Ema Andrea: Përtej “Pragut”, 7 ëndrra dhe një vello për Nazime Vishen

Intervistoi: Albina Gjergji

Me mallin që u lexohej në portret e dhimbjet që pasqyroheshin ndër rrudha, si asnjëherë më parë të martën në mbrëmje, shtatë të burgosura u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar me gjithë historitë e tyre. Mes këtyre "aktoreve", asesi nuk mund të mungonte Nazime Visha, 21-vjeçarja, historia e së cilës padyshim mbetet ndër më të lakuarat në opinionin publik për pikëpyetjet dhe trishtimin që mbart. E veshur me një fustan përrallor nuseje, për të cilin kishte menduar me detaje "Geraldina Sposa" dhe me vello në kokë, Nazimja përcolli tek publiku atë emocion të fortë që… mbase asnjë aktor profesionist nuk e kishte sjellë më parë. Me një regji fantastike të mjeshtres Ema Andrea dhe skenografi të Klod Dedes, Visha e gjashtë gratë e tjera të burgut 325 përcollën tek publiku një mesazh të fortë ndërgjegjësues (të cilin shpeshherë e harrojmë), atë të rëndësisë së lirisë dhe mënyrës sesi duhet ta kuptojmë e sillemi me të. Të kuruara estetikisht thjesht, secila prej tyre rrëfeu në sallë "kalvarin" e saj. Me gjestikulacione plot ndrojë, mimika mallëngjyese, dëshira të flakta, të mbushura me shpresë, zëra të vërtetë e larg çdo hipokrizie… për një natë protagoniste ishin ATO, shtatë zonjat e 325-ës, të cilat depërtuan në zemrat e trazuara të kohës dhe publikut shqiptar.

Dhe… pas gjithë këtij suksesi, komentuar shumë fort në media e jo vetëm… "fshihet" regjisorja e talentuar, unike në llojin e saj, Ema Andrea; skenografi Klod Dedja, si dhe z. Artur Zoto, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve në Tiranë në cilësinë e bashkëpunëtorit.

 


Shtatë të burgosura ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar, mes tyre edhe e shumëlakuara për nga përmbajtja e historisë së jetës, Nazime Visha. Si lindi tek ju ideja e kësaj shfaqjeje të jashtëzakonshme për teatrin shqiptar?

Prej kohësh, siç mund ta keni vënë re, punoj për një art përtej suksesit personal dhe daljes në skenë. Qëkur, bashkë me Klod Dedjan krijuam fondacionin “M.A.M”, projektet tona kanë qenë për të krijuar ura lidhëse dhe komunikuese midis artit dhe shtresave të ndryshme sociale, të paragjykuara apo të margjinalizuara, si dhe problemeve sociale. Kishim kohë që mendonim se duhej bërë diçka edhe për këtë shtresë të izoluar të shoqërisë, pasi njohim forcën e artit, lëvizjen e brendshme dhe sidomos në rolin e tij në komunitet, në forcën reflektive, jo vetëm emocionale që ka arti në secilin individ. Dukej se universi këtë herë bashkoi idetë dhe dëshirat tona me idetë progresive të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Nëse do të ndalesha në detaje, historia fillon me një mike, Linda Brahja dhe përfundon për të filluar me takimin me z. Artur Zoto. Kisha idenë dhe dëshirën që të bëja diçka për një realitet që nuk e njihja, por për një gjë isha e sigurtë, shfaqja do t'u përkiste atyre (të burgosurave) më tepër se mua. Mbaj mend takimet e para që ishin si një tërmet brenda meje. U përballa me femra që më shihnin me dinjitet drejt në sy dhe me dëshirë të madhe për të jetuar. Nuk luanin viktimën (siç shpesh lexojmë, apo i gjykojmë ngjarjet e tyre) dhe as heroinën e viktimizuar. "Jetova" me gra tashmë të forta që vuajnë dënimin, duke u përpjekur të mos humbnin shpresën, besimin (edhe pse në ato kushte duket e vështirë, mbi të gjitha vlerësimi për veten). Kam reflektuar gjatë për ndjesinë e fajit dhe mbi të gjitha për gjykimin, apo paragjykimin që kemi ne për realitetin e tyre, krejt të panjohur për ne. Dita e tyre ka një rutinë punësh fizike dhe rregullash, rutinë e cila vlon nga njëmijë ngjyra mendimesh të pathëna, mendime të natës e të ditës, të gjitha këto nën ndjesinë e fajit dhe shpesh kur dilja nga takimet mendoja "Zot, mos më vër në provë!". I kam shpëtuar dëshirës dhe kuriozitetit për të pyetur dhe folur, mësova t'i dëgjoj e t'i vëzhgoj pa i dhunuar me superioritetin që më jepte liria ime dhe kështu filluam një raport nga zero në të cilin nuk kish as ndjenjë inferioriteti e as mëshire e superioriteti. Ky ishte momenti i besimit midis nesh, drejt shprehësisë artistike. Nga ky moment, çdo gjë u bë më e lehtë për komunikimin tonë dhe shprehësitë e detajet që ato ofronin ishin shumë më tepër se ç'mund të imagjinoja. Ka qenë proces delikat në fije pragjesh personale dhe artistike.

Sa vështirësi paraqiste një ide e tillë në fillim të projektit, duke qenë se vetë bashkëpunimi me Drejtorinë e Burgjeve, për nga siguria paraqet një proces mjaft delikat?
– T'ju them të drejtën, shumë sinqerisht, kam gjetur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm prej Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. E kam kuptuar dhe vlerësuar shumë faktin që janë dedikuar shumë në këtë projekt, duke e bërë atë që edhe mua më dukej e pamundur, realitet. Gjatë provave, por edhe kur dolëm dy ditë në skenë ka qenë një energji bashkëpunuese, ku edhe pse e kuptoje pozitën aspak të lehtë të forcave të sigurisë, emocionoheshe nga dedikimi dhe respekti i gjithësecilit për këtë akt artistik dhe shoqëror. Të gjithë të jashtëzakonshëm, profesionistë dhe qytetarë që kryen detyrën e tyre në mënyrë të rreptë, duke respektuar dinjitetin dhe krijimtarinë e grave që do të performonin. Unë sinqerisht, (le të tingëllojë patetike), u jam mirënjohëse.

Një shfaqje e parë në llojin e saj në Shqipëri, nga ku u panë qartë emocionet dhe ovacionet. Çfarë e bënte më të veçantë për syrin e një regjisoreje të arrirë si ju performancën e 7 të burgosurave?
– "Prekjet" tona artistike ishin shumë të holla dhe delikate. Unë u përpoqa të kthej në shprehësi artistike realitetin dhe rutinën, duke e ndërthurur me situatën e tyre shpirtërore dhe mendimet e tyre. Menduam të krijojmë një urë lidhëse mbi padijen e këtyre dy botëve paralele dhe besoj ia doleë. Publiku e priti shumë mirë dhe besoj se ovacionet kishin të bënin me zbulesat që kjo shfaqje i ofroi. Gratë nuk aktronin, thjesht kishin rastin të shprehnin të pathënat, në gjuhën e tyre, sipas mënyrës së tyre. Unë thjesht pasurova me mjete të tjera skenike gjithë procesin tonë. Ishte një shfaqje e sinqertë, e ndoshta kjo është edhe arsyeja që publiku e pranoi, reagoi e ndoshta reflektoi mbi atë realitet. Nuk kam ndjesinë e regjisores në këtë shfaqje. E vetmja gjë që më shqetësonte ishte që gratë të flisnin për mungesën dhe dëshirën. Kjo shfaqje ishte procesi ynë, midis meje e prurjes sime artistike dhe "botës" që krijuam midis nesh. Tek une si grua dhe si artiste, kjo shfaqje do të qëndroje shtrirë brenda meje për shumë kohë. Suksesi nuk është imi, por i atyre të cilat patën kurajon të bëjnë ndryshimin mbi skenë. Ndaj lutem të mos quhen "aktore", pasi ato nuk luanin asgjë… thjesht komunikuan me ne në formën më të sinqertë, që është edhe më e vështira. Jam krenare që jam pjesë e këtij akti të rëndësishëm social dhe artistik, si qenie njerëzore më së shumti. Dikush më shkruante për këtë shfaqje: "tash mundesh me vdekë"! Nëse ia kam dalë të lëviz diçka në mendjet dhe zemrat e këtyre dy botëve paralele "mundem edhe me shku"! Nuk më pëlqen të jem njeriu që bërtet pas ekranit, por nëse mundem të bëj diçka që vlen… e bëj! Ndaj sinqerisht uroj t'ia kem dalë, njerëzisht. Regjisorja Ema Andrea ka marrë një dhuratë që i kalon kufijtë e suksesit artistik, apo duartrokitjeve, por për momentin do ta lë të reflektojë pas këtij tërmeti. Kjo shfaqje nuk më përket mua dhe as egos sime. Arti bëhet i bukur prej së vërtetës!

Pse "Prag"?
– Besoj se kjo fjalë i thotë të gjitha. Që nga pragu i vetvetes  e deri tek pragu shoqëror. Pragu për t'u kapërcyer si shpresë, pragu i mendjeve që nuk duan të njohin, pragu që ndryshon jetën kur kapërcehet… Besoj është fjala e përbashkët për këto botë paralele pak të njohura nga njëra-tjetra. Pragu i fjalës, pragu i kohës që shkon ndryshe për secilin nga ne!

Ndryshe nga shumë regjisorë të tjerë, ndjej të theksoj unikalitetin tuaj artistik në fantazi, krijim dhe produkt. Sa e vështirë është të jesh Ema në ditët e sotme, dmth të ruash origjinalitetin… veten?
– Dikur ka qenë më e vështirë, pasi tundimi për të qenë "rehat" besoj se kalon në pragun e gjithësecilit, por unë nuk e kapërceva atë prag dhe vendosa të shtyj kufijtë e vetvetes. Tani është si pesha, apo lehtësia e papërballueshme e vetvetes deri në perëndim. Tanimë nuk bëj dot ndryshe, vetja ime më ka zgjedhur kështu dhe jo unë.

Nazime Visha vishet nuse, e burgosura, e cila duket sikur është "përdhunuar" më shumë nga mentaliteti i mykur shqiptar, sesa nga ngjarja-realiteti i përjetuar nga ajo. E kujt ishte kjo ide dhe pse pikërisht Nazimja nuse dhe jo një e burgosur tjetër?
– Gjatë procesit në burg, ne flisnim për dëshirat dhe ëndrrat e tyre dhe thjeshtësisht me shumë pak fjalë, Nazimja më tha: "Dua të bëhem nuse" e filloi të përshkruante fustanin e saj dhe si do të donte të ishte ajo ditë! Unë thjesht krijova mundësinë që kjo dëshirë t'i plotësohej (nuk mund ta imagjinoni vështrimin e saj kur veshi fustanin). Kaq besoj mjaftonte, pa shumë fjalë, një gjest për Nazimen dhe ëndrrën e saj. Fustani i saj ishte fustan i vërtetë nuseje nga "Geraldina Sposa" dhe më duhet ta falënderoj Armand Pezën, mikun tim, për ndjeshmërinë që jo çdokush e ka në të tilla raste. Nazimja pati për një çast, fustanin e ëndrrave të saj… në skenë. Uroj ta ketë po kaq të bukur kur të martohet. Kjo ishte ëndrra e saj, që e bëri skenën dhe teatrin të bukur dhe spektatorin të emocionohej.

Një performancë përtej hekurave, të lira qoftë dhe për pak orë, por brenda të cilave trishtimi dhe dhimbja dukej sikur kishin krijuar "vend"; ç'mesazh dha protagonizmi i vetë Nazimes në këtë "paradë" historish? 
– Kuptimi i lirisë për ato gra është shumë më ndryshe nga  yni. Në fakt, Nazimja nuk ishte protagoniste. Në skenë ishin 7 ëndrra, 7 dëshira, 7 rrëfime. Nazimja kthehet në protagoniste prej historisë së saj në mendjet e njerëzve dhe në media, por në shfaqje kishte 7 ëndrra dhe dëshira e në vallen e tyre ishin edhe ëndrrat e bashkëvuajtëseve të tyre. Ishte një kërcim që u përket atyre dhe që e krijuan ato vetë me gjestet e dëshirave të paplotësuara. Unë thjesht i bashkova në një shprehësi artistike. Mesazh? Nuk e di, ftesë për reflektim.

Nën masa të rrepta sigurie, ku Teatri Kombëtar ishte rrethuar me policë, publiku nuk i rezistoi tundimit për t'i ndjekur live historitë e grave të burgut. Shumë duartrokitje, lot dhe ‘bravo’… Cila ishte pika kulmore e shfaqjes? 
– E gjitha. Që në hyrje, spektatori provokohet në ndjesi nga imazhet e larta të videove në hollin e teatrit dhe nga skenografia delikate dhe konceptuale e Klod Dedja nën tingujt e violinës së Valin Qerimaj. Heshtje e gjatë… çdo gjë të çon tek tensioni, izolimi, ëndërrimi, por aspak tek imazhi i rëndë i burgut që imagjinojmë në skemat tona imagjinare e kështu, ndjesia e izolimit shpërndahet edhe në spektatorë, e prej këtu fillon dalja e vajzave në skenë… në heshtje, duke i vështruar nga përtej xhamave të pragut. Pa fjalë, por me shumë histori në qenien e tyre (sikundër takimi im i parë me to), spektatori fillon të duartrokasë që në këtë pikë e thuajse pas çdo fjale gjatë shfaqjes. Ato numërojnë, vetëquhen në metafora që i përfaqësojnë e në fund vetëquhen për çka ka më kuptim për to në realitetin e tyre, quhen sa ditë e sa muaj kanë mbetur drejt lirisë dhe spektatorët mund t'i quajnë si të munden, por ato e thanë të vërtetën. Me pak fjalë e pak gjeste të sinqerta, në ato pak fjalë mund edhe të kuptoje një histori të gjatë e të patreguar.

Dëshirat, imagjinata, ankthi i pritjes, etja për liri… Të gjitha këto detaje që transmetuan emocione të forta në sallë ishin menduar nga ju që do kishin këtë impakt të jashtëzakonshëm edhe përtej mureve të teatrit? Qoftë në diskutimet e publikut, të cilët duan që shfaqja të ketë herë të dytë, por edhe mediatikisht?
– Nuk e kisha menduar impaktin. Unë e dija që ky do të ishte një akt i rëndësishëm social e artistik, një vepër që do të kapërcente një prag të rëndësishëm midis artit dhe realitetit, por për mua ishte e rëndësishme që ky kapërcim të bëhej mirë dhe mbi të gjitha, të vlente për gratë që vuajnë dënimin, që ky akt të mos dëmtonte pragun e askujt. Eshtë hera e parë që ndodh si në historinë e teatrit, ashtu edhe në historinë e burgjeve ndaj ishte i rëndësishëm për mua procesi, i cili duhej të rrinte ashtu i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Natyrisht që do të hapë, apo rizgjojë diskutime dhe interes, sepse kjo është forca e artit dhe artit i takojnë këto merita. Tani që ju shpjegova procesin, besoj e kuptoni që kjo shfaqje-akt nuk mund të përsëritet, pasi ishte dhe mbetet një akt i sinqertë ku nuk ka lojë, apo manipulime mbi gratë që performonin. Eshtë një çast që nuk mund të kthehet. Nëse do të ndodhë, atëherë do të jetë një shfaqje tjetër e kështu po! Natyrisht që ky është një projekt i cili do të vazhdojë edhe në fusha të tjera të artit dhe shfaqje natyrisht. Jam duke menduar të ftoj aktorë profesionistë ta ribëjnë këtë shfaqje për publikun duke krijuar një laborator tjetër teatror, mbi të njëjtat personazhe dhe të njëjtat ëndrra apo histori, kështu zëri i tyre do të përçohet, por ato (gratë) nuk do të përdoren, apo manipulohen si aktore për një realitet të jetuar prej tyre në ato dy orë e më shumë, jo nga unë të paktën! Më vjen mirë që kjo shfaqje ka "trazuar" mendime dhe ide, apo ka kapërcyer një prag të padukshëm, apo të panjohur.

Në media është shkruar që pas performancës së Nazimes, një familje amerikane ka kërkuar adoptimin e saj (jo juridik për vetë moshën e saj). Jeni në dijeni të këtij informacioni, konfirmuar i rezervuar edhe nga ana e familjes, por edhe nga burime të burgut? Si ju bën të ndiheni ky fakt, "kumbara" e së cilës i bie të jeni ju nëpërmjet shfaqjes që dhatë?
– Përgjigjen zyrtare natyrisht që nuk më takon mua ta jap, por nëse i solla pak fat me këtë shfaqje do të isha shumë e lumtur! Elementët e jetës së tyre të përditshme në realitetin ku jetojnë, unë u përpoqa t'i kthej në elementë komunikues metaforikë për spektatorin, larja e rrobave, zhurma e tyre kur i shkundin me forcë, përplasja e objekteve, një fustan nuseje që varet në kremastarët e ëndrrave të parealizuara, njësoj si rrobat e tjera, një nuse që kërcen e vetmuar me gjeste të thjeshta, një numërim sa njëmijë fjalë, cigarja e ndezur, vendi bosh i shoqes që u lirua, puna me grep me fije të gjata e shumëgjyrëshe, lulet e vërteta në duart e tyre, ngjyrat dhe pikturat mbi pragun e padukshëm që i ndante me spektatorët, etj. Këto gjeste të thjeshta më shërbyen mua regjisores si elementë komunikimi. E vërteta e tyre, u bë arti im!

A ka shumë Nazime shoqëria jonë sot Ema?
– Fenomeni ‘Nazime’ nuk është as i një fshati, as i një qyteti dhe as i një individi. E sheh kudo në mënyrë të sofistikuar veshur me Prada, apo me një fustan të thjeshtë, me fjalor të pasur, apo midis fjalëve të thjeshta. E jo vetëm që ekziston, por edhe shpesh stimulohet nga perversiteti i atyre që ndihen të paprekshëm nga ky fenomen, e shumë të tjerë që "ushqehen", duke u marrë me ngjarjen dhe Nazimen, por jo me fenomenin që e bën Nazimen fenomen shoqëror.

Duke qenë se një artist nuk "kënaqet" kurrë në objektivat e tij, sa përqind arritët ta preknit suksesin ju Ema me realizimin e kësaj shfaqjeje?l
– Çfarë ka ndodhur atë natë në skenë i ka kaluar pritshmëritë e mia. Jam krenare që krijova një mundësi artistike për një akt real dhe nëse kjo shfaqje ka ndikuar sadopak në vetëbesimin e tyre dhe në reflektimin qytetar larg mëshirës së shumëpërdorur, do të isha e plotësuar. Nëse do të fillojmë të reflektojmë nga pak mbi fajin kolektiv dhe përgjegjësitë tona, me akte konkrete, kjo shoqëri do të ish më e mirë ndoshta…

Bashkëpunëtorët e këtij projekti mbresëlënës?
Artur Zoto, Bledar Skënderi, Linda Brahja, Ersejla Murati, Kadri Sula, punonjësit socialë, punonjësit e sigurisë së lartë, studentë të Universitetit të Arteve, studentë të tjerë, vajza ime, aktore, regjisorë, qytetarë të thjeshtë, shkrimtarë, përfaqësues të atyre që mbështetën dhe besuan tek ky projekt e mbi skenë ishin Ema, Klod Dedja, forcat e sigurisë, Valin Qerimaj, stafi i TK dhe gratë, sipas numrave përkatës që mbartin. 

 

 

SHKARKO APP