Emigrantë injorantë!!

Placeholder Image

 Nga Ilir Levonja –

 1) Shoh një tufë legenësh që në këtë katrahurën e Kakavijës, i quajnë emigrantët tanë injorantë. Se nuk duhej të vinin për pushime kur dihej se koha që po jetojmë, kjo në lidhje me pandeminë dhe rregullat doganore ndërshtetërore, nuk ishte e përshtatshme. Nga ana tjetër kanë disa muaj që bashkë me qeverinë e falimentuar, shtypin viziv e virtual po të falimentuar, me shtetin e falimentuar, që bëjnë një propagandë gjoja patriotike për kalimin e pushimeve në vend. Me tituj pompozë, pusho shqip, bli shqip, ushqehu shqip, zbulo vendin tënd etj. Një tufë legenësh që gjoja i hakërrohen Greqisë dhe vdesin të publikojnë ato gojët plot pështymë karshi saj, madje me frymëzim turk. Dhe këtë e bëjnë, jo se u dhimbsen emigrantët, por është ajo taktika e vjetër për të mbuluar dështimin e tyre. Pasi emigrantët aq u deshën, të vinin, të harxhonin paratë dhe të thyenin qafën. Në shtator legenët do raportin bumin ekonomik në turizëm fal qeverisë.

2) A po tallet doganat greke me ne? As që diskutohet, sa të duash po tallen. Humbja e personalitetit nuk vjen nga tjetri por nga vetja. Ndaj krimin më të madh karshi nesh, përpara se Greqia po e bën shteti ynë. Në fakt të gjithë shtetarët e këtyre tridhjetë viteve demokraci. Vetëm për një arsye, sapo marrin pushtetin e drejtojnë vendin me metodat e partisë dhe jo me ligje. Që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës shqeu gjithë europën për një marrëveshje deti nga para ardhësi i tij, e shqeu me sytë e naciolizmit jo të praktikave ligjore. Nga ana tjetër bëri po kaq show me takime vajtje ardhje ministrash të jashtëm, pa arritur asgjë. Për më keq akoma precedenti me pronat dhe minoritetet. Por ajo që është më e dhimbshmja, politika provinciale e karshillëkut karshi një vendi fqinj që mban peshën e emigracionit tonë. Në këto shtatë vite pushtet kryeministri i Shqipërisë nuk zbriti një herë të vetme në Athinë dhe anasjelltas, as Ciprasi e as ky, Miçotaqisi nuk janë dukur në Tiranë. Fuqia e ekonomike e krahut të punës nga Greqia, është fare e thjeshtë për t’u llogaritur, radha prej 20 kilometër e vargut me makina në Kakavi. Mirëpo në Shqipëri e drejtojnë vendin legenët, jo ekonomia.

3) Në marsin e këtij viti dogana e Kapshticës u bë epiqendër e vëmendjes sonë kjo fal kamerave personale të emigrantëve që me një urdhër absurd, nuk lejoheshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nuk ishin doganat greke që i pengonin, ishte policia shqiptare. Nuk i pranonin pasi i gjykonin si krijesa me murtajë, si lebrozë. Ata ishin gjaku i tyre, njerëz me halle, muhaxhirë që ktheheshin tek nëna. Heronj të kohërave me plot dështime. Madje kryeministri i vendit nuk dëgjonte nga ai vesh, urdhri qe i prerë, karantinohuni me paratë tuaja. Kush njeh pak protokoll komunikimi i dhëmb zemra, zë kokën me duar sepse është absurde t’i thuash shtetarit tënd, ushtarit kushtetues, karantinohu me xhepin tënd. Jo pak por një javë, në qiell të hapur. Shefi nuk dëgjonte, madje shumë e konsideronin si meritë për mos përhapjen e virusit. Të tjerët, legenët rreth tij si një masë prej burri shteti. Ishte fyerja më e madhe që mund t’i bëhej një qytetari nga vendi amë. Kësisoj si Greqia dhe Italia kanë të drejtë legjitime të luajnë me ne e të na trajtojnë si çerra inkubatori.

4) Legenët i paska me shumicë vendi, ynë. Thonë emigrantët janë injorantë. Këtej pandemia, këtej vinë për pushime. Kanë kohë që kanë filluar një propagandë karshi emigrantit. Nga ana tjetër i kanë ambasadat a konsullatat produkte jo të shërbimit civil, por të skandaleve, ryshfetit, mitmarrjes. I kanë kontingjent të drogës dhe prostitucionit. Po ashtu mjetet e informimit publik, se po të funksionin këto, nuk do shikonit radhë aty sot. Po ashtu qeverinë, a qeveritë me radhë. Po ashtu ushtrinë dhe policinë.

SHKARKO APP