodramë dhe për mua është shumë e vështirë”, tregon aktorja Erjona Kakeli. Medea jonë ka një burkë. Mbulesën e debatueshme të myslimaneve me bashkëshortë jashtëzakonisht të devotshëm ndaj Allahut të madh. Një burkë që e sjell atë në bashkëkohësi. Ikja prej Kolkisë së saj në krahët e dashurisë tani është një emigrim.

Dhe nëpër vargjet plot pathos që lejon mitologjia na hyjnë ndodhira moderne, si pasaportat, kalimi i kufirit, përçmimi për të ndryshmen që ajo është në vendin e mbërritjes, etj. Para këtij roli, më herët në skenën e teatrit aktorja erdhi me rolin e infermieres në dramën “Equus”. Aktorja Erjona Kakeli ka një aktivitet të vlerësuar në skenën e tetarit. Me interpretimin e saj në shfaqje të autorëve shqiptarë dhe të huaj ajo ka sjellë për publikun role nga më të ndryshimit, të cilët i kanë dhuruar vlerësimin. Këtë herë ajo vjen me një monodramën me titullin “Burka e Medeas” dhe pas disa ditësh do të jetë në skenën e teatrit. / KultPlus.com 

SHKARKO APP